Flet për “Bota Sot” qytetari nga Ukraina: Po i jetoj ditët më të rënda në jetën time

Aktuale

Flet për “Bota Sot” qytetari nga Ukraina: Po i jetoj ditët më të rënda në jetën time

Nga: V.N Më: 1 mars 2022 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Ukraina ka hyrë në ditën e gjashtë të sulmeve nga forcat ruse. Qytetarë të shumtë po largohen, anipse qeveria ka shpallur vendimin që burrave nga mosha 18 deri 60 vjeç i ndalohet largimi nga shteti. Ata duhet të jenë në gjendje gatishmërie për luftë në rast se do i kërkohet.

Për redaksinë e Gazetës “Bota Sot”, ka folur nga Ukraina, Sergey Volkov, i cili është shprehur se situata në rajonin e tij është diçka më e qetë në krahasim me zonat e Kharkivit dhe Kyievit. Ai tha se rajoni i Odessas, ku ai edhe jeton, ka qenë më pak i sulmuar në këto gjashtë ditët e para. 

“Për momentin në Odessa, zona ku unë jetojë, nuk është e sulmuar vazhdimisht sikur Kharkivi. Por kjo nuk do të thotë që ne jemi të privilegjuar nga lufta sepse në çdo moment pritet që të sulmohemi nga forcat ruse”, tha Volkov.

Ai është shprehur se këtë mëngjes u zgjuan nga zhurma e shkaktuar prej dy bombave të hedhura 40 kilometra largë qytetit ku jeton.

“Sot në mëngjes u zgjuam nga zhurmat e bombave të hedhura nga rusët. Pavarësisht se ishin 40 kilometra larg nesh, ajo zhurmë arriti që të ndëgjohet edhe në qytetin tim, e tmerrshme dhe frikësuese”, tha Volkov.

Sergey Volkov jeton në Izmir, një qytezë e vogël që është 150 kilometra larg Odessas. Pozita gjeografike e ka ndihmuar që të mos jetë një prej qyteteve që është sulmuar nga të parat sepse gjindet afër kufirit me Rumaninë dhe Moldavinë.

Ai shprehet se gratë dhe vajzat kanë të drejtë të largohen nga Ukraina, në drejtim të Rumanisë por se meshkujt nga mosha 18 deri 60 vjeç e kanë të ndaluar ta lëshojnë Ukrainën.

“Ne jemi në shtëpi, nuk është se lëvizja është e thjeshtë në këto momente. Burrat e familjes sime jemi mbledhur të gjithë së bashku dhe po qëndrojmë këtu tek shtëpia ime. Ndërsa nënat, gratë dhe vajzat tona janë nisur drejtë Rumanisë”, tha Volkov.

Me një zë të trishtuar Sergej tregon se është duke i përjetuar ditët më të vështira të jetës së tij. Ai lutet që krejtë kjo histori të përfundoj sa më shpejtë dhe me sa më pak viktima./BS/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat