Ushtria dhe Policia e Kosovës parakalojnë në shesh

Aktuale

Ushtria dhe Policia e Kosovës parakalojnë në shesh

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 07:46
Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës

(E plotësuar 13:36) - Është mbajtur parakalimi i Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës në sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës.

Ky parakalim vjen për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në shesh janë mbledhur figurat më të larta shtetërore.

Ndërkaq për të parë parakalimin janë mbledhur edhe qytetarët e vendit.

Image
Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës
Image
Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës
Image
Parakalimi i Policisë së Kosovës
Image
Parakalimi i Policisë së Kosovës

***

Në ceremoninë shtetërore për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës është projekt nacional dhe realitet që mban vulën e angazhimit kombëtar.

“Ushtria jonë që sot do të parakalojë para jush është e përgatitur dhe profesionale në mbrojtën e sovranitetit dhe territorit të Kosovës. 14 vjet nuk janë pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin. Këta djemë dhe vajza që parakalojnë janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës, ata janë garancia për çdo cep të territorit të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar sakrificën e brezave të shumtë për liri.

Osmani ka kujtuar sakrificën sublime të dëshmorëve të UÇK-së në krye me komandantin Adem Jashari.

Gjithashtu ka përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugova për të cilin ka thënë se ka bërë punë ikonike për liri, pavarësi e demokraci.

Në ditën e shtetësisë së Kosovës, ajo ka përmendur civilet e vrarë, gratë e dhunuara gjatë luftës dhe dëmet e tjera të kryera nga regjimi serb gjatë luftës ne Kosovë.

“Drejtësia akoma nuk është vendosur e për drejtësi thërrasim çdo ditë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti: Rrugëtimi i popullit tonë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe plotë krenari e nder

Kryeministri, Albin Kurti në shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë se Kosovës ka thënë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për anëtarësimin e saj në institucionet euroatlantike.

Kurti ka thënë se shteti i Kosovës është vend i gjithë qytetarëve të saj e të barabartë para ligjit.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar në anëtarësimin në institucione euroatlantike dhe çdo ditë punojmë për të dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim. Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit, ndërsa NATO është kushti i paqes për të gjithë ne”, ka thënë Kurti.

Kurti në ceremoninë shtetërore për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se rrugëtimi i popullit kosovarë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe me shumë krenari.

“Rrugëtimi i popullit tonë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe plotë krenari e me nder. Sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre për lirinë”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë qe sot kujtohet vuajtja e flijimit të heronjve.

“Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë. Në këtë ditë jemi mirënjohës, jemi të bashkuar dhe reflektojmë mbi idealet tona”, ka thënë ndër tjera kryeministri Kurti.

Nis parakalimi i ushtarëve të FSK-së dhe Policisë

Pas fjalimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ka filluar parakalimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë se Kosovës në sheshin e Prishtinës për nderë të 14 vjetorit të shtetësisë së Kosovës.

Osmani: Parakalimi i forcave policore e ushtarake na kujtojnë se sa e vështirë ishte rruga drejt lirisë

Në nderim të përvjetori të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të parakalojnë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për të përcjellë këtë parakalim përgjatë shesheve të kryeqytetit janë mbledhur mijëra qytetarë.

Komandatja Supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani, thotë se teksa forcat ushtarake dhe policore parakalojnë nuk ka si të mos kujtohet rruga e vështirë drejt lirisë.

“Jam krenare që ndodhem para jush në këtë parakalim të ushtrisë dhe policisë tonë në 14 vjetorin e shtetësisë tonë. 14 vjet nuk janë shumë e as pak për ta kujtuar vështirësinë e vendit drejt pavarësisë. Këto forca janë garancia, identiteti i shtetit tonë të ri për të cilin dhamë shumë mund”.

“Teksa forcat tona policore e ushtarake marshojnë qytetet nuk ka si të mos kujtohet rezistenca për liri dhe puna ikonike e presidentit historik, Ibrahim Rugova, në rrugën për liri, pavarësi e demokraci. Nuk ka si të mos kujtohet sa e vështirë ishte rruga drejt lirisë”.

“Teksa e kujtojmë rrugëtimin tonë të drejtë e sfidues mos ta harrojmë rrugën e vështirë drejt lirisë e të mos e harrojmë se sa krenari është kjo se ku kemi arritur”, tha Osmani.

FSK-ja dhe Policia e Kosovës parakalojnë sot në sheshin “Nënë Tereza”.

Me rastin e përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, FSK-ja dhe Policia do të parakalojnë nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim, që të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë, duke thënë se prania e tyre sa më masive, do ta bëjë shumë më madhështore festën.

Njoftimi i plotë:

Qytetarë të dashur të Republikës,

Me rastin e 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë, në kuadër të aktiviteteve festive shtetërore, bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së së bashku me ato të Policisë së Kosovës.

Parakalimi do të realizohet nga ora 12 deri në ora 13, në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Me këtë rast, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, ju ftojmë të gjithëve pa dallim, që të merrni pjesë në këtë ngjarje të veçantë, ku prania juaj sa më masive do të bëjë shumë më madhështore Festën tonë të Pavarësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e juaja, andaj ejani të festojmë së bashku!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat