Hoxhaj beson se Kosova është e sigurt meqë rrethohet nga shtetet anëtare të NATO-s

Aktuale

Hoxhaj beson se Kosova është e sigurt meqë rrethohet nga shtetet anëtare të NATO-s

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 00:20
Enver Hoxhaj

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin, është në anën e gabuar të historisë dhe se sanksionet amerikane, evropiane e ato të botës perëndimore aq shumë do ta dërmojnë ekonominë ruse, saqë pas disa muajsh do të shihet që këtë betejë do ta fitojë Perëndimi dhe do ta humbë Rusia.

Hoxhaj u shpreh se pasojat nga synimi i Putinit do të jenë marramendëse dhe se Evropa nuk guxon të dorëzohet në situata të tilla.

“Nëse Rusia do të jetë agresive, ne nuk duhet të jemi naivë, se edhe Serbia do të jete agresive. Nëse Rusia merr goditje të mirëfilltë, jam i sigurt që nuk do të ketë pasoja direkte, por aktualisht e dëmton Kosovën e Ballkanin, meqë jemi shtete të vogla. Nëse vërtet ka një pushtim të mirëfilltë të Ukrainës, ky është një proces që mund të zgjasë politikisht e që mund t’i marrë Evropës 7-8 vjet derisa të përmbyllet përmes diplomacisë”.

Sipas Hoxhajt, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës do të duhej të dalë me një platformë të qartë se si të qaset Kosova në raport me situatën në Ukrainë dhe kjo kornizë e veprimit të jetë pastaj e orientimit ditor për çdo situatë, e cila mund të ndodhë në raport me Kosovën.

Megjithatë, ai beson se Kosova është e sigurt meqë rrethohet nga shtete që janë anëtare të NATO-s.

“Mund të ketë përpjekje që të destabilizohet situata nga ana e Serbisë, e nga rusët që të përdorin institucionet e sigurisë në Serbi dhe vetë të bëjnë përpjekje për të krijuar situata të kërcënimit të sigurisë në Kosovë dhe Bosnje, por mendoj që Ballkani është më se i sigurt sepse Bullgaria e Rumania janë pjesë të NATO-s dhe Kosova rrethohet me shtete anëtare të NATO-s, si Maqedonia e Shqipëria, dhe për fat KFOR-i është këtu dhe e kemi bazën e Bondsteelit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat