Shaip Kamberi: Nuk do të ketë paqe nëse Lugina e Preshevës lihet pas dore në dialogun me Serbinë

Aktuale

Shaip Kamberi: Nuk do të ketë paqe nëse Lugina e Preshevës lihet pas dore në dialogun me Serbinë

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 23:17
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, nuk do të takojnë asnjë përfaqësues të Luginës së Preshevës gjatë vizitës së tyre në Beograd.

Këtë e ka konfirmuar deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“As unë e as dikush tjetër nga përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk jemi të ftuar për t’u takuar me përfaqësuesin e BE-së apo të SHBA-së, dhe mendoj se kjo është një qasje e gabuar ndaj Luginës së Preshevës”, thotë Kamberi.

Ndërsa, marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë vizitës dy ditore në vend.

Por, Kamberi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e sheh si “karrem” ndaj Kosovës për ta fajësuar këtë të fundit për bllokim të bisedimeve.

“Kemi një situatë që një marrëveshje lidhur me Asociacionin është arritur në Bruksel, të cilën Gjykata kushtetuese e Kosovës e ka shpallur në shpërputhje me Kushtetutën. Në anën tjetër, duke e shfrytëzuar nënshkrimin e Brukselit, është shumë e qartë se tema e asociacionit është një temë në të cilën Serbia do të insistojë të jetë në agjendën e bisedimeve dhe në rast refuzimi do të tentojë të fajësojë Kosovën për bllokim të bisedimeve”.

Derisa, qëndrimin e Lajçak se askush nuk e dëshiron një “republikë serbe” në Kosovë, Kamberi e konsideron si “inkurajues”.

“Shembulli i Bosnjës dhe paraliza e funksionimit të saj si shtet unitar nga Republika Srpska, është dëshmi më se e qartë që nuk duhet pranuar ndërtimin e kurrfarë mekanizmi i cili në të ardhmen mund ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës”, deklaron Kamberi.

Kur flet për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi kërkon që në dialog të përfshihet edhe Lugina e Preshevës, pasi sipas tij, marrëveshja eventuale mes dy shteteve “nuk do të jetë e plotë nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve duke respektuar parimin e reciprocitetit, nuk do të jenë pjesë e asaj marrëveshje”.

“Paqja afatgjate dhe mirëqenia në Ballkan varet më së shumti nga raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por, këto raporte do të jenë vazhdimisht të tensionuara nëse Lugina Preshevës do të lihet pas dore në dialogun me Serbinë”, thekson Kamberi.

Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Lajçak dhe Escobar kanë qëndruar në Kosovë ku kanë zhvilluar takimet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Gjithashtu, përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, takuan edhe krerët e partive opozitare Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Takim zhvilluar edhe me Listën Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat