​Pak gra në vendin e punës, kërkohet shtimi i qendrave të kujdesit për fëmijë

Aktuale

​Pak gra në vendin e punës, kërkohet shtimi i qendrave të kujdesit për fëmijë

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 15:38
Foto nga takimi

Mungesa e qendrave të kujdesit për fëmijë po bënë që gratë të mos kenë mundësi të jenë në tregun e punës për shkak të kohës që duhet t’u kushtojnë fëmijëve të tyre. Kështu u tha në kuadër të diskutimit “Qendrat e kujdesit për fëmijë në Kosovë”, të organizuar nga Instituti Riinvest.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani tha që gratë duhet të kenë më shumë të drejta të përfaqësimeve, pasi që edhe qëllimi i institutit është pikërisht ky.

Sipas tij, roli i grave në ekonomi dhe shoqëri është joproporcional, pavarësisht asaj se gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë në Kosovë.

Hashani: Pak gra në vendin e punës shkaku i mungesës së qendrave të kujdesit

Këndi nga i cili ne jemi nisur lidhur me këtë çështje, është se mungesa e opsioneve të përballueshme në kujdesin e çerdheve dhe kujdesi ditor, pengon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Edhe pse gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, roli i tyre në ekonomi dhe shoqëri është joproporcional... Temat që i kemi trajtuar kanë trajtuar çështje si Ligji i punës, i cili siç e dini edhe pse synimet i ka pasur fisnike, i njëjti ka krijuar pabarazi në projekt të punës dhe dispoprocionalisht ka frenuar pjesëmarrjen e grave në treg të punës. Tema tjetër që kemi trajtuar ka të bëjë me mosprezencën e grave në ato profile të cilat kanë gjasa më të mira në tregun e punës, dhe jo për nga rëndësia gratë si ndërmarrëse përfaqësojnë një numër të vogël të pronarëve të bizneseve në Kosovë, dhe pengesat me të cilat ato përballen”, tha ai.

Hashani tha se është inkurajuese që Qeveria e Kosovës ka marrë zotimin për të trajtuar këtë çështje, porse shtoi se buxheti ka ende nevojë të rritet.

Ai bëri të ditur se synojnë të krijojnë një platformë që të ketë një trajtim shumëdimensional.

Ministrja e Arsimit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha se rekomandimet e institutit Riinvest, tashmë veç janë pjesë e planeve të dikasterit që e udhëheq.

Sipas saj, këto diskutime kanë rëndësi dhe ndikim në shoqëri, pasi që Kosova përballet me një përfshirje më të ulët në edukimin e hershëm, si për shkak të vetëdijes dhe mungesës së institucioneve.

Nagavci: Kosova përballet ende me një përfshirje shumë të ulët të shkollimit të hershëm

Për fat të keq në Kosovë akoma përballemi me një përfshirje shumë të ulët të shkollimit të hershëm, e të cilat janë të disa natyrave, duke përfshirë nga numri i vogël i institucioneve që mundësojnë edukimin e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe vetëdijes për mundësi të edukimit të hershëm”, tha Nagavci.

Sipas saj, përfshirja e fëmijëve në edukimin parafillor (5-6 vjeç) po mbetet më e mirë sesa ata në edukim të hershëm (0-5 vjeç).

Derisa u fol për Projektligjin e edukimit të hershëm, Nagavci tha se janë ndarë 5 milionë euro për fëmijët në edukimin e hershëm, dhe se Projektligji do të jetë për tri javë në Qeveri e pastaj do të kalojë edhe në Kuvend, ndërsa plani strategjik i arsimit sipas saj do të finalizohet deri në muajin mars.

Nagavci: Kemi ndarë 5 milionë euro për edukimin në fëmijërinë e hershme

Edukimi i hershëm është paraqitur si prioritet i qeverive edhe në politikat e parapara. Shifrat këtu tregojnë që nuk ka pasur një investim të mirëfilltë në këtë drejtim. Sipas statistikave, aktualisht vetëm 19.9% e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç në nivel vendi janë të përfshirë në edukimin e hershëm, shifrat mbesin shumë të vogla tek edukimi në moshën 0-5 vjeç, ku vetëm 6.7% e fëmijëve në nivel të vendit janë përfshirë në edukimin e hershëm, ndërsa qëndrojnë pak më mirë sa i përket edukimit parafillor përfshirja e fëmijëve në moshën 5-6 vjeç, është 88.1%... Edukimi i hershëm ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të një vendi...(28:34) Jemi në finalizim të Projektligjit për edukim të hershëm... (29:08) Projektligji do të jetë për tri javë, e pastaj do të votohet në Qeveri dhe pastaj kalon në Kuvend... Ky plan strategjik i arsimit është në finalizim... Në ligjin e buxhetit për vitin 2022 ne tashmë kemi ndarë 5 milionë euro për edukimin në fëmijërinë e hershme” tha ministrja.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili tha se shkollimi parashkollor ka rëndësi edhe për zhvillimin ekonomik pasi që sipas tij, kjo jep efekte te fëmijët dhe prindërit.

Zogaj: Shkollimi parashkollor ka rëndësi edhe për zhvillimin ekonomik

“Kjo është një nga temat që e kemi me prioritet të lartë në Komunën e Prishtinës, i kemi jep rëndësi shumë të madhe në planin që kemi prezantuar edhe gjatë kampanjës qe ne udhëheqim. Edhe pse jemi në dy muajt e parë të punës, kemi filluar të zhvillojmë shumë çështje, e një nga to është edhe kjo që po diskutojmë sot... Shkollimi parashkollor jep efekte të jashtëzakonshme për zhvillimin e fëmijëve, zhvillimin shoqërorë dhe në shumë drejtime. E para jep efektet tek fëmijët, e kjo është shumë e rëndësishme, e pastaj jep efekte edhe tek prindërit. Sepse i liron prindërit për të qenë më produktiv dhe për të marrë pjesë në tregun e punës. Në rastin e Kosovës e liron nënën, e liron gruan në mënyrë që ajo të jetë pjesë e tregut të punës”, tha Zogaj.

Ndërsa Tringë Shkodra nga Instituti Riinvest bëri prezantimin e pozicionimit të këtij institucioni për qendrën e kujdesit për fëmijët në Kosovë.

Ajo foli për edukimin në fëmijërinë e hershme, ndikimin tek fëmijët, ndikimin në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, dhe modelet e rekomandimet për këto çështje.

Siç tha ajo, në vitin 2021, vetëm 6.7% e fëmijëve kanë ndjekur programet parashkollore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat