Lidhjet e ish-ministrit të Kulturës me Qazim Osmanin

Aktuale

Lidhjet e ish-ministrit të Kulturës me Qazim Osmanin

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 15:26
Qazim Osmani dhe Astrit Haraqija

Qazim Osmani dhe vëllezërit e tij, Bashkimi, Bekimi e Burimi, kanë ndërtuar një perandori biznesore në Evropë. Ata, nuk figurojnë si biznesmenë që ushtrojnë veprimtari në Kosovë.

Por, lidhjet me njerëz nga Kosova – prej nga ata kishin migruar në vitet ’80 drejt Gjermanisë – nuk i kanë humbur.

Kështu dëshmon një fotografi e vitit 2014. Astrit Haraqija, një ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, shfaqet në shoqërinë e Qazim Osmanit, të arrestuar të mërkurën nga EUROPOL-i bashkë me tre vëllezërit e tij.

Fotografia, e realizuar në një jahtë në Budva të Malit të Zi, e shfaq ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bashkë me Qazim Osmanin dhe dikur të dashurën e tij, modelen serbe Manda Popoviq.

Ish-ministri i Kulturës, dyshohet se ka lidhje miqësore me vëllezërit Osmani. Ata, njësoj sikurse Harqija, e kanë origjinën nga Gjakova.

Për lidhjet e tij me Qazim Osmanin, ish-funksionari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte folur rreth tri vite pas fotografimit në shoqërinë e Osmanit dhe të dashurës së tij në jahtën e Budvas, shkruan Paparaci.

Ai, kishte pranuar shoqërinë me Osmanin dhe qëndrimin në jahtë. Në një prononcim ish-ministri kishte thënë se jahta nuk i takonte më Qazim Osmanit.

Një raportim i gazetës kroate, Nacional.hr, për Bashkim Osmanin, vëllain e Qazim Osmanit, e përshkruan atë si një biznesmen që ka krijuar shumë njohje dhe e ka zgjeruar ndikimin në politikë.

Sipas Nacional.hr, Bashkim Osmani për një kohë ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës. Por, në raportimin e gazetës kroate nuk përmenden emra ministrash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat