​Bogujevci: Duhet të ndërrojmë mendësinë se si i rrisim vajzat dhe djemtë

Aktuale

​Bogujevci: Duhet të ndërrojmë mendësinë se si i rrisim vajzat dhe djemtë

Më: 8 mars 2022 Në ora: 13:17
Agjencia për Barazi Gjinore

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, ku u tha se gratë në politikë më shumë vlerësohen për veshjen se sa për punën që bëjnë. Me këtë rast, deputete e ministre kanë diskutuar për paragjykimet dhe stigmatizimet që u bëhen grave në Kosovë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se secila grua ka ndjerë në forma të ndryshme diskriminim.

Bogujevci: Gjatë karrierës kam vërejtur elemente ku të shohin si një grua që nuk përkon me kapacitet e tjerëve

“Gjatë karrierës kam vërejtur elemente ku të shohin si një grua apo një vajzë nuk përkon me kapacitet e tjerëve. Me rëndësi është të shohin së pari siç dukesh edhe në bazë të atij vlerësimi, vendosin pastaj edhe si të komunikojnë me ty.... (44:25) Duhet të ndërrojmë mendësinë se si i rrisim vajzat, duhet të ndërrojmë mendësinë edhe si i rrisim djemtë. Që të dy palët të rriten në një shoqëri të barabartë. Gjithherë e vërej që problemi ekziston në mënyrën se si janë rritur, mendësinë që e kanë. Për arsyeje që djemtë zakonisht rriten duke iu shërbyer të gjithë atyre, ndërkaq vajzat rriten duke i mësuar për tu shërbyer të tjerëve”, ka deklaruar Bogujevci.

E zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla derisa ka folur për karrierën e saj politike, u shpreh se mbiemri që mban e ka detyruar që të përfshihet në këtë fushë duke mos u ndikuar nga paragjykimet.

Gërvalla: Vazhdimisht e kam pyetur vetën se a më shumë emri apo kontributi im personal më vendos në atë pozitë

“Menjëherë pas shkuarjes sime në Gjermani për studime në moshën 22-vjeçare, unë jam zgjedhur nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës atje. Dhe vazhdimisht e kam pyetur vetën në këtë moshë të re, a është më shumë emri apo është kontributi im personal ai i cili më vendos në atë pozicion. Sot që kam mbushur 50 vjet, jam e sigurt që asnjë mashkull nuk ia bën vetes këtë pyetje, por thotë ‘unë jam më i zoti, unë jam më i miri, unë e meritoj këtë pozicion’”, ka thënë ajo në këtë panel.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova tha se ende burrat janë paragjykues ndaj grave dhe me sy patriarkalë i shikojnë gratë e fuqishme.

Rugova: Ja si na shohin burrat lider patriarkal

“Komuna e Fushë Kosovës me 8 mars dhuron krem kundër rrudhave për gratë që punojnë në administratën e Fushë Kosovës, krem kundër rrudhave për gratë me e ly fytyrën që burrat mos me ua pa rrudhat. Katastrofë. Komuna e Prishtinës inauguron një skulpturë sot të punuar nga një artist burrë. Ajo skulpturë që sot inaugurohet është fytyra e një gruaje shumë e zymtë dhe me sy të mbyllur, është një skulpturë katastrofë. Se nëse ai ka menduar që Komuna e Prishtinës për 8 mars të bëjë një skulpturë, është dashur të bëhet një skulpturë të një grushti të gruas, ose të një fytyre të fuqishme të gruas e jo të zymta. Ja si na shohin burrat lider patriarkal aktual”, ka thënë ajo.

Sipas saj, për tu thyer këto paragjykime, solidariteti mes grave është shumë i nevojshëm.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Të dy këta janë zotuar se objektiv i tyre strategjik është krijimi i kushteve të barabarta për gratë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat