Elbert Krasniqi: Synojmë realizimin e projekteve të përbashkëta me komunat e Malit të Zi

Aktuale

Elbert Krasniqi: Synojmë realizimin e projekteve të përbashkëta me komunat e Malit të Zi

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 12:56
Elbert Krasniqi

Bashkëpunimi në nivelin lokal ndërkufitar, digjitalizimi i shërbimeve komunale dhe projektet e përbashkëta ndërshtetërore në fushën e zhvillimit lokal, ishin temat kryesore në takimin ndërmjet ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres për Administratë Publike, Shoqëri Digjitale dhe Media e cila mbulon edhe Pushtetin Lokal në Malin e Zi, Tamara Srzentiq.

Ministri Krasniqi ka njoftuar për projektet strategjike dhe programet zhvillimore të MAPL-së, të cilat përfshijnë përmirësimin e agjendës legjislative të nivelit lokal, zhvillimin infrastrukturor dhe kapital të komunave, digjitalizimin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve komunale më efikase për qytetarët e Kosovës.

Krasniqi: Synojmë realizimin e projekteve tona të përbashkëta me mbështetje të BE-së

“Është një vizitë dyditore, e cila organizohet me qëllim të vazhdimit të koordinimit tonë, me projektet tona të përbashkëta, të cilat i kemi përmes kontratave të BE-së për zonën kufitare Kosovë-Mali i Zi. Ka një numër të madh të projekteve, të cilat komunat e Dukagjinit dhe komunat e Malit të Zi, të cilat qe shumë vite kanë partneritet. Prandaj, kjo vizitë është një mundësi e mirë që të rrisim bashkëpunimin tonë, të rrisim mundësinë që qytetarët e komunave tona të përfitojnë më shumë. Në këtë vizitë mund të bisedojmë edhe për partneritetet tona të tjera, ka një numër të caktuar të projekteve të identifikuara, për të cilat ne do të fokusohemi”, tha Krasniqi.

Ministri i MAPL-së pas takimit tha po ashtu se janë në fazën e identifikimit të projekteve të reja me Malin e Zi, por nuk tregoi se për cilat prej tyre bëhet fjalë.

Krasniqi: Jemi në fazën e identifikimit të projekteve të reja

“Tani jemi në fazën e identifikimit të projekteve të reja mes komunave të Kosovës përmes një thirrje publike, e derisa të bëhet përzgjedhja profesionale nuk dua të flas. Por, janë disa komuna, të cilat do të përfitojnë në zonën tonë të kufirit me Malin e Zi, dhe projektet të cilat fokusohen drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të qytetarëve në zonën kufitare, mirëpo edhe rritjes së partneritetit ekonomik mes komunave të Kosovës dhe Malit të Zi. Është një mundësi e mirë që ne të kemi partneritet më të mirë, ta zëmë, ne kemi të avancuar regjistrimin e OJQ-ve në mënyrë online ose digjitale, derisa Mali i Zi, është në proces të bërjes së këtij hapi dhe partneritetit për kufirin që është një nga projektet e rëndësishme”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministrja e Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal të Malit të Zi, Tamara Srzentiq nuk mori pjesë në konferencën për media, me arsyetimin se ka pasur të takohet në këtë kohë edhe me zëvendës kryeministren Emilija Rexhepi në Prishtinë.

Ministri Krasniqi ka thënë se nesër së bashku me homologen e tij nga Mali i Zi, do të qëndrojnë në pikën kufitare me këtë shtet, në Pejë, për të parë nga afër implementimin e projekteve mes komunave të Kosovës dhe atyre të Malit të Zi, të financuara nga Zyra e Bashkimit Evropian. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat