Ministrja Haxhiu nënshkruan Deklaratë të Përbashkët Zotimi me kryesuesin e KGJK-së dhe kryetarin e Supremes

Aktuale

Ministrja Haxhiu nënshkruan Deklaratë të Përbashkët Zotimi me kryesuesin e KGJK-së dhe kryetarin e Supremes

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 14:58
Albert Zogaj, Albulena Haxhiu dhe Enver Peci

Sot, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është nënshkruar një Deklaratë e përbashkët zotimi mes ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, si dhe Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Pecit.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se përmes kësaj deklarate, Ministria e Drejtësisë zotohet se do të formojë në afatin më optimal, grupet punuese për kryerjen e hapave procedurale dhe nxjerrjen e dokumenteve përkatëse për reformat.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme me nënshkrimin e kësaj deklarate, zotohen të kontribuojnë substencialisht në këtë proces duke dhënë kontribut të vazhdueshëm profesional përmes përfaqësuesve kompetentë.

“Ky akt shënon një zotim të plot-vullnetshëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe kontributit në mes të këtyre institucioneve, me qëllimin e qartë për reforma në fushat e caktuara të sundimit të ligjit, ndër të tjera, në atë penale, civile dhe administrative. Zotimi i tillë, gjithashtu është i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe kontributin profesional të partnerëve strategjik, si pjesë e rëndësishme e reformave në drejtësi”, thuhet në komunikatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat