​Nagavci: Në Testin PISA duhet të paraqitemi sa më suksesshëm

Aktuale

​Nagavci: Në Testin PISA duhet të paraqitemi sa më suksesshëm

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 21:01
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka zhvilluar një takim me drejtorët e drejtorive të arsimit nëpër komuna, ku ka thënë se u diskutua për përmirësimin e performancës, rezultatet në arsim, plotësimi i zbrazëtirave që janë krijuar nga zhvillimi i mësimit online, bashkëpunimi i shtuar me prindërit dhe partnerët tjerë në fushën e arsimit.

Ajo ka shkruar në Facebook se gjatë këtij takimi kanë adresuar shumë çështje me rëndësi nga fusha e arsimit.

“Biseduam edhe për organizmin e testeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Jemi në vitin kur do të vazhdojë pjesëmarrja në Testin PISA dhe duhet të sigurohemi që të paraqitemi sa më suksesshëm.

Sa u përket vlerësimeve kombëtare, Testit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë u dakorduam që ta bëjmë organizmin më të mirë të mundshëm. Jemi në finalizim të Ligjit për Edukimin e Hershëm, Ligjin për Tekstet Shkollore, finalizimin e PSAK-ut dhe një varg dokumentesh të reja, andaj kontributi i zyrtarëve nëpër komuna është tepër i vlefshëm. Arsimi Profesional është një nga çështjet më prioritare.

Jemi duke punuar intensivisht në këtë drejtim dhe po mendojmë të fillojmë në disa komuna zbatimin e mësimit dual në shkolla sipas sistemit të shteteve gjermanifolëse. Në grantin specifik për vitin 2022 janë alokuar 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore dhe jemi duke punuar për infrastrukturën ligjore për të adresuar këtë problem që ka vite me të cilin ballafaqohen shkollat tona.

3.5 milionë euro janë ndarë për praktikën profesionale të studentëve, andaj dhe duhet të përdoren për qëllimin për të cilin janë alokuar. Kërkova poashtu nga drejtorët që t`i respektojnë saktësisht kriteret për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Diskutuam edhe për investimet kapitale, ku për ndërtimin e çerdheve të reja dhe adaptimin e objekteve të tjera janë ndarë 5 milionë euro.

Po punojmë edhe për riorganizimi e rrjetit të shkollave sa i përket adresumit të dallimeve të mëdha në numër të nxënësve në klasa dhe shkolla si dhe raportit nxënës-mësimdhënës në komuna. Digjitalizimi, është një tjetër fushë shumë e rëndësishme, ku nevoitet një bashkëpunim i shtuar dhe një nga shtyllat e veçanta të parapara edhe në PSAK.

Edhe në këtë forum shpreha falënderimin për zyrtarët e DKA-ve, mësimdhënësit, stafin e shkollave dhe prindërit për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm e sidomos në këtë situatë pandemie, ku bashkë arritëm të menaxhojmë çdo vështirësi dhe të arrimë në fazën ku mësimi po zhvillohet me pjesëmarrje fizike në të gjitha shkollat”, ka shkruar ajo, duke shtuar se rezultatet në arsim përmirësohen me pjesëmarrje aktive e angazhim të plotë të gjitha palëve, andaj dhe bashkëpunimi në mes tyre ka thënë se është i vazhdueshëm e i pandalshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat