Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

Aktuale

Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 06:33
Mbledhja e Qeverisë

(E plotësuar 14:34) - Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, atë për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në këtë mënyrë janë adresuar disa prej çështjeve që kanë qenë në vazhdimësi problem për ministrinë, Shërbimin Korrektues dhe disa prej kërkesave nga vet të burgosurit.

Ekzekutivi gjithashtu ka proceduar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Për këtë, Haxhiu ka thënë se ka për qëllim edhe eliminimin procedurave burokratike që kanë qenë pengesë për qytetarët në të dy anët e kufirit.

Haxhiu: Marrëveshja me Shqipërinë u garanton qytetarëve të dy shteteve mbrojtje të njëjtë juridike

“Kjo marrëveshje garanton shtetasve të dyja palëve mbrojtje të njëjtë juridike dhe qasje të lirë pranë gjykatave, po ashtu përjashton dokumentet nga legalizimi i tyre nëse ato janë legalizuar ta zëmë në Kosovë nuk kanë nevojë të legalizohen në Shqipëri, po ashtu ndihma juridike dhe lirimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa në projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, nga qeveria është thënë se janë trajtuar lirimi i parakohshëm, lirimi me kusht, pezullimi i ekzekutimit të dënimit, paneli për lirim me kusht, trajtimi shëndetësor si dhe është bërë përpjekje për të trajtuar dhe adresuar tema të tjera me rëndësi të veçantë.

Haxhiu: Kemi hartuar draftet që fuqizojnë institucionet e rëndësishme të drejtësisë

“Aktualisht Ekzekutimi i Sanksioneve Penale, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës rregullohen me një ligj të veçantë atë për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe kjo ka paraqitur pengesa të vazhdueshme në implementim, dhe me qëllim të fuqizimit të Shërbimit Sprovues të Kosovës por edhe atij korrektues, i kemi hartuar draftet e veçanta që rregullojnë statusin e veçantë të tyre, pra që i fuqizojnë në radhë të parë ato por edhe stafin që punojnë në këto institucione të rëndësishme”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se përmes projektligjeve kanë adresuar edhe disa prej çështjeve që sipas saj kanë qenë problem për ministrinë, Shërbimin Korrektues dhe të burgosurit.

Haxhiu: Përmes projektligjit kemi adresuar shumë probleme

“Është paraparë përshkallëzimi i lirimit të mëhershëm të dënimit, do të thotë deri në tre, gjashtë apo nëntë muaj, sepse aktualisht kjo e drejtë mund të bëhet vetëm për tre muaj pavarësisht lartësisë së dënimit. Po ashtu është paraparë zgjerimi i pezullimit të dënimit edhe për rastet e sëmundjeve të pashërueshme ku i burgosuri mund të qëndrojë në shtëpi apo edhe në spital e gjithashtu janë rikthyer ditët e pushimit vjetor për personat e dënuar të cilët janë të angazhuar në punë nga shtatë sa i kanë aktualisht në 14”, ka thënë ajo.

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe propozimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për të ndarë mjete buxhetore në shumën prej 3.5 milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për pesë masa të cilat përfshijnë rikthimin në punë të personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetja e të punësuarve të formalizuar, mbështetjen punësimit të grave, Trajnimi dhe punësimi në TI dhe Mbështetja për familjet që kanë humbur kryefamiljarin.

Qeveria po ashtu ka ndarë 100 mijë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetje të kulturës dhe sportit.

Ndërsa, me vendim të veçantë është autorizuar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve që të aprovojë transferet nga nënprogrami i Shpenzimeve të Paparashikuara për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën prej 40 mijë euro.

Gjithashtu ekzekutivi ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme private, të cilat preken nga ndërtimi i “Shiritit për Rreshtim” për hyrje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në zonën Kadastrale të Komunës së Prishtinës.

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për pagesën e autorëve të teksteve të lëndëve nacionale në gjuhën turke dhe boshnjake ku vlera e ndarë është 78 mijë euro.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për rishikimin e Planit të Reagimit Kombëtar të Republikës së Kosovës.

***

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se institucionet e Kosovës ndajnë të njëjtin qëndrim sa i përket zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ku ka theksuar se qytetarët me dy shtetësi do të mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse. Haxhiu ka thënë se Serbisë nuk i bëhet vonë për të drejtën e qytetarëve por që e njëjta ka pretendime territoriale ndaj Republikës se Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë ka kujtuar rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës ku është ndaluar organizimi i referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës për çka ka thënë se është e rëndësishme të respektohet Kushtetua e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi.

“Të gjithë jemi në dijeni që Serbia ka pretendime për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë sepse ajo perëndime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Serbisë nuk i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.

"Qeveria jonë por edhe Kuvendi ka nxjerr rezolutë ka ndaluar mbajtjen e referendumit, është e rëndësishme të respektojë kushtetutën dhe legjislacioni në fuqi. Qytetarët që kanë dy shtetësi të votojnë përmes zyrës ndërlidhëse apo me postë. Nuk ka diçka tjetër në ketë drejtim”, ka shtuar Haxhiu.

Konferenca pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij së shpejti do të dalë me propozimin për nivelin e pagës minimale.

Në hyrje të mbledhjes së Qeverisë ai ka thënë se rritja e pagës minimale do të bëhet me qëllim që njerëzve t’u mundësohet jetë më e dinjitetshme.

Ka thënë se me projektligjin e përgatitur do të evitohen pasiguritë ligjore ekzistuese.

Sa i përket punësimit, Kurti ka thënë se sot ka marrë vendim që obligon administratën shtetërore që sivjet të plotësojë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Paga minimale në vend ka kohë që është 130 deri 170 euro.

Ministria e Financave është në finalizim të projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur. Sindikatat kërkojnë që rritja të bëhet në pragun prej 350 eurove, teksa Qeveria nuk ka përmendur një shumë të tillë. Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.

***

Vazhdohen masat emergjente për energjinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Ekonomisë që masat emergjente për furnizimin me energji të zgjaten edhe për 30 ditë.

Sipas kësaj Ministrie, gjendja me energji është përmirësuar nga siç ishte më parë, por për shkak të sigurisë me furnizim, këto masa duhet të vazhdohen.

Ndër masat emergjente ka qenë ndalimi i mihjes së kriptovaluteve, vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në kuadër të kësaj mase, është themeluar Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë. Ky Komitet ka detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Emërohen kandidatët e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Qeveria ka përcjellë në Kuvend emrat e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Emrat e propozuar për anëtarë të KRPP-së janë Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit.

“Sot, do të parashtrojmë për shqyrtim dhe miratim propozim vendimin për t’i propozuar Kuvendit dy kanddidatë për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik e që punëtorëve pa dallim nga sektori ku punojnë t’u mundësohet jetë e dinjitetshme. E kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt përmbushjes së një tjetri zotimi e që është rritja e pagës minimale”, tha tutje Kurti.

Kurti merr vendim për punësimin e personave me aftësi të kufizuara në administratën shtetërore

Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që organet e administratës shtetërore duhet të plotësojnë kuotën për punësim të personave me aftësi të kufizuara.

Kurti, në mbledhjen e qeverisë, tha se ky vendim ka hyrë në fuqi sot.

“Lidhur me punësimin sot kam marrë vendim që obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë koutën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Poashtu organet e administratës obligohen që të ndërmarrin veprime për të siguruar qasjen në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara në pajtim me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Vendimi ka hyrë në fuqi sot, ndërsa angazhimi jonë i përbashkët në përmbushje të këtij obligimi vazhdon çdo ditë”.

Qeveria ndan 10 milionë euro për rritjen e rezervave shtetërore

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, që rezervat shtetërore të përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike si masa 3.8.

Sipas Murati, kjo po bëhet për shkak të luhatjes së çmimeve në tregjet globale.

Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës ka përcjellë në Kuvend emrat e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky organ është tepër i rëndësishëm.

Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat e propozuar për dy anëtarë të KRPP-së.

Sipas kryeministrit Kurti, të dy kandidatët i plotësojnë kriteret.

***

Fjala hyrëse e Kurtit para mbledhjes së Qeverisë.

Mblidhet Qeveria

Qeveria e Kosovës sot mban mbledhjen e radhës.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja nis në orën 10:00.

Detajet se çfarë do të diskutohet nuk janë bërë të ditura.

Kujtojmë që kriza e Ukrainës është diskutuar gjatë ditës së djeshme në seancë e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat