Urdhër-arrest kundër Milan Radoiçiqit

Aktuale

Urdhër-arrest kundër Milan Radoiçiqit

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 17:25
Milan Radoiçiq

Millan Radoiçiq, i arratisuri nga Policia e Kosovës, është vënë në kërkim policor nën dyshimin për frikësimin e dëshmitarit kryesor të aferës “Brezovica”.

Nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhet në arrati nga 21 janari, 2022.

Paparaci, ka siguruar urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit kundër Radoiçiqit.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka autorizuar Njësinë e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës për futjen e Radoiçiqit në “stop listë” dhe arrestimin e tij.

“Arrestimi duhet të ndodhë menjëherë dhe nuk mundë të zgjasë më shumë se 6 orë nga koha e arrestimit”, thuhet në urdhër-arrestin e nxjerrë nga Prokuroria e Shtetit.

Prokurori Maloku, ka vlerësuar se Radoiçiq, i cili të enjten iu arratis Policisë së Kosovës në Bërnjak, mund të “ikë, asgjësojë, fshehë, ndryshojë, falsifikojë provat e veprës penale”.

Millan Radoiçiq, iu arratis Policisë së Kosovës nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak, më 3 shkurt, 2022.

Për arratisjen e kriminelit të dyshuar serb, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e tre zyrtarëve policorë të premten.

Në një reagim për media, Policia e Kosovës arsyetoi arratisjen e Radoiçiqit me kompleksitetin e pikës kufitare në Bërnjak, e cila është e integruar si pikë kufitare e përbashkët.

Kësisoj, tha policia, në pikë-kalimin kufitar të Bërnjakut ekziston mundësia për kalim të shpejtë në pjesën e Serbisë.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitar kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, tha policia, në një komunikatë për media.

Radoiçiq, po ashtu dyshohet si kreu i një grupi kriminal që organizoi dhe kreu vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-politikanit serb të Kosovës.

Një urdhër-arrest tjetër për arrestimin e Radoiçiqit në Kosovë, ishte lëshuar në fund të vitit 2018. Atë e kishte lëshuar ish-prokurori special, Sylë Hoxha. Por, organet e rendit kishin dështuar ta kapnin kriminelin e dyshuar serb.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte tërhequr urdhrin për arrestimin e nënkryetarit të LS-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat