Spahiu: Serbia do të mundohet ta mbajë një këmbë në Perëndim e një në Rusi

Aktuale

Spahiu: Serbia do të mundohet ta mbajë një këmbë në Perëndim e një në Rusi

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 19:30
Nexhmedin Spahiu

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se në situatën ku Rusia e vetme po e pushton Ukrainën e cila po mbështetet nga ShBA-ja dhe një pjesë e madhe e vendeve demokratike Serbia do të përpiqet të mbështesë të dyja palët.

“Shteti i Serbisë që nga viti 1844 mban një politikë që është një këmbë në Perëndim dhe një këmbë në Rusi dhe politika e jashtme e Serbisë nuk ka lëvizur nga ky kurs asnjëherë në këto 180 vite, madje edhe në kohën kur shtetin serb, përkatësisht Jugosllavinë, e udhëhiqte kroati Tito. Është mëse e kuptueshme që Serbia mban një kurs mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ky kurs do të vazhdojë deri kur do të mund të ekzistojë shteti serb”.

“Serbia do të mundohet që të mbahet me të dyja anët, që është një pozicion që e ka mbajtur gjatë gjithë historisë së saj. Kjo nuk është një gjë e re”, ka deklaruar ai.

Në fakt ky edhe doli të jetë qëndrimi i Serbisë, meqë vetëm pak çaste më vonë presidenti Aleksandar Vuçiq në një adresim për media tha se e mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, por duke shtuar se nuk është koha për sanksione ndaj Rusisë.

Spahiu ka folur edhe për sanksionet e rënda që po vijnë drejt Rusisë nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe shumica e vendeve perëndimore duke thënë se të njëjtat vetëm mund ta lodhin, por jo edhe gjunjëzojnë shtetin që drejtohet nga Vladimir Putin.

“Sanksionet mund ta dëmtojnë një shtet sado i fuqishëm që mund të jetë, por nuk mund ta gjunjëzojnë. Serbia gjatë gjithë dekadës së fundit të shekullit 20-të ka qenë e ekspozuar ndaj sanksioneve shumë më të rrepta sesa ato që i janë vendosur Rusisë nga një pjesë e botës, madje Serbisë i është vendosur bllokadë nga e gjitha bota dhe jo vetëm nga një pjesë e botës siç është tani rasti me Rusinë. Megjithatë kjo nuk e pengoi Serbinë që të bënte luftëra, gjenocid në Bosnje, të vriste 30 mijë veta në Kroaci dhe ta bënte luftën në Kosovë. Bombardimi i Beogradit e gjunjëzoi Serbinë dhe jo bllokadat ekonomike të cilat kanë shërbyer vetëm sa për ta lodhur atë”.

Analisti Spahiu deklaroi se nëse në këtë luftë do të dalë fituese Ukraina atëherë ky do të jetë fundi i Vladimir Putinit.

“Sigurisht që nëse luftën mes Rusisë dhe Ukrainës e fiton Ukraina ky do të jetë fundi i Putinit dhe kjo është një gjë shumë e qartë. Pikëpyetja qëndron në atë se kush do ta fitojë këtë luftë dhe në çdo luftë pa marrë parasysh epërsisë së njërës palë apo tjetrës ka shumë faktorë të tjerë të cilët përcaktojnë fituesin e luftës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat