​KESCO jep sqarime për kalkulimin e rrymës për këtë muaj

Aktuale

​KESCO jep sqarime për kalkulimin e rrymës për këtë muaj

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

KESCO njofton që nga e premtja (18 shkurt) ka filluar me leximin e rregullt të gjendjes së konsumit për muajin shkurt dhe respektivisht dërgimin e faturave të reja. Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se shpenzimi është llogaritur dhe ndarë para datës 9 shkurt (çmimi i vjetër) dhe nga data 9 shkurt (tarifat e reja).

Sipas KESCO, dizajni i faturës i aprovuar nga ZRRE, i është përshtatur nevojave të faturimit sipas ndryshimeve të strukturës së re tarifore. Derisa ka dhënë sqarime për rubrikën “Neto” dhe “Totali i faturës”.

Konsumatorët në rubrikën ‘Neto’ e kanë të paraqitur shpenzimin total. Megjithatë, për shkak se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më datën 9 shkurt dhe pjesa e shpenzuar para datës 9 shkurt llogaritet me tarifat e vjetra, në rubrikën ‘Totali i faturës’ paraqitet obligimi që konsumatorët e kanë për pagesë dhe e njëjta është më e ulët sesa vlera e paraqitur te rubrika ‘Neto’”, sqaron KESCO.

Bëhet e ditur se diferenca në mes “Neto” dhe “Totali i faturës” është pikërisht si rezultat i llogaritjes së konsumit me tarifa të vjetra para datës 9 shkurt dhe njehsimit nga zero i bllokut nga data 9 shkurt pavarësisht shpenzimit që konsumatorët kanë bërë deri më datën 9 shkurt. Kjo diferencë është shpjeguar në pjesën e poshtme të faturës, në formë tekstuale (të shkruar), përfshirë edhe ditët për të cilat janë aplikuar tarifat e vjetra.

KESCO deklaron se në faturat e ardhshme llogaritja do të jetë shumë më e thjeshtë dhe meqenëse i tërë muaji do të bëhet sipas tarifave të reja, vlerat ndërmjet rubrikave “Neto+TVSh” dhe “Totali i faturës” do të jenë të barabarta.

Për ta bërë sa më të lehtë leximin e faturës dhe logjikën e kalkulimit, në ueb-faqen e KESCO-s është integruar forma e kalkulimit ku konsumatori do të vendosë të dhënat, me ç’rast do t’i gjenerohet kalkulimi në detaje i faturës së fundit duke përfshirë ndarjen e kilovatëve para dhe pas 9 shkurtit, kalkulimi i secilit kilovatë me çmimin përkatës, si dhe shuma e kilovatëve të faturuar në bllokun me tarifa të ngritura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat