​Të enjten debati për dialogun, opozita kritikon Qeverinë Kurti

Aktuale

​Të enjten debati për dialogun, opozita kritikon Qeverinë Kurti

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 13:15
Kryesia e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të enjten në seancën e rregullt plenare. Mes pikave të shumta të rendit të ditës do të jetë edhe debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Për këtë proces, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK adresuan kritika ndaj Qeverisë Kurti për mos transparencë në dialogun me Serbinë dhe i kërkuan qartësim të strategjisë për dialogun. Ndërkohë, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje nuk pranuan të komentojnë takimin e nesërm në Bruksel të zëvendëskryeministrit Besnik Bilsimi me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të informuar të zgjedhurit e popullit.

Tahiri: Qeveria e Kosovës është shumë jo transparente në procesin e dialogut

“Dialogun me Serbinë nuk duhet ta shohim si një agjendë për përplasje tona politike ditore. Mirëpo qeveria e Kosovës është shumë jo transparente në këtë proces. Sot ne si deputetë dhe qytetarët pak dina për angazhimin e qeverisë në këtë drejtim. Andaj po e them edhe një herë se unë nuk mund të flas për draftin e mundshëm të një marrëveshje të cilin nuk e kemi pa. Do të shohim të ardhmen nëse Qeveria do të ndaj diçka me deputetët e Kuvendit para se të ndodhin takime të tilla”, tha ai.

Qartësim më të madh në raport me dialogun kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Është tepër me rëndësi që në këtë fazë të qartësohen gjërat për dialogun

“Është tepër me rëndësi që në këtë fazë të qartësohen gjërat, strategjia dhe qasja që e ka Kosova karshi këtij dialogu. Për neve është me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër që nënkupton përmbylljen e një procesi tepër të gjerë, pasi nuk shihet se ka pas përfitim Kosova dhe duke arritur një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që do të jetë njohja reciproke”, deklaroi ai.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila nuk pranoi të komentojë takimin e nesërm në Bruksel të dy kryenegociatorëve, kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kusari-Lila: Sa i përket takimit të nesërm nuk dua të paragjykojë asgjë

“Sa i përket takimit të nesërm nuk dua të paragjykojë asgjë, besoj se zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi është adresa për pyetjet konkrete lidhur me takimin e nesërm”, tha ajo.

Tre shefat e grupeve parlamentare patën qëndrime të kundërta edhe për rezolutat e mëhershme për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Mazhoranca i quajti të skaduara në vetë veti, ndërsa dy opozitarët kërkuan miratimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat