Ish-komandant i policisë: Kemi ndaluar një gjakderdhje të madhe nëse nuk do të ndalnim policinë e UNMIK-ut

Aktuale

Ish-komandant i policisë: Kemi ndaluar një gjakderdhje të madhe nëse nuk do të ndalnim policinë e UNMIK-ut

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 00:47
Kristë Gjokaj

Kristë Gjokaj, ish-komandant i policisë në Gjakovë, foli në Edicionin Special për protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, ku ky bashkë me kolegë tjerë kishin për detyrë menaxhimin e protestës.

Gjokaj në atë kohë ishte komandant i Njësisë Speciale për rajonin e Pejës, dhe në ditën e protestës kishte rolin e Komandantit Fushor.

“Detyra jonë ishte mbajtja e vijës së parë të protestuesve. Ne si polici kishim përgjegjësi të menaxhonim protestën me aq kapacitet që kishim”, tha Gjokaj.

“Në rast se eskalon situata, ka qenë detyrë e imja që të kërkojë asistencë nga Njësitet Speciale të UNMIK-ut, mirëpo, me eskalimin e situatës, askush nuk ka pritur nga unë që të bëj kërkesë për asistencë, por kanë vepruar pa ndonjë kërkesë timen, pa ndonjë urdhër të askujt, në mënyrë brutale, me gaz lotsjellës, me pushkë automatike, apo me çfarë kanë mundur ata të shpërndajnë”, u shpreh ai.

“Kanë reaguar në mënyrë të tërbuar, me gjithë arsenalin që kanë pas”.

Pas eskalimit të situatës, Gjokaj tha se kishin pyetur tek Dhoma Komanduese se si të veprojnë.

“Ish koloneli Shpend Maxhuni më tha në telefon: Komandant menaxhoni protestën deri në fund, kemi disa të plagosur, ju duhet të ndaloni turrin e policisë romune, të cilët ishin të tërbuar”, tregoi Gjokaj.

“E kemi bërë atë, jemi konfrontuar. Kemi ndaluar një gjakderdhje të madhe, mosprezenca jonë do të sillte shumë më shumë të lënduar në protestë. Ky konfrontim ka zgjatur deri në gjysmë ore, derisa ata ndalën hovin ndaj protestuesve”, u shpreh ai.

Gjokaj tutje tha se në këtë protestë ishin rreth 85 policë nga rajoni i Pejës, dhe 50 oficerë nga Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat