Miratimi i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, reagon KPK

Aktuale

Miratimi i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, reagon KPK

Më: 9 mars 2022 Në ora: 17:02
Ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shprehur shqetësimin për miratimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur sot më 9 mars 2022, sipas tyre, pa u njoftuar Këshilli Prokurorial për draftin final, i cili ishte në diskutim të grupit punues.

Kështu ka deklaruar KPK përmes një komunikate për media.

“Opinionin publik se që nga hartimi i Strategjisë për sundimin e ligjit dhe iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e projektligjeve për sistemin prokurorial, edhe pse njëanshëm ishin filluar nga Ministria e Drejtësisë dhe vetëm për sistemin prokurorial, ne, prapëseprapë, së bashku edhe me partnerët ndërkombëtarë kemi dhënë kontribut për të implemnetuar këtë strategji dhe për të hartuar draftin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ka pësuar ndryshime të njëpasnjëshme, duke mos u hartuar parimisht sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, thuhet në komunikatë.

Sipas KPK-së, kjo praktikë tregon se sponsorizuesi i këtij projektligji (MD), “synon të bëjë të kundërtën e reformës”.

“Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokorurial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese. Çdo iniciativë e këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve, bashkëpunimin dhe koordinimin e ndërsjellë, sjellë dështim dhe krijon hapësirë për ndërhyrje të jashtme në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet po aty. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat