​Prokuroria përfundon paraqitjen e provave në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Aktuale

​Prokuroria përfundon paraqitjen e provave në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 20:44
Salih Mustafa

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në anën tjetër, mbrojtja është urdhëruar te dorëzojë listën e provave dhe të dëshmitarëve deri më 11 shkurt, nëse e synon paraqitjen e provave.

“Sot, më 4 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar i dha fund paraqitjes së provave të saj në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndërsa dje në konferencën e rregullt të DhSK-së, zëdhënësja Angela Griep ka thënë se më 11 shkurt mbrojtja dhe mbrojtësja e viktimave do të dorëzojnë listat e tyre përkatëse të dëshmitarëve dhe provave materiale.

“Më 17 e 18 shkurt trupi gjykues do të mbajë konferencën përgatitore për mbrojtjen dhe konferencën për ecurinë e çështjes lidhur me viktimat. Pas kësaj, trupi gjykues do të vendosë për numrin dhe modalitetet e dëshmitarëve që do të japin dëshmi si dhe për datat dhe oraret e seancave”, ka thënë Griep.

Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë te mbrojtur të prokurorisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Ndërsa në seanca të hapura, të ftuar nga ZPS, kanë dëshmuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopi, Sejdi Veseli e Fatmir Humolli.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës i cili ka filluar më 15 shtator 2021, është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat