Seancë solemne për 14-vjetorin e pavarësisë/ Presidentja Osmani: Liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne

Aktuale

Seancë solemne për 14-vjetorin e pavarësisë/ Presidentja Osmani: Liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 06:21
Vjosa Osmani

(E plotësuar 11:47) - Konjufca: Rroftë pavarësia e republikës sonë, i përkulemi luftës së UÇK-së

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca në seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar se përkulet para luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konjufca është shprehur se pavarësia është një bimë e lirisë e cila kërkon ujitje për ccdo ditë.

Sipas tij, do të kujdesen për të duke e përmbushur amanetin e të rënëve.

“Çdo njëri nga ne më 17 shkurt kaplohemi nga një gjendje e veçantë shpirtërore e cila e mishëron krenarinë me entuziazëm. Krenaria na vjen si sublimim i rrugës së gjatë e të mundimshme të popullit tonë për liri, kurse entuziazmi si vetëdije për arritjet e deritashme dhe si optimizëm për të ardhmen. Sot duke e kujtuar 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë para së gjithash i nderojmë dëshmorët e luftës për liri që nuk e kursyen as jetën për mëvetësinë e shtetit tonë. Përkulemi para sakrificës së tyre dhe të luftës së shenjtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Konjufca është shprehur se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë luftën e UÇK ‘së.

“Lufta jonë ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ajo ishte e drejtuar kundër okupatorit për ndaljen e gjenocidit dhe për lirinë tonë të përbashkët. Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë, a ta ndryshojë këtë të vërtetë që është  e vërteta e jetës tonë. Le t’i nderojmë po ashtu ato gra dhe ata burra të cilët me mençurinë dhe guximin e tyre na drejtuan dhe orientuan që udhëkryqet e rrezikshme të historisë t’i kapërcejmë pa përplasje të brendshme e fatale”, ka deklaruar ai.

Kurti po mbante fjalim, deputetët e opozitës largohen nga salla e Kuvendit

Është duke u zhvilluar seanca solemne për 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë kohës kur në Kuvendin e Kosovës po mbante fjalim kryeministri, Albin Kurti deputetë e opozitës kanë liruar sallën e Kuvendit.

Deputetët njëri pas tjetrit janë larguar nga salla, duke injoruar kështu fjalimin që po mbante Kurti.

Osmani: Rruga deri në pavarësi nuk ishte e lehtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka thënë se aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë.

Sipas saj, rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë.

Ajo ka thënë se u dashtë shumë mund e sakrifica për ta bërë shtetin.

“Nën udhëheqjen e Rugovës, Kosova i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit. Për aq sa u rri shtypja ndaj ne, u rrit edhe rezistenca jonë. Vajza e djem u bënë gardian të atdheut. Secila luftë i ka heronjtë e vet, e liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne. Ne do ta njohim figurën e tij dhe të gjithë heronjtë. Ne sot i nderojmë të gjithë invalidët e luftës dhe viktimat e luftës. Të gjithë meritojnë respekt e nderim”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se sot këtu jemi sepse ishin edhe miqtë ndërkombëtarë.

Ajo ka thënë se shtetet mike u vunë në anën e lirisë dhe pavarësia u takon edhe atyre.

Presidentja e vendit ka thënë se shpresojnë se me ndihmën e tyre do ta mbyllin edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Sot edhe Kosova edhe rajoni e bota po përballen me politika destabilizuese të Rusisë. Ne i dënojmë tendencat e tilla, siç e dënojmë edhe ndonjë pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kosova ka vendosur në cilën anë është dhe qëndron fuqishëm në anën e aleatëve të saj. Kosova sot nuk është as ajo e qershorit ’99 e as e shkurtit 2008. E vërteta mund të vonohet por jo edhe të shmanget. Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke. Nuk do të pranojmë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje vendit tonë”, ka thënë ajo.

Nis seanca solemne për nder të 14 vjetorit të pavarësisë, mungon Lista Serbe 

Me intonimin e himnit shtetëror, ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për nder të 14 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. 

Në sallë nuk është prezentë Lista Serbe.

Kuvendi mban seancë solemne

Sot shënohet 14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë solemne për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Seanca nis në orën 11:00.

“Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë solemne për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)”, thuhet në njoftim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat