Latifi dhe Gomes flasin për një takim me donatorët në fushën e shëndetësisë në Kosovë

Aktuale

Latifi dhe Gomes flasin për një takim me donatorët në fushën e shëndetësisë në Kosovë

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 12:50
Rifat Latifi dhe Natacha Gomes

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Dukatës së Luksemburgut, Natacha Gomes, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Dukatës së Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë takim, ministri Latifi shprehu falënderimin e tij të veçantë për ndihmën e dhënë nga Dukata e Luksemburgut për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë deri më tani, si dhe njoftoi ambasadoren Gomes për gjendjen e tanishme, planet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, ku theks të veçantë iu dha ndërtimit të Qendrës së Traumës dhe krijimit të Qendrës Simulative dhe të Teknologjisë (në fushën e kujdesit shëndetësor).

Sipas një komunikate të MSh-së, temë tjetër e diskutimit ishte mbajtja e takimit të përbashkët me të gjithë donatorët ekzistues dhe ata potencialë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, ku do të shpalosen planet afatgjate të Ministrisë së Shëndetësisë për transformimin e sektorit shëndetësor në vendin tonë.

“Në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës epidemiologjike në vend dhe përmirësimit të saj, por u theksua nevoja që vaksinimi të vazhdojë si e vetmja rrugë për t’u mbrojtur kundër Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Ambasadorja e Luxemburgut, Natacha Gomes, e njoftoj ministrin Latifi për ndihmën që shteti i saj ka dhënë për sektorin e shëndetësisë e Kosovës, projektet për të ardhmen dhe po ashtu të dy u dakorduan për një vizitë të Ministrit të Shëndetësisë së Luxemburgut në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat