Takimi i pestë i grupeve punuese për targat, Lajçak: Është treguar përparim dhe mirëkuptim

Aktuale

Takimi i pestë i grupeve punuese për targat, Lajçak: Është treguar përparim dhe mirëkuptim

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 20:50
Lajçak

Grupet punuese për targat i Republikës së Kosovës dhe të Serbisë janë takuar sot sërish në Bruksel, në kërkim të një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje.

Në takimin e pestë të grupeve punuese për targat, sipas Emisarit Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është treguar përparim dhe mirëkuptim për opsionet që janë prezantuar në takim.

“Sot në Bruksel është mbajtur takimi i pestë i Grupit Punues për targa me ekspertë nga Kosova dhe Serbia. Ekspertët kanë treguar përparim dhe mirëkuptim për të gjitha opsionet ekzistuese që u janë paraqitur. I inkurajoj ata që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive”, ka shkruar Lajçak, në një postim në Twitter.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse (stickersave), në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.

Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese.

Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.

Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.

Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.

Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat