Dugolli: S’ka rrezik në Kosovë, sanksionet ndaj Rusisë i vendosëm krahas aleatëve tanë

Aktuale

Dugolli: S’ka rrezik në Kosovë, sanksionet ndaj Rusisë i vendosëm krahas aleatëve tanë

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 23:42
Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, vlerëson se nga sulmet ruse në Ukrainë nuk ka rrezik në Kosovë.

“Situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik në Kosovë”.

Dugolli, në “Edicionin Special”, deklaroi se sanksionet e Kosovës ndaj Rusisë nuk kanë ndonjë efekt madhor, por se këto janë marrë krahas vendeve aleate.

“Kosova është një shtet i vogël në krahasim me shtetet tjera në Evropë e në veçanti në krahasim me Rusinë. Por, përcaktimi ynë që t’i bashkohemi shteteve demokratike është vullnet politik dhe përcaktim i drejtë. Efektet e sanksioneve të Kosovës të vendosur ndaj Rusisë nuk janë të nivelit të lartë, pasi Kosova nuk importon shumë nga Rusia. Kosova me këtë zbatim të vendimit të qeverisë i bashkohet aleancës së shteteve demokratike dhe kjo është e rëndësishme”, tha Dugolli.

Tutje, Dugolli, thotë se në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kërkojnë trupa shtesë – pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie.

“Republika e Kosovës ka shpreh vullnet të ndjek përcaktimin e vendeve demokratike kundër Rusisë. Kapacitetet e Kosovës janë të limitime sa i përket sigurisë pasi ne ende jemi duke ndërtuar një forcë, mirëpo me kapacitetet që ka krahas aleatëve tanë ne jemi të gatshëm dhe shprehim gatishmërinë tonë të jemi kudo që ata e konsiderojnë ndihmën tonë sado modeste”.

“Në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt kemi qenë me ShBA-në dhe kemi treguar që jemi të aftë të marrim pjesë kudo me kapacitetet që kemi”, u shpreh Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat