E vërteta e rrahjes në burgun e Nishit: Vëllai i Rexhep Selimit më goditi me grusht, këshilltari i Kadri Veselit na vjedhke bukën

Aktuale

E vërteta e rrahjes në burgun e Nishit: Vëllai i Rexhep Selimit më goditi me grusht, këshilltari i Kadri Veselit na vjedhke bukën

Nga: P.R Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 18:17
Burgu i Nishit

Ditë më parë, njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të ish Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, Sefedin Krasniqi, në faqen e tij kishte publikuar një mesazh, të cilin, sipas tij ia ka dërguar një person në facebook.

Në mesazhin e publikuar nga Sefedin Krasniqi, thuhet se ish kryetari i Ballit Kombëtar, Naser Husaj ishte rrahur në burgun e Nishit nga pjesëtarë të dirigjuar nga SHIK-u.

“Në burgun e Nishit, u rrah brutalisht ish kryetari i Ballit Kombëtar, z Naser Husaj nga pjesëtarë të dirigjuar nga SHIK-u përmes telefonit. Naserin e rrahën Njazi Kryeziu, Demir Limaj dhe dy nga ordinerët që ishin bodigarda të Nait Hasanit. Rrahja ndodhi në masditen e 13 Shtatorit të vitit 2000. Nga po i njejti grup, u rrah në gjumë Muhamet Bulliqi ish anëtar dhe militant i dr. Ibrahim Rugova”!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Sefedin Krasniqi, i cili i bëri thirrje Naser Hysajt që të tregojë se cila ka qenë e vërteta.

E gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Naser Husajn, ish kryetar i Ballit Kombëtar, i cili kishte qenë i burgosur në burgun e Nishit për të mësuar se cila është e vërteta.

Sipas tij, nuk qëndron ajo se ai ishte rrahur, por se ka qenë organizimi nga SHIK-u për ta rrahur është e vërtetë.

Image
Naser Husaj ish kryetar i Ballit Kombëtar në Kosovë dhe ish i burgosur në burgun e Nishit

“Nuk është e vërtetë se me kanë rrahë, por janë organizuar të më rrahin nga SHIK-u në Kosovë në atë kohë. Unë nuk kam dashur të merrem me ngjarje të kaluara, dhe me tregu çka kanë bërë disa psikopatë të dirigjuar nëpër burgje duke u rrahë dhe vjedhë njëri-tjetrin. E vërteta është kjo. Në burgun e Sremit kemi qenë 44 të burgosur, disa kanë qenë politikë dhe disa si pjesëtar të UÇK-së siç ata thoshin, dhe mua më kanë bërë udhëheqës i dhomës ku detyra e udhëheqësit dhomës ishte të mbajë rënd, mos të ketë konflikte, të kryhen detyrat e dhomës, banjos, dhe të kërkojë ndonjë gjë nga gardianët, nëse dikush ka ndonjë kërkesë apo është sëmurë, dhe një ndër to edhe të kujdesen për respektim të kohës të pirjes cigareve, kafeve, dhe larjes së rrobave në një dhomë kapur për dhomë të fjetjes”, thotë Husaj për gazetën “Bota sot”.

Në rrëfimin ekskluziv për “Bota sot”, Husaj akuzon Asllan Selimin, vëllain e Rexhep Selimit për vjedhje dhe shkaktim të konflikteve në burgun e Nishit.

Image
Asllan Selimi, vëllai i Rexhep Selimit dhe ish i burgosur në Nish

“Më janë ankuar disa të burgosur se Asllan Selimi, vëllai i Rexhep Selimit, iu ka vjedhë çorapet dhe unë i thash çka ata po thonë, por ai nuk e ndjeu veten mirë. Disa të burgosur nuk e repektojshin kohen e pirjes së cigareve dhe të tjerët pritshin me hy pas tyre, që ata nuk i respektojshin kohën, vetëm sa zgjat pirja e një cigare, apo kafesë, çajit etj, dhe unë duhej të reagojë në këto mospërfillje të rendit shtëpiak dhe kish edhe asi, që dojshin të sjellin konflikt dhe të hyjnë gardianët dhe të na rrahin. Në disa raste mu ka anku edhe Ukshin Hoti, se ai duhej me prit te dera, nuk kishin respekt ndaj tij. Dhe në një rast ish Asllan Selimi, ku unë hyra dhe i thash lëshoja rendin Ukshinit, e vërejta se nuk i erdhë mirë, por u largu”, shprehet Husaj.

Por si kishte ndodhur përleshja mes të burgosurve, ku sipas Husajt, organizimi kishte qenë nga SHIK-u për rrahjen e tij?

Husaj thotë për “Bota sot”, se kishte qenë pikërisht vëllai i Rexhep Selimit, Asllani, ai i cili e kishte goditur me grusht në bark, ndërsa ky ia kishte kthyer me shkelmë.

“Pas kthimit nga Dubrava kur u bë bombardimi, na dërguan në burgun e Lipjanit deri në ditën kur u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës dhe hyri KFOR-i në Kosovë, ku mu dhe disa të tjerë që ishim në burgun e Sremit na dërguan në Nish në burg, dhe një ndër ta edhe Asllan Selimi, dhe nuk më kujtohet a ka qenë Demir Limaj në burgun e Nishit, që ish me mu në Srem. Në kohen kur kemi ardhë në Burgun e Nishit unë kam pas edhe tre muaj me kry dënimin me datë 17/09/1999, dhe jo siç shkruan në artikull me 13/09/2000. Dhe nga mesi i këtij tremujori, unë isha si udhëheqës i dhomës duke shëtitur nga dera e dhomës ka dritarja, kravatat anash me të burgosur duke pushuar, e vërejta se Asllan Selimi e hapi derën, dhe me tha Ballist hajde deri te unë. U vendosa me këmbë në prag, e vërejta a ka kush nga dhoma e tij, që ishte përfundi meje, dhe me goditi me grusht në bark. Unë menjëherë e kam godit fort me shkelmë në gjoks afër qafës, dhe vërejta se u turren nga dhoma e tij, e vërejta se janë organizuar me më rrahë”, deklaron Husaj.

“Janë afruar afër krevatit tim, mu kanë afru Asllan Selimi, Njazi Kryeziu, që e vjedhke bukën e të burgosurve me një boshnjak nga Peja, Gjevat Daçia, dhe e hajshin në dhomën e vet, dhe veprimi tyre ish shkas i rrahjes së të burgosurve. Mu kanë afruar dy persona dhe me kanë kap për duar, iu kam largu duart dhe Njazi Kryeziu ka dashur të më kap për trenerke pas qafe, atëherë dhe iu kam largu dhe jam shtri në krevat timin në kat të parë, dhe jam shtri në shpinë që t’i vërej a po më godasin, se mbi mua ish edhe një krevat tjetër. Kanë hy te dhoma e tyre dhe kështu ka filluar përleshja mes dy dhomave, duke me mbrojt mu, dhe pastaj kanë dal”, vazhdon rrëfimin e tij ekskluziv dhënë për “Bota sot” Naser Husaj, ish kryetar i Ballit Kombëtar në Kosovë.

Më tej, ai thotë se ndarjet politike që ndodhën pas lufte në Kosovë, ndikuan edhe tek te burgosurit në burg.

“Nuk më erdhi mirë se ndodhi kjo, se ata filluan me përhapë se Ramë Ballisti, por nuk ia ndajsha mendjen psikopatave që i ka mbledhë Serbia, dhe i ka futur burgjeve pa bërë asgjë. Sikur te kish qenë rrahje, siç kanë thënë kish pas lëndime trupore, gjak, dhe kishin me marr vesh gardianët dhe na kishin transferuar në burgje tjera, na kishin rrahë dhe na kishin ndjekë për vepra penale. Kjo ka qenë një shpifje, që unë me Demir Limen dhe me Nait Hasanin kam qenë mirë, por pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë, familjet që iu vishin në vizitë të burgosurve nga Prishtina, Mitrovica, Podujeva dhe Gjilani, hapshin informata se si janë formuar në Kosovë grupe dikush me Rugovën, dikush me Thaçin, e dikush me Ramushin dhe ato u reflektuan edhe në burg, ku kish fyerje, sharje, rrahje, vjedhje mes veti. Pra u bë përçarja mes të burgosurve”, deklaron Husaj.

Sipas Husajt, problemet kryesore në burg i ka shkaktuar Njazi Kryeziu, anëtar i PDK-së dhe ish këshilltar i Kadri Veselit.

Image
Njazi Kryeziu, ish këshilltar Kadri Veselit në kohen kur ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës

“Po në burgun e Nishit problemet i kanë shkaktuar Njazi Kryeziu me një hajn të Pejës Gjevat Daçia që na e ndajshin bukën dhe vike te rrahja, që këta të dy i kanë përmend disa të burgosur që shteti i Kosovës duhet të merret me veprimet e tyre në burgun e Nishit. Disa të burgosur me kanë thënë ballist sikur të kishe qenë në Kosovë të kishin vra këto grupe. Nait Hasani dhe Demir Limaj duhet të deklarohen a me kanë ra, përndryshe bëj padi civile në gjykatë. Sa kam qenë unë udhëheqës i dhomës në burg të Sremit, në Nish dhe në Lipjan, nuk ka ndodhë me na rrahë gardianët ndonjë të burgosur, bile në Srem e kam shpëtuar Besim Ramën nga Drenica dhe Agim Krasniqin nga Prizreni. I kam lut gardianët mos me m’i rrahë dhe me kanë ndëgju”, thotë në rrëfimin e tij Naser Husaj.

Ai ka treguar edhe një rast tjetër, ku në vend të tij ishte rrahur një i burgosur tjetër, Raif Qela.

“Po kur kemi ardhë nga Sremi në burgun e Nishit tri ditë, dhe pastaj me vazhdu për Dubravë për me na bombardu, udhëheqës i dhomës ka qenë Avdija Memedoviq që e bën gardianët, dhe ai mes tjerëve më tha edhe mu del me të rre, dhe s’mujsha me lëviz nga rrahja që ma bën mua dhe tjerëve, sa që qeben nuk mujsha me qit mbi shpinë, e fyva dhe nuk shkova, por i burgosuri Raif Qela tha unë dal e rrehna në vend të Ballistit, dhe kështu ndodhi, e hëngri rrehen për me’m shpetu mu”, shpjegon Husaj.

Image
Libri i Naser Husajt, i botuar pas daljes nga burgu

Për fund, Naser Husaj thotë se SHIK-u ka pas gisht edhe në rastin e Ukshin Hotit.

“Pra kjo është e vërteta, çdo gjë tjetër është shpifje. Ka qenë organizuar nga SHIK-u që unë me dal i rrahur nga burgu, dhe tani jam duke mëndu se ndoshta SHIK-u ka pas gisht pas daljes së Ukshin Hotit nga burgu i Dubravës. Sepse qëllimi i SHIK-ut ka qenë të burgosurit politikë, siç ka qenë Ukshin Hoti, unë, Ministria Mbrojtjes, dhe ajo e Policisë të largohen nga skena politike, dhe për këtë shkak nuk jam marr me politikë, edhe pse Rugova dhe Thaçi më kanë thënë vendin e ke te unë.. Pasi ka dal nga burgu një person nga fshati Zahaq Pejës, me mbiemër Kabashi, më ka thënë Ballist ata qe kanë dashtë me të rrah, kemi rrah fort, unë aty nuk kam qenë”, përfundon rrëfimin ekskluziv për “Bota sot”, Naser Husaj ish kryetar i Ballit Kombëtar në Kosovë dhe ish i burgosur në burgun e Nishit./ Bota sot

Image
Emrat e personave të burgosur
Image
Emrat e personave të burgosur
Image
Emrat e personave të burgosur

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat