Pas invazionit rus në Ukrainë, Mehaj kërkon bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

Aktuale

Pas invazionit rus në Ukrainë, Mehaj kërkon bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

Më: 27 shkurt 2022 Në ora: 16:40
Armend Mehaj

Pas ngjarjeve në Ukrainë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka kërkuar nga vendet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.

Mehaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës, kërkojmë nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes thotë se Kosova është dëshmuar në mbrojtje të vlerave euroatlantike.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj”.

“Aleatë tanë, edhe ju vende, anëtare të NATO-s, që hezitoni në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, mos hezitoni më!”

Mehaj thotë se kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët.

“Kosova dhe populli i saj, në këtë kohë, të sfidës së përbashkët, si gjithmonë, qëndrojmë fuqishëm së bashku me ju në anën e duhur të historisë”.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu ka thënë se ka riadresuar kërkesën ndaj SHBA-së për të pasur një bazë ushtarake të përhershme në Kosovë.

“Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”.

“Ne, së bashku, jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat, kërcënimet dhe rreziqet potenciale, andaj të veprojmë sot që të parandalojmë kundër të keqes së paparashikueshme për rajonin , kontinentin dhe globin edhe nga kjo anë”, ka shkruar tutje Mehaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat