Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin për ta ndihmuar Kosovën drejt integrimit në BE

Aktuale

Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin për ta ndihmuar Kosovën drejt integrimit në BE

Më: 3 mars 2022 Në ora: 06:37
Foto nga takimi

(E plotësuar 12:21) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët e kabinetit, priti sot në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon - Taubadel, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e eurodeputetes von Cramon si një zë i fuqishëm në PE për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së. Ai po ashtu theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.

"Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryetarit Konjufca me eurodeputeten von Cramon”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t'i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike. 

Konjufca pret në takim Von Cramonin

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Von Cramon ishte e shoqëruar nga shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Nuk ka detaje nëse Konjufca dhe Von Cramon do të mbajnë konferencë për media pas takimit.

***

Kryeparlamentari Glauk Konjufca do të takohet sot me raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Kushtë ka bërë të ditur Kuvendi.

Takimi do të mbahet në kabinetin e kryetarit duke filluar nga ora 09:00.

Kuvendi nuk ka dhënë detaje nga temat e diskutimit në këtë takim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat