Gazetari i luftës rrëfen momente nga leximi i tekstit të betimit të ushtarit të UÇK-së për herë të parë: Mora telefonata, sharje, kërcënime, fyerje...

Aktuale

Gazetari i luftës rrëfen momente nga leximi i tekstit të betimit të ushtarit të UÇK-së për herë të parë: Mora telefonata, sharje, kërcënime, fyerje...

Nga: M.L. Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 21:36
Foto ilustrim nga Rexhep Shahu

Publicisti dhe gazetari i luftës, Rexhep Shahu ka rrëfyer historinë e publikimit për herë të parë të tekstit të betimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shahu në një postim në Facebook ka treguar se si për herë të parë tekstin e betimit të UÇK-së e ka lexuar në valët e radio Kukësit në vitin 1998.

Ai ka thënë se ishte fat e privilegj që teksti në fjalë u lexua për herë të parë prej tij.

“Edhe sot emocionohem kur kujtoj se si dridhesha kur lexoja betimin në receptorin e telefonit në një dhomë të erret sa një nevojtore ku ishte telefoni i lidhur direkt me studion e Radio Tiranes. Mrekullohem kur kujtoj se me çfarë vëmendje e dëgjonin njerëzit atë betim”, shkruan Shahu mes tjerash.

Postimi i plotë:

Betimi i UÇK

(Sa keq që nuk ka ndodhë në Radio Kosova e lirë kjo histori...)

Tekstin e Betimit të ushtarit të UÇK për herë të parë njerëzit e kanë dëgjuar në valët e Radio Kukesit dhe Radio Tiranës një dite vere në vitin 1998. E kanë dëgjuar prej meje, me zërin tim.

Janë bërë 24 vjet nga ajo kohe dhe patriotët e sotëm të lavdishëm që brejnë hekur me dhëmbë, nuk kanë pas lindë akoma. As Radio Kosova e lirë jo.

Sot e quaj fat e privilegj, që teksti i betimit të UÇK është lexuar prej meje. Në Radio Kukesi dhe në Radio Tirana. Radioja atëherë kishte fuqinë e informacionit se nuk ishin krijuar ende televizionet private.

Kujtoj se ato çaste kanë qenë shume solemne. Radio Tirana çeli edicionin e lajmeve atë dite si pothuaj çdo dite në 300 ditët që raportova për te, sepse Iljaz Spahiu dhe Zamira Koleci me kishin dhënë gjithë lirinë të raportoja nga Kukesi çfare të doja.

Edhe sot emocionohem kur kujtoj se si dridhesha kur lexoja betimin në receptorin e telefonit në një dhomë të erret sa një nevojtore ku ishte telefoni i lidhur direkt me studion e Radio Tiranes. Mrekullohem kur kujtoj se me çfarë vëmendje e dëgjonin njerëzit atë betim.

Tekstin e betimit të UÇK, të shtypur, bashkë me disa informacione të tjera të zgjeruara që i përdorja për lajme, ma ka dhënë veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Vexhi Halili, të cilin duhet ta falënderoj. Në fund të materialeve ishte nënshkrimi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK. E dija se Vexhiu ishte ne kontakt permanent me Kadri Veselin i cili u bë pushtetar e politikan i njohur në Kosovë.

Atë dite që u bë publik betimi i UÇK, në një miting ne Kukes, në mbështetje të Kosovës, tekstin e betimit e lexoi para njerëzve gjimnazisti Feti Fana, i veshur me uniformen e UÇK (sot i ndjerë).

Publikimi i Betimit te UÇK më pati nxjerre andrralla si shpesh herë për lajmet që publikoje. Telefonata, sharje, kërcënime, fyerje...

Do të rrëfej historira në librin tim Lufta ime për Kosovën. Por ky veprim që bëra nuk më bëri patriot as hero, as legjendar. Ishte një pune, një ditë pune shumë e zakonshme në ato kohë të pazakonta e heroike dhe unë isha me fat që isha gazetar, në ato kohë, në atë vend, siç me pati thënë ne Kukes gazetari i madh i Rojterit, Kurt Shork.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat