Krerët e institucioneve: Sakrifica e Jasharajve ka vënë themelet e shtetësisë të Kosovës

Aktuale

Krerët e institucioneve: Sakrifica e Jasharajve ka vënë themelet e shtetësisë të Kosovës

Më: 5 mars 2022 Në ora: 12:38
Rifat Jashari dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar 14:15) - Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vepra heroike e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe sakrifica sublime e gjithë familjes Jashari u vlerësua nga tre krerët e shtetit. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjfuca thanë se Jasharajt janë vlera kombëtare dhe sakrifica e tyre ka vënë themelet e shtetit të Kosovës.

Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani, tha se vepra e familjes Jashari do të mbesë gjithnjë në kujtesën e kombit shqiptar dhe do të ruhen përjetësisht.

Osmani: Vepra heroike e Adem Jasharit ka vënë themelet e shtetit

Image
Vjosa Osmani

“Fatkeqësisht sot kur po e kujtojmë këtë histori, ajo sikur po përsëritet vetëm tek një popull tjetër. Synime të ngjashme, metoda të ngjashme dhe ideologjie e njëjtë. Viktima të njëjta të pafajshme, gra fëmijë dhe pleq të cilët janë të fajshëm, aq sa i quajnë të tillë hegjemonit. Në të tillë situatë u gjend familja Jashari 24 vjet më parë, përballë një hegjemonie të tmerrshme dhe të një regjimi vrastar...Vepra heroike e komandantit të UÇK-së Adem Jasharit dhe sakrifica sublime e gjithë familjes Jashari për liri është ngjarja më e rëndësishme që ka vënë themelet e shtetit dhe do të mbesë gjithnjë në kujtesën e kombit shqiptar dhe do të ruhet aty përjetësisht”, tha ajo.

Në foltoren e Kuvendit, ku ishte vendosur edhe emblema e UÇK-së, kryeministri Albin Kurti përmendi edhe ish udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale.

Ai kërkoi angazhim të përbashkët për t’u mos u lëkundur para provokimeve dhe tentimeve për të ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Kurti: Sot kur po nderojmë luftën e UÇK-së kemi bashkëluftëtarë të Jasharajve që mbahen në burg

Image
Albin Kurti

“Sot duhet të flasim për të kaluarën dhe ta nderojmë atë, sidomos në këto kohëra jo të lehtat që po kalojmë së bashku. Është e pamundur të mos e përmend që në kohën kur ne kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës tonë çlirimtare dhe një prej heroizmave më të pashembullt në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem dhe Hamëz Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë dhe për këtë narrativ që ne kemi ndërtuar me gjak, ndërsa Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra. Duhet të punojmë në mënyrë aktive për të kujtuar atë që ka qenë dhe asnjë moment të mos lëkundemi para provokimeve që po na bëhen si popull. Para tentimeve për ndryshime të vërtetës së luftës. Përtej kësaj sot jemi në linjë me ndodhitë në botë dhe dëshmitarë të luftës në Ukrainë, luftë kjo që secilit prej nesh na përkujton terrorin dhe gjenocidin gjatë luftës së Kosovës, terrorin që na shpërfaq realitetin e hidhur që edhe sot ka okupues që nuk e kanë problem të vrasin civil të pafajshëm dhe mohojnë krimet që kanë bërë”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 5 marsi është akti suprem i lirisë kombëtare të shqiptarëve.

Konjufca: 5 marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare

“5 marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare. Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët që filloi shekulli 20 ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll shekulli 20 ishte çlirimi i Kosovës. E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit të Kosovës pa dyshim është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharajve me në krye komandantin legjendar Adem Jashari. Çlirimi është liri de fakto, kurse pavarësia është liri de jure. Të jesh çlirimtar është të jesh i gatshëm deri në fund brenda të drejtës”, tha ai.

Pjesë e kësaj seance solemne ishte edhe Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari. Me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë paraparë edhe aktivitete të tjera më datë 6 dhe 7 mars.

Image
Kuvendi i Kosovës

***

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në seancën solemne të 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vlerësuar lartë rënien e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes së tij në luftën për liri.

Konjufca bëri të ditur se gjatë këtyre 24 vjetëve me qindra herë ka provuar të shkruaj për 5 marsin, por se sakrifica e Jasharajve është përtej fjalëve..

“Jam përpjekur gjatë këtyre 24 vjetëve deri sot me qindra herë të shkruaja për 5 marsin, por, nuk kam mundur – jo pse s’kam provuar por pse nuk ja kam dalë kurrë. Si do që filloja, nga do që ja nisja, kah do që vazhdoja fjalëve ju ndodhte një ngërç i pashmangshëm, i pashpjegueshëm – një tjetërsim i predestinuar”.

“Asnjë renditje e tyre nuk më bindte që mund të përfshinte të plotë aktin e fjalimit të Jasharajve dhe aty e kuptova që fjalët në të vërtetë janë tokësore e sakrifica e Jasharajve është e përtejme. Në Tokë vlejnë ligjet fizike dhe tekatarëve e 5 marsi i takon një dimensioni tjetër. Asnjë fjalë, asnjë mendim, asnjë shprehje hiç asnjë këngë, kurrë njëfarë arti apo vepre çfarëdo qoftë nuk është e aftë të prek palcën e kësaj sakrifice”.

Tutje, Konjufca tha se rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në dhe se pas 5 marsit i gjithë populli u bë UÇK.

“Deri më 5 mars kemi menduar se heronjtë janë individë, pas 5 marsit dëshmorë u bë krejt populli. Deri më 5 mars çlirimi ishte përpjekje dhe mundësi, pas 5 marsit çlirimi u bë imperativ. Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UCK-në dhe popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që duhet të shpëtohet, por, si më të çmuarën që duhet të jepet”.

“Deri më 5 mars donim të fitonim, pas 5 marsit nuk mund të humbnim më sepse krejt populli u bë UÇK”, tha Konjufca.

Albin Kurti: Lufta jonë ishte çlirimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se familja Jashari, luftën për çlirim e kanë filluar që nga viti 1952, kur ishte arrestuar në demonstratat kryefamiljari Shaban Jashari.

Tutje, Kurti tha se "masakra e Prekazit, u bë kthesë përcaktuese në trajektoren e zhvillimit të luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-99, por njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjes ndërkombëtare dhe të vetëdijes diplomatike botërore”.

“Ne i kemi pasur rrugët me gjak edhe para luftës, ka nisur shumë moti, ka vazhduar me neve. Një pikë e përbashkët këtu bashkë me neve është eskalimi i çdo situate tjetër që na bën ta kujtojmë gjithmonë me pietet gjithmonë datën 5 marsit të Epopesë së UÇK-së”.

“Masakra e Prekazit, e cila u bë kthesë përcaktuese në trajektorën e zhvillimit të luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-99, por njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjës ndërkombëtare dhe të vetëdijes diplomatike botërore”.

“As për familjen Jashari viti 1998 nuk ishte fillimi, ata ishin përgatitur prej shumë gjeneratash, prej kur ishte arrestuar baca Shaban (Jashari) në vitin 1952 nga pushteti i atëhershëm".

Osmani: Pas regjimit të egër që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, filloi rezistenca për liri e Pavarësi

 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nderë të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se sot janë i ka mbledhur krenaria për familjen Jashari dhe heroin kombëtar, Adem Jashari.

Para deputetëve, e para e shtetit, tha se gjatë viteve të 90-ta, heroi kombëtar Adem Jashari filloi rezistencën dhe artikulimin për liri e pavarësi.

“Sot na ka mbledhur krenaria për heroin tonë dhe për familjen Jashari, Na mban të bashkuar dhimbja sublime e një kombi të tërë për familjen Jashari. Jemi mbledhur që ta ripërtërijmë historinë e dhimbshme dhe krenarinë me të cilën jemi ndeshur. Pavarësisht se jemi përballur me padrejtësi të mëdha, e kapërcyem së bashku, breza të tërë e kapërcyen këto sfida. Ai u bë imediatë në fillim vitet 90’”, tha Osmani.

“Në këtë kohë Kosova u përballë me një regjim të egër, i cili synonte shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë, prandaj e filloi rezistencën dhe artikulimin për liri dhe pavarësi”, tha Osmani.

Filloi seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Ganimete Musliu vendos emblemën e UÇK-së në foltoren e Kuvendit

Para fillimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka vendosur emblemën e UÇK-së në foltoren e Kuvendit.

Deputetja opozitare edhe më herët ka vendosur në Kuvend pankarta dhe mbishkrime në mbështetje të ish udhëheqësve të UÇK-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat