“Brenda vitit do të votohet Ligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për personat me aftësi të kufizuar”

Aktuale

“Brenda vitit do të votohet Ligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për personat me aftësi të kufizuar”

Më: 1 mars 2022 Në ora: 15:16
Pamje nga konferenca

Në Ditën Ndërkombëtare “Zero Diskriminim”, është kërkuar qasje e barabartë për personat me aftësi të kufizuara në arsim, transport publik, punësim e shërbime të tjera. Për mbi 200 mijë këta persona, u tha se nuk po respektohet as Ligji Kundër Diskriminimit. Në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit është kërkuar garantim për zbatim të kornizës ligjore. Zyra për Qeverisje të Mirë është zotuar se brenda vitit do të dërgohet në parlament, Ligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për personat me aftësi të kufizuar.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se korniza ligjore e hartuar për parandalimin e diskriminimit nuk është respektuar deri më tani, ku bëri thirrje edhe për respektim të të konventës për drejtat e njeriut. Qelaj në Ditën Ndërkombëtare “Zero Diskriminim” ka bërë edhe hapjen zyrtare të fushatës të këtij viti, që i dedikohet personave me aftësi të kufizuara.

Qelaj: Fushata do të synojë që të dëgjojë personat me aftësi të kufizuara

“Fushata do të synojë ndër tjerash që të dëgjojë personat me aftësi të kufizuara për të siguruar informacion të plot se sa po respektohen të drejtat e tyre, të analizojë zbatimin e ligjeve që janë në fuqi me fokus me qasje në informacion, hapësira publike, arsim, shëndetësi, në punësim dhe shërbime publike. Se sa është plotësuar korniza ligjore dhe a është kjo kornizë gjithëpërfshirëse duke normuar të gjitha të drejtat që duhet t’i gëzojnë personat me aftësi të kufizuar, si e fundit qëllim do të jetë identifikimi i nevojave për plotësimin e legjislacionit, masat dhe politikat që duhet ndryshuar për të garantuar të drejta të barabarta dhe trajtim me dinjitet”, ka thënë Qelaj.

Meral Tejeci Çela nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se shqetësuese mbetet mungesa e qasjes së duhur dhe të pa penguar të personave me aftësi të kufizuara.

Tejeci-Çela: Të njëjtit ballafaqohen me pamjaftueshmëri në shërbime shëndetësore

"Vlerat referente janë afërsisht 144 mijë deri në 270 mijë persona, e cila vlerë është marrë në bazë të treguesit që përfitojnë nga skemat pensionale. Edhe më tutje, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të kenë pengesa lidhur me qasjen në hapësira publike dhe në institucione. Qasje të barabartë në arsim, transport publik dhe shërbime të tjera. Po ashtu edhe shërbimet shëndetësore dhe rehabilituese lënë për të dëshiruar, edhe më tutje e konsiderojmë të pamjaftueshme. Sa i përket të drejtave dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara, gjendja po ashtu qëndron përafërsisht e njëjtë. Të njëjtit vazhdojnë të ballafaqohen me pamjaftueshmërinë e shërbimeve shëndetësore, mungesën e barnave nga lista esenciale. Ndërkaq, ndërprerja e terapive psiko-sociale gjatë kohës së pandemisë ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tyre”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se për ta parandaluar diskriminim duhet që të ketë mobilizim institucional në gjitha nivelet e vendit.

Hajredini: Presim që brenda këtij viti ky ligj të miratohet në qeveri

“Vendimi që ka marrë kryeministri për të obliguar institucionet e vendit për të plotësuar kuotën sa i përket punësimit, sepse është një prej sfidave më të mëdha që jemi ballafaquar për vite të tëra. Do të doja të përmendja edhe Ligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit dhe ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar. Është një dinamikë e madhe e institucioneve, sidomos e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që është duke udhëhequr këtë proces. Dhe presim që gjatë këtij viti ky ligj të miratohet në qeveri dhe të përcillet për parlament”, ka njoftuar Hajredini.

Po ashtu, ai është zotuar edhe të ofrojnë shërbime emergjente për personat e shurdhër.

Edhe anëtari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Alban Bajrami ka potencuar se personat me aftësi të kufizuar po diskriminohen edhe nga vet shteti.

Bajrami: Ligji Kundër Diskriminimit nuk rastis të jetë i përdorur në gjykatat tona

"Ligji Kundër Diskriminimit nuk rastis të jetë i përdorur, gati asnjëherë në gjykatat tona. E që është një fatkeqësi e cila duhet përmendur, sepse mendoj që për t’i ndrequr gabimet duhet fillimisht t’i identifikojmë ato. Nuk mjafton vetëm t’i përmendim ligjet që kemi, por duhet të përmendim se a janë të zbatueshme. Gjithashtu, Ligji për Barazi Gjinore është një ligj i cili deri më tani nuk është përdorur nëpër gjykata dhe se diskriminimet e të gjitha llojeve nuk kanë arritur të marrin dënimin apo masat adekuate të përcaktuara me ligj. Kjo ka shtyrë komisionin që të fillojmë të angazhohemi për ta amandamentuar apo rishkruar në tërësi Ligjin Kundër Diskriminimit dhe Ligjin për Barazi Gjinore”, ka deklaruar Bajrami.

Avokati i Popullit do të shtrijë fushatën në 12 komuna të Kosovës dhe ka për qëllim për të diskutuar me shumë grupe për të drejtat e njeriut për cështjen e diskriminimit dhe barazisë së personave me aftësi të kufizuara.

Kujtojmë se, që nga viti 2018 janë dorëzuar shtatë padi në Gjykatën Themelore në bazë të Ligjit Anti-diskriminim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat