Dyshohet për vendosje të kamerave në pavijonin e grave në Burgun e Lipjanit

Aktuale

Dyshohet për vendosje të kamerave në pavijonin e grave në Burgun e Lipjanit

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 00:24
Qelia e burgut

Brenda një hapësire të veçantë në burgun e  grave në Lipjan dyshohet se janë vendosur kamera të sigurisë.

Sipas burimeve, në këtë veprim dyshohet të jetë përfshirë edhe drejtoresha e burgut Fatlinda Mustafa-Vuniqi.

Sipas këtyre informacioneve, Mustafa-Vuniqi tashmë është suspenduar nga kjo pozitë.

Masa e suspendimit tashmë është vendosur edhe për dy zyrtarë të tjerë që dyshohen se janë përfshirë në këtë shkelje.

Ilir Kelmendi thotë se suspendimi ndaj tij është në proces dhe ai do të flasë vetëm pasi të përfundojë çështja.

Albert Krasniqi është mbikëqyrësi për siguri në këtë qendër korrektuese dhe i njëjti është suspenduar.

Ai nuk i është përgjigjur televizionit për këtë rast.

Avokati Leutrim Syla thotë se nëse vërtetohen shkelje të tilla, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut.

“Nëse masa të tilla janë përdorë pa bazë ligjore, apo nuk kanë pasur arsyetim të mjaftueshëm, apo që palët nuk janë informuar se po përdoren masa të tilla, besoj se kjo është problematike dhe mund të konsiderohet shkelje e pastër e të drejtave të njeriut”, deklaroi avokati Syla.

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tregon kur lejohet vendosja e kamerave në hapësira të brendshme të burgjeve.

“Kjo lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme kur kemi të bëjmë me persona që rrezikojnë vetëvrasjen, apo që janë në gjendje të rëndë të shëndetit mendorë. Vëzhgimi i përhershëm me kamera duhet të bëhet përmes procedurave ligjore të miratuara paraprakisht”.

Vendimi për suspendimin e tre zyrtarëve korrektues është marrë nga Komisioni Disiplinorë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat