​Opozita kërkon që projektligji për Byronë Shtetërore të dërgohet në Komision të Venecias

Aktuale

​Opozita kërkon që projektligji për Byronë Shtetërore të dërgohet në Komision të Venecias

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 12:06
Kuvendi i Kosovës

Opozita ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që Projektligji për Byronë Shtetërore të dërgohet në Komisionin e Venecias. Sipas tyre, pushteti po synon të themelojë një autoritet politik që qëllim ka për të “qëruar hesapet politike në Kosovë”. Veç tjerash, partitë opozitare kanë deklaruar se projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme cenon Kushtetutën e Kosovës.

Gjatë shqyrtimit të parë të këtij projektligji nga organi më i lartë legjislativ, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili ka folur edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje u ka rekomanduar deputetëve miratimin në parim të këtij projektligji.

Sipas tij, me miratimin e këtij ligji do të merr fund tendenca për ta shfrytëzuar postin zyrtar dhe për tu pasuruar kundërligjshëm.

Rrustemi: Projektligji ka për qëllim të verifikojë hendekun mes pasurisë dhe të hyrave të ligjshme

“(Porjektligji) Ka për qëllim të verifikojë hendekun në mes të pasurisë dhe të hyrave të ligjshme të zyrtarëve publik, personave të ekspozuar politikisht dhe familjarëve të tyre si dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme kur ke parasysh politikat e buta ndëshkuese ndaj veprave penale dhe korrupsionit. Po e theksoj nga rastet e veprave penale të korrupsionit, 70 përqind të rasteve dënohen me gjobë ose me kusht, ndërkaq vetëm 15 përqind prej tyre me burg efektiv e një pjesë e madhe parashkruhen. Në aspektin shoqëror, ky projektligj synon t’i përgjigjet një fenomeni që ka gërryer pasurinë publike përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare për një kohë të gjatë”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka kërkuar konsensusin e pozitës dhe opozitës për miratimin e këtij projektligji. Rrustemi tha se themelimi i byrosë nënkupton kthimin e integritetit profesional, kthimin e vlerës së posteve shtetërore ku në fokus janë përkushtimi e përgjegjësia, e jo abuzimi.

Rrustemi: Procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga viti 2008

“Sipas projektligjit procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij”, ka shtuar ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u shpreh i gatshëm që për të dhe partinë që drejton, të fillojnë hetimet për verifikim të pasurisë.

Abdixhiku: Ofroj veten vullnetar për verifikim të pasurisë

“Më lejoni që sot këtu, unë fillimisht si kryetar i LDK-së të ofroj vetën vullnetar për verifikim të pasurisë e bashkë me mua edhe i gjithë GP i LDK-së. I gjithë grupi dhe unë e çdo zyrtar ofrohemi vullnetar që ky verifikim të nis nga ne. Dhe shpresoj që i njëjti shembull të ndiqet nga pushteti dhe grupet parlamentare të tjera”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka pasur vërejtje për projektligjin që u është dorëzuar deputetëve.

Abixhiku nuk është pajtuar që ky autoritet të udhëhiqet vetëm nga një drejtor, meqë kompetenca të tilla nuk parasheh as Kushtetuta e vendit. Për këtë ka kërkuar që të dërgohet për komente edhe në Komisionin e Venecias.

Abdixhiku: Kjo bëhet mjet potencial i qërimeve të hesapeve

“Një njeri që zgjidhet nga shumica politike, nuk ka si të mos jetë politik. E kur është politik, nuk ka si të mos jetë i cenueshëm dhe pavarësia e tij të jetë e cenueshme. Kjo varësi në një temë kaq të rëndësishme, sikurse drejtësia, bëhet mjet potencial i persekutimit politik, bëhet mjet potencial i qërimeve të hesapeve brenda spektrit politik në Kosovë. Ai bëhet edhe më i rrezikshëm kur një qeveri ka qëllime jo të mira. As ky kryeministër sot, as dikush nesër, nuk duhet të ketë një fuqi të tillë. Në një vend demokratik nuk duhet tu lejojë partive në pushtet përcaktimin e drejtësisë me kaq shumë masë e të koncentruar në vetëm një njeri. Kjo byro sipas mendimit tonë në formën që është paraqitur tani në ligj, as është e pavarur as nuk synon të jetë e pavarur. Në këtë pikë ne kërkojmë një gjë, që ky ligj të dërgohet në Komisionin e Venecias”, ka deklaruar Abdixhiku.

Më tej, ai tha se projektligji ka përplasje me Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai deklaroi se do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Sipas tij, ky projektligj cenon tetë nga nenet e Kushtetutës së Kosovës.

Tahiri: Cenohet kapitulli i dytë i Kushtetutës

“E para, cenohet kapitulli i dytë i Kushtetutës, mbrojtja e pronës dhe e drejta në pronë, si një prej të drejtave fundamentale. Kjo për shkak se Byro shtrinë kompetencat e veta deri në nivelin e cenimit arbitrar të pronës përmes propozimit të masave të përkohshme dhe pamundësimit të qasjes së qytetarëve në pronat e tyre. E dyta, cenohet neni 3 dhe 24 i Kushtetutës, apo pabarazia para ligjit. Kjo për shkak se fushëveprimi i Byrosë përfshin subjekte që nuk janë në procedura penale. Ndërsa, liron nga fushëveprimi persona që janë në procedurë penale. Pra, amniston kriminelë të cilët nuk janë subjekt i procedurës penale”, ka deklaruar ai.

Ai nuk është pajtuar as me përcaktimin e periudhës për hetimin e pasurisë prej vitit 2008, meqë tha se një gjë e tillë duhet të bëhet prej nga paslufta.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se kjo bie ndesh me kushtetutën.

Tahiri: Ka kundërshtime serioze me praktikat bashkëkohore të ligjbërjes

“Ka kundërshtime serioze me praktikat bashkëkohore të ligjbërjes dhe shkel parimet universale në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe në të njëjtën kohë bien ndesh me hetimin dhe detyrat që kanë institucionet tjera në shtet, duke përfshirë institucionin e prokurorisë dhe gjykatat. Si propozues, Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji ka tentuar që të njëjtën ta zbatoj në mënyrë retroaktive dhe atë duke u kthyer 14 vjet prapa, që nga viti 2008. Pyetja fundamentale është, a kemi pasur ne qeveri prej 2001, kur kanë qenë zgjedhjet? A kemi pasur menaxhim prej asaj kohe, a kemi pasur privatizim prej asaj kohe, a kemi pasur tenderë prej asaj kohe? A kemi pasur kryeministra, e kryetar parlamenti a presidentë prej asaj kohe? Do të thotë ata nuk paskan qenë zyrtar publik, po zyrtarët publik po niskan prej vitit 2008. Në aspektin retroaktiv bie ndesh me kushtetutën dhe fatkeqësisht do të rrëzohet, do të jetë problem që të bëhet kjo”, u shpreh Tahiri.

Tahiri tha se do e votojnë në parim projektligjin, por me kërkesë që të dërgohet në Komisionin e Venecias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat