Qeveria mban mbledhjen e 63-të, merr tri vendime

Aktuale

Qeveria mban mbledhjen e 63-të, merr tri vendime

Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 19:24
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhjen e 63-të, ku edhe ka marrë tri vendime.

Përmes njoftimit, është bërë e ditur se është plotësuar “Programi Legjislativ i Qeverisë së Kosovës për vitin 2022” duke shtuar Projektligjin për Anti-Doping, vendim i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, janë shfuqizuar edhe disa pika të vendimeve të Qeverisë me të cilin obligoheshin Ndërmarrjet Puvlike Qendrore të krijojnë sistem të mirëfilltë të menaxhimit të kontratave komerciale.

“Pikat e shfuqizuara parashihnin që asnjë Ndërmarrje Publike Qendrore nuk mund të lidhte kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjës nëse kontrata përmban klauzolë për zbatimin e së drejtës së huaj dhe detyrim të Ndërmarrjes Publike Qendrore për të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar, nëse dënimi ose dëmshpërblimi tejkalon shumën prej 5.000,00 € (pesë mije euro). Në kohën kur Qeveria e mëparshme kishte marrë këtë vendim, Ndërmarrjet Publike ndodheshin në rrezik të vazhdueshëm të krizave financiare si pasojë e humbjes së rasteve nëpër gjykata për shkak të nënshkrimit të kontratave të pafavorshme komerciale nga ana e menaxhmentit të tyre”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Tutje, Qeveria ka miratuar edhe nismën për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat