I biri i dëshmores Salë Jashari tregon se çfarë i tha ajo një natë para sulmit të 5 marsit

Aktuale

I biri i dëshmores Salë Jashari tregon se çfarë i tha ajo një natë para sulmit të 5 marsit

Më: 5 mars 2022 Në ora: 09:09
Sahit Jashari

Këto ishin fjalët e fundit që dëgjoi nga nënë Sala, para sulmit të 5 marsit. Ajo siguronte djalin e saj, Sahitin, që nuk do të dorëzoheshin në luftime para rrethimit të hekurt të agresorit serb. Në oborr të shtëpisë, ku për disa vjet edhe po bënte roje për ushtarët, pas sulmit të vitit 1998 ajo u gjet e masakruar. “Krahu i djathtë” i Adem Jasharit dhe personi që gjeti trupin e Salës, rrëfejnë për KosovaPress sulmet e 5, 6 dhe 7 marsit, të cilat vendosen themelet e historisë së Kosovës.

Ditën e 5 marsit, në Prekaz filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. Personit më të afërt të tij, i cili kohë më parë u plagos gjatë disa aksioneve dhe po trajtohej në Suedi, do t’i mbetet gjithmonë peng që nuk ishte ato ditë në fshatin ku lindi.

Në oborr të shtëpisë, janë ende të pashlyera gjurmët ku iu masakruan nëna, baba e mbi dhjetë anëtarë të tjerë të familjes.

Komandanti i policisë ushtarake në zonën e Drenicës, Sahit Jashari pas kthimit nga Suedia pa pothuajse gjithë lagjen të shuar.

Jashari: Si e kam kuptuar për sulmin, jam nisur për në Kosovë

“Unë me 5, 6 dhe 7 mars kam qenë në Suedi. Edhe krejt këto që kanë ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars i kam përjetuar përmes televizorit. Dhimbja ka qenë, por ka qenë gjë e ditur dhe e pritur me kohë. Nuk kemi qenë të papërgatitur për ato raste që nuk do të ndodhin nesër. Si e kam kuptuar unë me disa shokë menjëherë kemi ardhur dhe e kemi nisur rrugëtimin për Shqipëri. Nuk më kujtohet saktë, 10 apo 11 mars unë kam qenë në Kosovë. Ka qenë 12 apo 13 edhe kam ardhur nëpër mal, e kam vëzhguar krejt lagjen, nuk ka pasur asgjë. Ka qenë një patrullë e policisë, një post-bllok këtu lart. Kanë qenë dy post-blloqe një te shtëpia, një te varrezat e lagjes edhe ka qenë fabrika e municionit komplet e rrethuar”, tha ai.

Ai nuk dinte as për katër fëmijët e tij nëse ishin të gjallë. Jashari rrëfen për bisedën e fundit që kishte me nënën, një natë para sulmeve të 5 marsit.

Jashari: Nuk e kam ditur se ku e kam gruan dhe fëmijët

“80 për qind e kam ditur, por përveç gruan dhe fëmijët nuk e kam ditur se ku i kam, derisa kam ardhur. E kam ditur që kanë shpëtuar, por nuk e kam ditur ku janë. Vëllain e vogël e kam pasur të plagosur, ka qenë në Ticë, i ka ndodhur rasti në Likoshan... Një natë para 5 marsit ka shkuar nëna, e ka parë, ka shkuar Ademi e ka parë edhe kanë folur për luftën, më ka treguar vëllai kur kam ardhur, se kanë bërë shumë post-blloqe, që e kanë rrethuar lagjen gati krejt, veç një pjesë e lagjes ka mbetur pa u rrethuar, pritet nga momenti në moment. Pasi ka ardhur nëna prej vëllait që e ka parë, kam folur në telefon, e ka pasur axha një telefon aso kohe, e kam pyetur. Më tha ‘e pash, mirë është, mos u bë merak, këtu po bëhen shokë më shumë se që kanë qenë’. Këto llafe kanë qenë para 5 marsit”, shprehet ai.

Ai tregon se Salë Jashari përmes telefonit e kishte siguruar se edhe shtëpia e tyre do të mbrohej njëjtë siç po bënte komandanti Adem Jashari.

Jashari: Qysh do të krisë pushka te Ademi, do të krisë pushka edhe te shtëpia jote

“Djali im mos ki gajle thotë ti je plagos edhe vëllai tjetër është plagos, ne ju zëvendësojmë. Qysh ka me kris pushka te Ademi, ka me kris pushka edhe të shtëpia jote. Mos u bëjë merak për atë punë. Edhe unë i thash që nuk e kam atë dyshim”, rrëfen Jashari.

Për ditët më të vështira që vulosen historinë e Kosovës, rrëfen edhe 80-vjeçari Osman Rama. Gjatë tri ditëve të ftohta të marsit, ai tregon se u dëgjuan të gjitha sulmet e agresorit serb edhe në Prekazin e Epërm.

Image
Osman Rama

Rama: Në oborr ka qenë një i vrarë

“Pasi u krye lufta kemi shkuar te Jasharët poshtë. Hajde, thanë, shkojmë te shtëpitë e Sahit Jasharit, shkojmë. Këndej tubë, andej tubë, kur kemi shkuar 10 metra afër policit, asnjë prapa jo. Mu kthye thosha më vrasin, vra për vra kam shkuar drejt ashtu. Ajo turra andej asnjë hiç, kur shkova atje po e shoh në oborr një qebe e mbuluar, një i vrarë aty. Ajo kish qenë nëna e Sahitit, halla Salë... Erdh lajmi hajde, me marr një të vrarë në oborrin e Hamit Jasharit. Thash unë shkoj, e kam hedh kacinë. Polici ma ka dhanë në dorë bashkë me atë kushëririn tim”, rrëfen Rama.

Vitet e pleqërisë e kanë lodhur shumë, por në kujtesën e tij janë të pashlyera pamjet e gjakut në trupin e vrarë e të masakruar të Salë Jasharit.

Rama: Dy gishta i ka pas të këputur

“Kishte qenë në oborr e mbuluat me qebe. Tani kur shkuam ta marrim, e kishin qit në kamion. Kur e kam marrë në dorë e kam shpaluar, ishte Sala. Ajo na ka dhënë bukë, na ka qit çaj, ajo ka ruajt me kallash aty. Kur e quam atje, e kam parë. Tani thanë për ta varrosur nesër. Gishtat e këputur i kishte pas dy, thash gishti kur këputet për së gjalli i qet gjak, ishte bërë bardhë sikur dhjami. Asaj ia kanë prerë gishtat pasi e kanë gjetur të vdekur, të vrarë[...]Një shenjë e kishte pasur në ballë, birë, edhe një në bark. Një xhemper e ka pasur të kaltër, gjak e kishte pasur, e kish rrok plumbin”, shton ai.

“Krahu i djathtë” i komandantit legjendar tregon edhe për aksionet që organizonin bashkë me Ademin.

Jashari: Ademi me një vesh nuk ka dëgjuar mirë

“Ai ka pasur besim shumë të madh në mua. Kur ka pasur raste të veçanta për të shkuar diku në një aksion, ai ka thënë ‘Sahit, hajde ti afër meje’. Ai me njërin vesh nuk ka dëgjuar shumë mirë, me tjetrin ka dëgjuar mirë. 80 për qind e njerëzve këtë nuk e tregojnë. Edhe kur më dëgjonte, thoshte ‘Sahit, çka po flet, çka po thonë’. Mirë, i thosha është puna, se po na vijnë, ‘eh kaq’. Ai ka qenë njeri që sot, në atë kohë nuk na u duk ashtu, por ka qenë një njeri që nuk mund ta përshkruajë askush. Ai nuk e ka ditur çfarë është frika, e dyta kur ka thënë po, është bërë. Edhe pse nuk i ka thënë asnjë shoku jo”, shprehet ai.

24 vjet pas këtij sulmi ku u vranë e u masakruan mbi 50 anëtarë të kësaj lagjeje në Prekaz, ai shprehet i zhgënjyer me shtetin për të cilin luftoi për liri.

Jashari: Po të ishte i gjallë Ademi, nuk do të ishte gjendja si sot

“Ma merr mendja që po të ishte gjallë, nuk do të kishte ndodhur kjo që po ndodhë sot. Çfarë po ndodh me këto parti politike sot, nuk do të kishte ndodhur. Hamza ka qenë më strateg, ka qenë më politikan. Bile, nganjëherë kur nervozohej, thoshte ‘hajt se krejt ahmakë jeni ju, se nëse më vrasin mua, as një guri të varrit nuk dini ta rregulloni, por me ju vra juve ua bëj xhenet”, tha Sahit Jashari.

Sahiti e Osmani kërkojnë drejtësi për gjithë të vrarët e fshatit Prekaz, duke theksuar se ish-udhëheqësit e Kosovës po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

24 vjet më parë, pas sulmit të tretë në familjen Jashari, në datat 5, 6 dhe 7 mars u vranë mbi 50 persona në fshatin Prekaz. Të vetmit që i mbijetuan kësaj masakre ishin Bashkimi dhe Besarta. Vajza e Hamzës, pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat