Murati takoi homologen e tij të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, pajtohen për ndarjen e praktikave për Fondin Sovran

Aktuale

Murati takoi homologen e tij të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, pajtohen për ndarjen e praktikave për Fondin Sovran

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 19:44
Foto nga takimi

Gjatë vizitës së tij në Luksemburg, ministri Hekuran Murati takoi homologen e tij, ministren e Financave të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Yuriku Backes, bëhet e ditur në një komunikatë për medie.

Murati e uroi Backes për marrjen e detyrës së Ministres së Financave, dhe e falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Luksemburgut në rrugën e Kosovës drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

“Gjatë takimit, ministrat diskutuan për situatën aktuale në Kosovë, ku ministri Murati theksoi se pas normalizimit të situatës me pandeminë, objektiv kryesor i Ministrisë mbeten projektet zhvillimore dhe përmirësimi i ambientit të biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Për këtë, ministri Murati, përmes ministres Backes, ftoi edhe një herë bizneset e Luksemburgut të shqyrtojnë mundësitë për investime në Kosovë, ku edhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Odën e Biznesit në Luksemburg”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se theks i veçantë u vë edhe në diskutimin rreth Fondit Sovran, i cili synon të ndihmojë krijimin e një ekonomie të qëndrueshme të bazuar në barazi sociale. Marrë parasysh që Luksemburgu ka një përvojë mjaft të suksesshme në këtë fushë, palët u pajtuan në ndarjen e praktikave më të mira lidhur me Fondin Sovran.

Së fundmi, të dy palët ishin të një qëndrimi që të thellohet bashkëpunimi mes të dy vendeve partnere në fushën e investimeve të huaja direkte dhe shkëmbimeve tregtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat