A dezertoi në luftë Ramush Haradinaj?! / Pse Tahir Zemaj akuzohej për tradhtar dhe kërkohej të vritej!

Aktuale

A dezertoi në luftë Ramush Haradinaj?! / Pse Tahir Zemaj akuzohej për tradhtar dhe kërkohej të vritej!

Nga: Idriz Morina Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 20:09
Foto ilustrim: Kolonel Tahir Zemaj dhe Ramush Haradinaj

Në verën e vitit 1998 u zhvillua një nga betejat më të jashtëzakonshme të luftës në Kosovë.

Ushtria serbe humbi në një ballafaqim të drejtpërdrejtë nga forcat e rregullta shqiptare, dhe e alarmuar u tërhoq, duke deklaruar se tashmë shqiptarët kishin formacione të rregullta ushtarake.

Me 5 korrik 1998 forcat serbe e kishin pushtuar fshatin Loxhë, ndërsa njësisë territoriale të UÇK-së në këtë fshat, nën komandën e Shaban Shalës, nuk kishin mundur t’ju rezistonin.

Beteja u zhvillua me 6 korrik 1998 në fshatin Loxhë të Pejës, dhe nga kjo e mori emrin, Beteja e Loxhës, si një betejë historike, që i bëri krenar shqiptarët, se në një përplasje direkte forcash të organizuara, dolën ngadhnjimtar.

Beteja është zhvilluar menjëherë, pasi forcat serbe e kishin pushtuar fshatin Loxhë, me 6 korrik, ndërsa do të përballeshin me njësitë operative të UÇK-së, që komandoheshin nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me ministër Ahmet Krasniqin, që ishte edhe komandant i Shtabit të Përgjithshë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, dhe që për komandant suprem e njihnin presidentin Ibrahim Rugova.

Dëshmi

Sipas dëshmisë, të botuar edhe në pjesë në formë ditari nga majori Nazif Ramabaja, intervenimi në fshatin Loxhë është bërë nga njësiti i përzgjedhur nga majori Tahir Zemaj (atëherë atë titull e kishte), me gjithsej 34 ushtarë, së bashku me 3 eprorë ushtarak, Nazif Ramabajën udhëheqës i operacionit, Faruk Xhemajlin dhe Esat Ademajn.

Forcat serbe kishin lënë mbi 30 të vdekur, policë dhe ushtarë.

Ndërsa, nga forcat e rregullta shqiptare ranë, dëshmorë Rrustem Bruçi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, dhe tre veta ishin plagosur.

Për herë të parë pas 22 vitesh publikisht suksesin e kësaj beteje, dhe meritat e udhëheqësit të saj, Zemajt, i kishte pohuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj, jo rrallë kishte pohuar se kishte marrë pjesë në këtë betejë, por në fakt kjo nuk kishte ndodhur. Ai sipas dëshmive të Ramabajës dhe të tjerëve kurrë nuk kishte shkelur atje, përveç se kur ishte nisur t’ju dilte në ndihmë UÇK-së, kur Serbia kishte dërguar një numër të jashtëzakonshëm forcash, me qëllim që ta ripushtonte Loxhën. Por, as këtë herë, nuk kishte hyrë në Loxhë, përveç se kishte bërë përpjekje deri në afërsi. Ai ishte takuar në Zllopek me një epror ushtarak, në orët e pasdites më 15 gusht.

Tërheqja në Shqipëri – propaganda mizore

Pas përfundimit të operacionit, ku sipas Tahir Zemajt, për shkak të domosdoshmërisë së ruajtjes së jetëve, ishte urdhëruar nga komandanti i përgjithshëm Ahmet Krasniqi, që të tërhiqej me njësitë nën komandën e tij, dhe që të shmangte luftimet me forcat serbe.

“Përpara se të tërhiqesha kam pasë lëshuar një komunikatë nga terreni ku kam shpejeguar arsyet e largimit tonë për t’i shpëtuar nga masakrimi 50-60 mijë njerëz”, ka deklaruar në librin kushtuar Tahir Zemajt, “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Sipas dëshmisë së tij, ai kishte pritur kalimin e të gjithë vartësve të tij në Shqipëri, përpara se të shkonte vet me shoqëruesit e fundit.

“Rrjedhimisht, kam pritur aty me truprojet e mia, me mjeken e spitalit ushtarak Shehrije Sadriaj dhe zëvendësin tim Nazif Ramabaja. Kur jam informuar nga Shtabi Suprem se të gjithë eprorët dhe shumica dërmuese e ushtarëve kanë kaluar në Shqipëri kam vendosur të largohem edhe vetë bashkë me ata njerëz që përmenda”, kishte deklaruar Zemaj.

Ai thotë se në Shqipëri ishte futur me ndihmën e Ramiz Muriçit dhe disa të tjerëve. “Kemi arritur ta kalojmë kufirin dhe të hyjmë në Shqipëri ku jemi pritur nga Agim Mehmeti dhe Hilmi Nebihu. Ka pasur një çast vërtet shumë emocional nga takimi im me zotni Ahmet Krasniqin.

Fillimisht u shpreh se ndjehej tepër i lumtur që po më shihte edhe një herë: “Të kam urdhëruar të futeshe në mes të zjarrit pa pasur mundësi të të ndihmoj !”, më tha. Këto fjalë ma kanë zbutur zemërimin. Në fakt isha përgatitur t’i “vërsulesha”, t’i thosha “po si komandant… e kështu e ashtu”.

Tahir Zemaj këtu dëshmon se si dikush ishte përgjegjës në Qeverinë e Kosovës, për mosmbajtje të premtimeve, por edhe se pengesat të mëdha ishin bërë nga Qeveria e Shqipërisë.

“Premtimet nuk qenë realizuar, unë u kisha thënë qytetarëve të Kosovës se shumë shpejtë “ne do t’i shndërronim kuajt në kamiona dhe se ndihmat nuk do të ndaleshin”. Menjëherë kemi filluar analizën e tërë veprimtarisë që kishim bërë deri në ato çaste”, dëshmonte Zemaj, për autorët e librit, Arbër Ahmeti dhe Sefedin Krasniqi.

Sulm ndaj ministrit Krasniqi

Zemaj rrëfen edhe një detaj interesant, ku vetë ministri Krasniqi, si kuptohet nga teksti i kishte rrëfyer për një ngjarje, ku për pak kishte mundur të ndodhte një katastrofë, pasi ishin sulmuar nga një bandë plaçkitësish, në Koman të Shqipërisë.

“U informova për të gjitha problemet që kishin ndodhur që nga ngjarja e Komanit, ku Ahmet Krasniqi bashkë me një pjesë të Shtabit Suprem ndeshën në një grup banditësh që i kishin plaçkitur, më informuan për grabitjen që i ishte bërë zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes, për presionet dhe çarmatimin e tij, bastisjet, tentimet për t’i arrestuar, bllokimin e furnizimeve me armatim etj.”, rrëfente Zemaj.

Sipas tij, në një mënyrë ministri Krasniqi, ua la amanet Shtabit të ushtrisë, që të kujdeseshin për jetën e Tahir Zemajt.

“Aty ai ka e thirrur Shefin e Sigurimit të Shtabit Suprem dhe i ka thënë: “Shikoni, mua mund të më ndodhë gjithçka, veç kini kujdes që Komandant Tahir Zemës të mos i ndodhë asgjë”.

Pra, ministri Krasniqi kishte konsideratë të veçantë për Tahir Zemajn, të cilin kishte vendosur ta gradonte. Nga grada nënkolonel, me vendim të ministrit ai do të bëhej, kolonel.

Vetë Tahir Zemaj e përshkruan kështu klimën politike, përkatësisht propagandën e egër që po bëhej ndaj tij dhe strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kundër nesh kishte filluar një histeri shpifjesh nga më të egrat, nga më të paparashikueshmet. Veçanërisht propaganda negative ndaj meje kishte marrë përpjestime të çuditshme.

Çdo gabim i joni, sado i vogël dhe periferik, paraqitej si krim dhe tradhti e madhe kombëtare. Momentalisht ato sulme qenë të drejtuara ndaj meje”.

Zemaj, flet se kjo propagandë, ishte veçse vazhdim, i kurtheve, ngatërresave dhe intrigave që u bëheshin trupave të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Në atë analizë kam kuptuar se pse nuk kishte ardhur armatimi, se ku e kishin bazën ngatërresat, incidentet dhe kurthet e ndyra që na kurdiseshin.

Ishin po ai grup njerëzish që kishim takuar në Kosovë, që bashkë me Qeverinë Shqiptare kishin bllokuar, minuar gjithë përpjekjet tona për të formuar një ushtri profesioniste dhe të suksesshme në luftën kundër serbëve”.

Po atë ditë, Shtabi Suprem dhe ministria e Mbrojtjes kanë lexuar dekretin e dekorimit dhe të gradimit për mua dhe shumë eprorë dhe luftëtare të njësive tona, për kontributin që kishim dhënë gjatë asaj periudhe që kemi vepruar në Kosovë. Kam shprehur dëshirën që të hanim një darkë së bashku me të gjithë oficerët e Stabit Suprem dhe me zotni Krasniqin po ashtu edhe me oficerët që kishin qenë në luftë.

Damkosjet për të arsyetuar atentatin

Dy ditë pas kthimit të Tahir Zemajt, më 21 shtator do të vritej në Tiranë, ministri Krasniqi, i cili e kishte kthyer një darkë për ushtarakët, në shenjë suksesi për fitoren në Betejën e Loxhës.

“I damkosur” se po tradhtonte, dhe mbështeste tradhtinë, do të ekzekutohej Ahmet Krasniqi.

Pas më shumë se katër viteve edhe vetë Tahir Zemaj, por në Kosovën e çliruar, sikurse edhe dhjetëra mbështetës dhe figura të LDK-së.

Por, pse Ramush Haradinaj nuk u damkos kurrë, dhe asnjë komandant që vepronte në organizmin tjetër të UÇK-së, të udhëhequr nga e majta me shtabin në Rogner? Pse kurrë nuk u godit askush nga ata, për tërheqjen nga lufta, apo si thoshin ata, ‘tërheqje taktike’!?

Sipas shumë pohuesve, dhe madje, disa informacioneve të botuara vite më parë, Ramush Haradinaj në verën e vitit ‘98, në shtator kishte arritur në Shqipëri, para se Tahir Zemaj të shkonte me 19 shtator 1998.

Nëse atë largim mund ta quaj të pasaktë Ramushi, është i pademantueshëm, fakti se në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, ai doli në Shqipëri, pa mundur të rezistonte më brenda Kosovës.

Ramush Haradinaj dy herë kishte pranuar të bënte luftë nën komandën e Tahir Zemajt, njëherë si zëvendës i tij, por që të dyja marrëveshjet ishin prishur nga SHIK-u, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat