Vllahiu: Çdo proces i Kosovës me organizata ndërkombëtare lidhet me përmbylljen e dialogut

Aktuale

Vllahiu: Çdo proces i Kosovës me organizata ndërkombëtare lidhet me përmbylljen e dialogut

Më: 1 mars 2022 Në ora: 21:54
Arbër Vllahiu

Analisti politik, Arbër Vllahiu, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është një çështje e postimit në Twitter apo në rrjete të tjera sociale.

“Anëtarësimi në NATO ka procedura sikur çdo anëtarësim tjetër në cilëndo prej organizatave të tjera ndërkombëtare, ka procese nëpër të cilat duhet të kalohet dhe ka një strategji nëpër të cilën duhet të fokusohet secila qeveri. Ajo që ne e kemi humbur shansin për vite të tëra është që të jemi pjesë e një partneriteti për paqe me NATO-n që është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë brenda aleancës veri-atlantike”.

“Në botë ka lloj-lloj situata dhe ka edhe kriza në pjesë të tjera të botës dhe nuk është vetëm ajo e Ukrainës. BE-ja, ShBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi nuk kanë qenë kaq të bashkuara në fillimin e krizës së Ukrainës. Bashkimi i tyre ka ndodhur në momentin kur e kanë parë se Ukraina mund të bjerë dhe mund të rrezikohet edhe vet territori evropian, prandaj edhe ndodh një bashkim i tillë dhe një përpjekje për ta shpëtuar Evropën”.

Vllahiu ka deklaruar se Kosova duke u marrë me problemet e brendshme ka harruar të punojë për ta avancuar pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.

“Ajo që ne kemi harruar brenda viteve është që jemi marrë më shumë me vetveten sesa me fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe avancimin e pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ne sot nuk jemi partner serioz për bashkësinë ndërkombëtare për shumë arsye. Bashkësia ndërkombëtare na ka parë në një formë si një vend që ende nuk ka arritur që të maturohet politikisht dhe në aspektin diplomatik dhe të ecë përpara. Kemi disa gjëra që janë të mira si partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare për strehimin e afganëve, strehimi i 20 gazetarëve ukrainas dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me aspektin humanitar, por kjo nuk është çështja kryesore në këtë mes”.

Ai beson se përmbyllja e dialogut me Serbinë hap dyert për Kosovën, ashtu si edhe për Serbinë.

“Problemi jonë është si ta përmbyllim shtetësinë, dhe kjo ndodh duke e hequr qafe Serbinë – jo në kuptimin e luftimit me të, por në kuptimin e përmbylljes së një procesi i cili është stërzgjatur. Çdo proces i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe në raport me organizata ndërkombëtare ka të bëjë me dialogun me Serbinë dhe çdo gjë që lidhet me dialogun dhe përmbyllja e tij na çon përpara. Jo pse Serbia na mban peng neve, por edhe ne e mbajmë peng Serbinë për aq sa Serbia na mban peng neve, pra është një rrugë dykahëshe e cila na lidh të dyja vendet në proceset e ardhshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat