​Hoti: Në rrethanat aktuale anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pamundur, ja pse

Aktuale

​Hoti: Në rrethanat aktuale anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pamundur, ja pse

Më: 6 mars 2022 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, krerët e institucioneve të shtetit kanë theksuar se në këtë situatë anëtarësim i Kosovës në NATO është i domosdoshëm dhe Kuvendi ka miratuar një rezolutë përmes së cilës i kërkon Qeverisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për aplikim. Lidhur me këtë, profesioni i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti vlerëson se anëtarësimi me procedurë të përshpejtuar nuk është i mundur, pasi vendi nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s, derisa ekzistojnë mosnjohja e Kosovës nga katër shtete në radhët e aleancës.

Hoti thotë se një kërkesë e tillë e Kosovës do të mund të vihej në konsideratë vetëm nëse do të ndryshonin rregullat e lojës nga fuqitë e mëdha.

Hoti: Në rrethanat aktuale anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pamundur

Image
Afrim Hoti

“Në rrethanat aktuale mendoj që definitivisht është e pamundshme, madje është edhe krejtësisht e paimagjinueshme nisur nga fakti që ne kemi probleme, e para të mosnjohje nga disa vende të BE-së, e dyta probleme të fqinjësisë dhe mungesës së komunikimit, pra që është kriter politik si për NATO-n, ashtu edhe Bashkimin Evropian, dhe është krejtësisht e paimagjinueshme se si një vend që nuk e ka të përmbyllur procesin e dialogut dhe epilogun e mosmarrëveshjes me Serbinë të bëhemi pjesë e BE-së”, thotë Hoti.

Ai thotë se krejt çka mund të bëjë Kosova në këtë situatë, në rast se e zyrtarizon kërkesën për anëtarësim, është fakti që nëse do të hapej ndonjë mundësi shteti do të ishte në agjendë.

Hoti: Nëse ndryshojnë rregullat e lojës, Kosova do të jetë në agjendë për anëtarësim

“Benifiti i Kosovës do të konsistojë me faktin që ne tashmë eventualisht mund të themi që kemi një kërkesë zyrtare për aplikim dhe anëtarësim, dhe në rastin më të mirë, nëse rregullat e lojës do të ndryshoheshin nga akterë të fuqishëm, atëherë të paktën të ishim në agjendë për t’u anëtarësuar”, thotë ai.

Rezolutën e votuar në Kuvendin e Kosovës përmes së cilës i kërkohet Qeverisë që të përgatisë kërkesën për aplikim, Hoti e vlerëson si veprim të mirë politik.

Por ai nuk mbështet veprimet e ministrit të mbrojtjes, i cili ditë më parë ka filluar një fushatë në rrjetet sociale për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Hoti: Rezoluta e Kuvendit është veprim i mirë politik

“Është procedurë ose veprim i mirë i Kuvendit të Kosovës të paktën në kuptimin politik por ajo që duket vërtetë paradoksale dhe nuk duket absolutisht më vend është thirrja për kampanja të caktuara përmes rrjeteve sociale për të ndërmarrë veprime të tilla sepse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk është çështje e rrjeteve sociale, është fund e krye e plotësimit të kushteve dhe kritereve politike dhe juridik”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Kosovë janë bërë më të zëshme thirrjet për anëtarësimin e vendit në NATO.

Sipas politikës së dyerve të hapura të NATO-s, çdo vendim për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime.

E në radhët e NATO-s janë katër shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat