​Rama në përvjetorin e pavarësisë: Adoleshenca vjen me shtim të përgjegjësisë

Aktuale

​Rama në përvjetorin e pavarësisë: Adoleshenca vjen me shtim të përgjegjësisë

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 10:56
Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se Kosova tashmë ndodhet në vitet e adoleshencës së saj. Sipas tij, tashmë duhet të ketë shtim të përgjegjësisë dhe rezultatet të përcaktojnë të ardhmen. Po ashtu, ai theksoi se kryeqyteti duhet të jetë pasqyrë e transformimit urban të mirëfilltë.

Në seancën solemne për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ai theksoi se në përvjetorët e kaluar shtetësia e vendit krahasohej me “të një fëmijë që po rritet”.

Rama: Adoleshenca vjen me shtim të përgjegjësisë

“Kosova shtet 14 vjet, tashmë po ndodhet në vitet e adoleshencës së saj. E adoleshenca, ndryshe nga fëmijëria e hershme vjen me shtim të përgjegjësisë. Është moshë kur fillojmë të nënshtrohemi testeve të pjekurisë, rezultatet e të cilave na përcaktojnë të ardhmen. Pasi kemi ende të gjalla plagët, na i kujton kjo ditë edhe kohët e luftës. Njerëzit që luftuan dhe u flijuan për lirinë që gëzojmë tash e dy dekada”, tha ai.

Kjo ditë, siç tha Rama, duhet të kujtojë se është borxh që të punohet me përkushtim dhe nder.

Rama: Shumë lloj veprimtarish filluan të tregojnë rezultate të mira

“Gjatë kësaj periudhe të shtetësisë, shumë lloj sektorësh e veprimtarish filluan të tregojnë rezultate të mira në arenën ndërkombëtare dhe më gjerë. Me çka në pushtetin qendror e lokal na japin edhe kahjen për orientimin e investimeve. Kështu fjala vjen, sukseset e shitjeve në produktet e ndryshme bujqësore në tregun e jashtëm, si nga frutat e pyllit e deri te perimet e ndryshme tregojnë për nevojat e përqendrimit të mëtejmë në bujqësi e agrobiznes”, ka shtuar Rama.

Kreu i kryeqytetit në seancën solemne shtoi se Prishtina duhet të jetë pasqyrë e transformimit urban të mirëfilltë.

Rama: Kryeqyteti ynë le të jetë pasqyrë e energjisë pozitive

“Kryeqyteti ynë le të jetë pasqyrë e energjisë pozitive, e transformimit urban të mirëfilltë e nëpërmjet tyre të ngrit mirëqenien e vetëbesimin në të gjithë ne. Se po ne mundemi”, ka përfunduar i pari i Prishtinës në seancën solemne për përvjetorin e pavarësisë.

Kosova shënon 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur pasditen e 17 Shkurtit si shtet i pavarur, sovran e demokratik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat