​Hajdari nuk tregon nëse do të largohet akciza për derivatet: S’kemi bllokadë sa i përket furnizimit me naftë

Aktuale

​Hajdari nuk tregon nëse do të largohet akciza për derivatet: S’kemi bllokadë sa i përket furnizimit me naftë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 12:45
Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka apeluar tek qytetarët se s’ka vend për panikë për furnizim me grurë dhe karburante.

Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Hajdari paralajmëroi kontroll më rigoroz të tregut të karburanteve pas ngritjes së çmimeve, derisa theksoi se disa tregtar nuk po funksionojnë në konkurrencë të shendosh. Megjithatë e la si mundësi të hapur që të ardhmen të diskutohet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante.

Hajdari: Ndoshta të ardhmen do të shprehet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante

“Është rrugë e lirë nga Shqipëria, është rrugë e lirë nga Maqedonia e Veriut, ndoshta javën e kaluar kishte ngadalësim nga Shqipëria, por me autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut jemi siguruar se s’ka vend për t’u shqetësuar dhe manipuluar në treg se s’ka stoqe[...]Jam e njoftuar nga sinjalizuesit se shpesh disa tregtar nuk funksionojnë në konkurrencë të shendosh po kanë marrëveshje të përbashkëta. Unë nuk paragjykoj por këto sinjale po i marr dhe do t’i shikoj me Autoritetin e Konkurrencës[...]Deri më tash kemi diskutuar për marzhën tregtare 2 me 8 dhe kemi diskutuar për rritjen e stoqeve të rezervës shtetërore. Këto dy valë jemi, është diskutuar në tavolinë akciza, por vet naftëtarët janë më shumë të interesuar të shkojmë në marzhën dy me tetë[...]Ndoshta të ardhmen ka me u shpreh nevoja me shqyrtuar TVSh-në dhe akcizën, por tash për tash jemi në këtë valë”, tha ajo.

Ministrja tregoi edhe angazhimin e saj konkret për sigurimin e stoqeve me grurë.

Hajdari: S’ka nevojë për panik, kemi shtete mike ku të marrim grurë

"Nuk e di pse vjen ky panik kur nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve dhe stoqeve. Ndoshta për grurin që Ukraina është një prej shteteve eksportuese, por Kosova nuk ka eksportuar nga Ukraina, nuk lidhet direkt. Kemi shtete mike, si Kroacia, Italia, Bullgaria, Turqia nga ku atje marrim grurë. Jemi në kontakt me MPJD-në, ambasadat dhe ministrat përkatës, homologët anë që bisedojmë. Edhe në qoftë se ata e ndalin eksportin për disa prej produkteve, marrëveshjet ndërministrore ministër-ministër e lejojnë Kosovën të rrisë mundësinë e stoqeve dhe rezervave shtetërore në këtë rast”, shtoi Hajdari.

Në anën tjetër,ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar rifreskimin e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, pas agresionit në Ukrainë dhe krijimin e një fond humanitar për Ukrainën.

Gërvalla: Do të rifreskojmë sanksionet ndaj Rusisë

“Është punë orësh deri sa të dorëzojmë kërkesën për miratim në qeveri të rifreskimit të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse. Jemi duke shqyrtuar opsionin për të miratuar një fond të caktuar për ndihmë humanitare në Ukrainë, përmes një shoqate humanitare nga Kosova e cila do të pajiste njerëzit me nevojë me produkte të Kosovës”, tha ajo.

Kryediplomatja u shpreh optimiste se viti 2022 do të jetë “interesant” për njohjet e reja, derisa, foli edhe për emërimin e ambasadorëve.

Gërvalla: Jam optimiste se viti 2022 do të jetë interesant për njohje të reja

“Momentalisht kanë kaluar në komisionin parlamentar tre ambasadorë politik. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, Maqedoni të Veriut dhe në Norvegji. Këto janë procedurat që janë konifenciale deri në momentin e aprovimit[...] Procesi (për njohje të reja) është i mirë dhe shendosh dhe mua më bënë optimiste se viti 2022 do të jetë interesant edhe në këtë aspekt”, theksoi Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat