Shoqatat e gazetarëve reagojnë ndaj komenteve të bashkëshortit të presidentes së Kosovës

Aktuale

Shoqatat e gazetarëve reagojnë ndaj komenteve të bashkëshortit të presidentes së Kosovës

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 06:42
Ilustrim

Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, i bënë thirrje të enjten bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu, që "t'u jap fund sulmeve ndaj gazetarëve".

Këto organizata i bënë jehonë reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili u shpreh i "alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato 'ndërmarrje të përbashkëta kriminale’”.

Reagimi pasoi një postim të zotit Sadriu i cili është i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, kundër shkrimeve në disa media lokale rreth shpenzimeve të udhëtimit të presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ishte deputete në parlamentin e Kosovës.

Asociacioni citoi një postim të zotit Sadriu në llogarinë e tij në Facebook, që më pas u hoq prej andej, në të cilin thuhej; "kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”.

Në reagimin e Asociacionit thuhet se "akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shtojnë pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre".

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, duke shpërndarë reagimin e AGK-së, tha se federata "i bën thirrje zotit Prindon Sadriu që t'u jap fund sulmeve të vazhdueshme ndaj gazetarëve".

Ndërsa Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve tha se "i dënon komentet" e zotit Sadriu, ndërsa nënvizoi se "liria e shprehjes është përbërës thelbësor për çdo demokraci".

 

Reagimeve iu bashkua edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e cila shkroi se “media e lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa frikë. Për këtë jam duke vëzhguar nga afër fushatën e organizuar denigruese kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”.

Zoti Sadriu shkroi me pas në një postim më të gjatë në facebook se postimi i parë i tij është "devijuar qëllimshëm nga disa", duke theksuar se "respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”.

Asnjëherë, shkroi ai, "nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenojë gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara. Mirëpo, kur rrezikohet jeta e familjes sime për shkak të demonizimit, dezinformatave e propagandës së njerëzve të caktuar, është detyrë po aq e shenjtë që të gjithë ta mbrojmë familjen, dinjitetin dhe të vërtetën".

Të premten e kaluar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u bëri thirrje gazetarëve që "t'i përmbahen kodit etik" gjatë raportimit, duke theksuar se "roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut".

Thirrja pasoi një nga shkrimet e shpërndara në disa media lokale lidhur me shpenzimet e deputetëve, ku ishte përvijuar edhe emri i presidentes Osmani.

Image
Shkrim i publikuar ne disa media

"Një komunikim i papërgjegjshëm mes gazetarit dhe redaktores së Gazetës Express po përpiqet të shndërrohet në një skandal të madh përmes të cilit do të mbuloheshin krejt skandalet e pushtetit aktual", shkroi më pas drejtori i Gazetës Express dhe televizionit T7 Leonard Kerquki.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat