Lidhja biznesore e Petrit Kllokoqit me Bekim Osmanin, të dyshuarin për trafik droge

Aktuale

Lidhja biznesore e Petrit Kllokoqit me Bekim Osmanin, të dyshuarin për trafik droge

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 16:20
Petrit Kllokoqi dhe Bekim Osmani

Bekim Osmani, vëllai i Bashkim Osmanit, i cili u prangos të martën në Kroaci nën dyshimin për trafikim të drogës, kishte përvetësuar aksionet e restorantit “Bagolina” Sh.P.K. Ky biznes menaxhon me tri njësi lokalesh gastronomie në Prishtinë. 

Njëri nga katër vëllezërit Osmani nga rrethi i Gjakovës, biznesi i dyshuar i të cilëve u godit nga një operacion i madh i Europolit, ka shtrirë veprimtarinë e tij biznesore edhe në Kosovë.

Bekim Osmani, vëllai i Bashkim Osmanit, i cili u prangos të martën në Kroaci nën dyshimin për trafikim të drogës, kishte përvetësuar aksionet e restorantit “Bagolina” Sh.P.K..

“Bagolina” Sh.P.K., një biznes gastronomie me seli në Prishtinë, ishte themeluar më 9 korrik të vitit 2020 nga Petrit Kllokoqi, një afarist me zë në kryeqytet dhe udhëheqës i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Firma private, që sot figuron në bashkëpronësi të Kllokoqit dhe firmës private “BGC” Sh.P.K., menaxhon me tri njësi lokalesh gastronomie në Prishtinë.

Më 15 tetor, 2020, Bekim Osmani ishte bërë zyrtarisht pronar i “Bagolina” Sh.P.K., ka zbuluar Paparaci. Pronësinë e restorantit, ai e kishte bartur nga Kllokoqi, tregon historiku i biznesit pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Sipas të dhënave zyrtare, Bekim Osmani kishte hequr dorë nga pronësia mbi “Bagolinën” gjashtë muaj më vonë, më 12 prill, 2021.

Në ARBK, Bekim Osmani figuron bashkë-pronar edhe në ProBet Sh.P.K, një kompani të basteve. Biznesi figuron ende aktiv, ndonëse veprimtaria e basteve në Kosovë është e ndaluar me ligj.

Në Kosovë, vëllezërit Osmani njihen si miliarderë të famshëm. Prej vitesh jetojnë në Gjermani, ku kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane.

Paratë raportohet se i kanë investuar në ndërtim, shitblerje pronash, lojëra fati, ndërsa në mediat shqiptare janë prezantuar si biznesmenë të fuqishëm, raportoi sot Lapsi.al bazuar në mediat e huaja.

Por orët e fundit, në mediat evropiane, vëllezërit Osmani janë përmendur si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës e drejtuar nga shqiptarët, emrat e të cilëve janë zbuluar të enjten.

Operacioni i Europol i pagëzuar “Shqiponja e Zezë” e kapi Bashkim Osmanin në Kroaci. Pas pak ditësh, ai pritet të ekstradohet në Spanjë.

Vëllezërit Qazim (me nofkën Feliks), Burim, Bekim dhe Bashkim Osmani u mposhtën nga operacioni “Shqiponja e zezë”, i ekzekutuar nga komanda e Karabinierëve të Pratos dhe Departamenti i Hetimeve Anti-Mafia i Firences, shkruajnë mediat e huaja.

Bashkim Osmani, vëllai i Bekim Osmanit, kishte rrëfyer më 2007 lidhjet e tij me ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve, Astrit Haraqija.

Gazeta kroate e përshkruan Bashkim Osmanin si një biznesmen që ka krijuar shumë njohje dhe e ka zgjeruar ndikimin në politikë. Sipas Nacional.hr, Osmani për një kohë kishte shërbyer si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës.

Bëhet fjalë për ish-ministrin Astrit Haraqija, një njeri të afërt të Ibrahim Rugovës, i cili në një deklarim të premten, e pranoi se është këshilluar nga Bashkim Osmani.

“Po e vërtet ka qenë. Unë, edhe sot i falënderohem për gjithë ato porta që ai i ka hapur në Këshillin e Sigurisë ose OKB-në, në Uashington, organizata sportive në Evropë”, pohoi ish-ministri.

Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane (EUROPOL), të martën ka vënë në pranga Bashkim Osmanin, vëllain e Qazimit.

Siç raportoi gazeta kroate Jutarnji List, Osmani u kap në Kroaci.

Ai, para hetuesve policorë mohoi të ketë lidhje me trafikimin e drogës.

“Më shumë se 30 vjet që merrem me afarizëm legal, kam një shtëpi në Palma de Mallorca, prej nga erdha të shtunën, më 12 shkurt, nëpërmjet Londrës dhe Italisë për në Kroaci, dhe kisha një biletë të rezervuar për t’u kthyer të dielën, më 20 shkurt. Nuk e kam problem, të më dorëzojnë në duart e autoriteteve spanjolle, nuk kam lidhje me atë për çfarë më ngarkojnë”, tha Bashkim Osmani.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.

Qazim Osmani, i cili drejton një rrjet të kazinove në Evropë, bashkë me vëllezërit e tij, Bashkimin, Burimin dhe Bekimin, prej vitesh jetojnë në Gjermani. Atje kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane.

Në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat