​Hykmete Bajrami tregon se kush do të preket nga shtrenjtimi i rrymës

Aktuale

​Hykmete Bajrami tregon se kush do të preket nga shtrenjtimi i rrymës

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 21:29
​Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që muajin e kaluar kanë paguar mbi 30 euro shpenzime për rrymë, do të preken nga rritja e fundit e tarifës nga ana e ZRRE-së.

Ajo në Rubikon tha se një gjë të tillë qytetarët do ta kuptojnë më së miri në fund të muajit shkurt.

”Unë besoj që qytetarët e Kosovës do të binden shumë shpejtë, kur të marrin faturat në fund të muajit shkurt se ngritja e çmimeve i ka prekur shumë më shumë. Secila që ka paguar në muajin e kaluar mbi 30 euro, nëse ka shpenzimet e njëjta, do të preket nga ngritja e çmimit të tarifave të energjisë elektrike”, tha ajo.

Ajo u shpreh se pavarësisht deklarimeve, Kosova pritet të paguajë për rrymën 261 milionë euro më shtrenjtë sesa vitin e kaluar.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka miratuar më 8 shkurt tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata konsumatorë që harxhojnë më shumë se 800kWh gjatë një muaji. Tarifat e reja i kanë kundërshtuar partitë opozitare, kurse AAK ka paralajmëruar se vendimin e ZRRE do ta dërgojë në Kushtetuese.

Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent.

Tarifat e reja hyjnë në fuqi më 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat