Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë, aty ku duhet të ‘zbarkojnë’ udhëheqësit shqiptarë!

Aktuale

Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë, aty ku duhet të ‘zbarkojnë’ udhëheqësit shqiptarë!

Nga: Idriz Morina Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 18:36
Foto ilustrim: Ushtria amerikane para Kongresit në SHBA

Qëndrimet politike që duhet t’i mbajë Kosova, duhet të mbështetën më shumë në qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë dhe të ambasadorit amerikan në Kosovë, z.Jefryy Hovenier.

Po ashtu këto qëndrime do të duhej të vuloseshin nëpërmjet takimeve në SHBA, me së paku nënpresidenten amerikane, nëse nuk kanë mundësi të takohen drejtuesit e Kosovës me presidentin Biden.

Unë mendoj se një takim me presidentin Biden, qoftë i Presidentes, qoftë i Kryeministrit apo i të dyve së bashku, nuk është i pamundur.

Nëse ka jo pak veprimtarë, lobist dhe biznesmen shqiptarë, që gjejnë mënyra për takime jozyrtare me presidentin amerikan, atëherë si mund të ndodhë që këta të mos takohen?

E vërteta përpara gënjeshtrave serbe

Presidenti Joe Biden, është padyshim, presidenti më pro shqiptar që mund të ketë hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Qëndrimet e tij të hershme në favor të të drejtave të shqiptarëve, që para 30 viteve, veçanërisht ato në luftë, që janë edhe sot të vlefshme, aksiomatike, për ta mundur Serbinë, përkatësisht ligësinë serbe. Biden kërkonte jo vetëm luftime nga ajri, por edhe nga toka, pushtim të Serbisë, në mënyrë që siç thoshte ai t’ia ndryshonin karakterin Serbisë, çrrënjosjen e gënjeshtrave.

Këtë e tha në një mënyrë, por pa iu referuar Serbisë, ambasadori Hovenier në Kosovë, “E vërteta përpara gënjeshtrave”, në një shkrim autorial të para dy ditëve, të cilin e kam analizuar në një pikëpamje dhe kontekst tjetër.

Pra, është koha, që këto dy qasje, njëra më shumë se 20 vjet para, dhe tjetra vetëm para dy ditësh, të vihen në zbatim.

Serbia, diplomacia, e saj, nuk ka nevojë për asgjë më shumë, se sa thjesht ta pranojë realitetin faktik, mbi të gjitha, nga 1999-ta e këndej, dhe politik, nga 17 shkurti 2008, ku ëndrrat dhe gënjeshtrat serbe, do të duhej të kishin marrë fund, se një ditë mund ta riokupojnë Kosovën apo ta kthejnë nën kontroll të saj.

Duke besuar thellësisht mbi këto gënjeshtra Serbia, të gjithë retorikën dhe qëndrimet i lidhë me këto teza të rrejshme.

Është koha që perëndimi t’ia përplasë në sy, dhe pastaj shqiptarët, institucionet e Kosovës të ulen dhe të bisedojnë për sa të munden me ato të Serbisë.

Duke mbajtur qëndrime të rrejshme dhe mashtruese, duke ‘mbjellë’ gënjeshtra për nevoja të brendshme (vetveten) dhe për një pjesë të botës, nuk mund të besohet se Serbia është e gatshme për marrëveshje, aq më tepër finale.

Është paradoksale, edhe kërkesa e perëndimit që Kosova të respektojë marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, ndërsa vetë ajo asnjë prej tyre nuk e ka ratifikuar në Kuvendin e saj.

Marrëveshjet pa ratifikim nga Parlamenti, konsiderohen thuajse nul, pavarësisht sistemit të saj presidencial.

Alfa dhe omega e asaj, çfarë duhet të bëjë perëndimi në raport me Serbinë, është aksioma e diplomatit Hovenier, “E vërteta përpara gënjeshtrave”.

Edhe qëndrimet e presidentit Biden pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë e kanë përforcuar idenë tek shqiptarët se Biden është miku i shqiptarëve tek i cili mund të mbështeten.

Vendimet e tij i dhanë fund kalkulimeve për ndarje të Kosovës.

Mesazhe të drejtpërdrejta në Shtëpinë e Bardhë

Në këtë kontekst, nëse mund të themi tani, të parimeve Biden-Hovenier, ne duhet të marrim qëndrim për kërkesat dhe deklarimet, e bëra gjatë takimeve treditore, të misionarëve, atij amerikan Escobar dhe Lajçak.

Dikush mund të pyes me habi, se përse po e bëjmë dallimin e Escobarit nga Biden-Hovenier?

Escobar megjithëse i përket të njëjtës linjë, duke qenë në qendër të bisedimeve, domosdo që mund të përkulet, shtypet’ nga forca e presionit për të arritur marrëveshje dhe suksese, nga palët dhe nga vetëmotivimi personal.

Ambasadori Hovenier, në këtë pikë është më stabil, dhe më i papërkulshëm dhe më i pandikuar nga qëndrimi i palëve, ndikimit të BE-së dhe provokimit dhe nxitjes serbe. Ai po ashtu nuk ka motiv personal për sukses të domosdoshëm në bisedime, sepse mandati i ambasadorit nuk lidhet drejtpërdrejt me bisedimet, nuk gjykohet për rezultatin e tyre.

Për mua këto janë paradigmat që i japin stabilitet qëndrimeve të arsyeshme të udhëheqësve të Kosovës në bisedime.

Ndërsa, këto mund të fuqizohen në një takim në Shtëpinë e bardhë, siç e thashë më lart, pavarësisht se në çfarë formati realizohet, ku pala shqiptare duhet të kërkojë me këmbëngulje ndikimin e Presidenti Biden, drejtpërdrejtë.

Pentagoni

Këtë mënyrë veprimi e kujtojmë se e ka ushtruar presidenti Rugova. Referencat e tij politike, kanë qenë mesazhet e marra drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë, dhe në Pentagon.

Pentagoni po ashtu duhet të jetë pika tjetër, e takimeve të Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës. Fjala e ushtrisë është e rëndësisë thelbësore edhe në këtë rast, sepse barra e mbrojtjes së Kosovës bie mbi të, veçanërisht kur tensionet Rusi-Perëndim për shkak të Ukrainës janë drejt kulmit.

Një bashkërendim dhe me mesazhe nga atje, do të ishin dobiprurëse për vendimmarrjen dhe të ardhmen e Kosovës.

Asociacioni në vitin 2015 nga Gjykata Kushtetuese në 23 nene u shpall antikushtetues.

Por, Eskcobar dhe Lajçak publikisht sot kanë rikujtuar se marrëveshjet paraprake duhet të zbatohen. Ndërsa, në kundërshtim me këtë dhe në favor të idesë së shqiptarëve, Escobar ka thënë se “nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit të dytë me Escobarin, tani kokë më kokë, ka deklaruar se pret “me padurim të rritet bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët”.

Edhe analisti amerikan Daniel Server nuk e sheh të ngutshme marrëveshjen për një asociacion, pse “Serbia nuk është e përgatitur për ta njohur Kosovën dhe për ta mbrojtur anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat