​Reçica në Strasburg kërkon qasjen e Kosovës në fondet e BE për tejkalimin e krizës ekonomike

Aktuale

​Reçica në Strasburg kërkon qasjen e Kosovës në fondet e BE për tejkalimin e krizës ekonomike

Më: 9 mars 2022 Në ora: 22:57
Elmi Reçica

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja Elmi Reçica, i cili po merr pjesë në takimet zyrtare në Strasburg në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, po kërkon që BE-ja t’i jep Kosovës mundësi qasjeje në fondet për rimëkëmbje ekonomike, pasi siç thotë ai, Kosova po kalon në një krizë të rëndë me ngritjen e çmimeve.

Reçica ka shkruar në Facebook se në sesionin e diskutimeve që mbahet të enjten, do të flasë për krizën energjetike dhe ndikimin e saj në rimëkëmbjen pas pandemisë, me theks në domosdoshmërinë e qasjes së Kosovës në fondet e BE-së të dedikuara për rimëkëmbjen pas pandemisë dhe përballimin e krizës, veçanërisht në fushën e diversifikimit të burimeve të energjisë, digjitalizimin, eficiencën e energjisë dhe tranzicionin energjetik.

"Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE - Kosovë, sot në Strasburg, në Parlamentin Evropian, hapi punimet e takimit të tetë të tij, me ç’rast pritet të shkëmbehen pikëpamjet për gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky takim është i veçantë duke qenë se po mbahet nën rrethana të një krize ekonomike dhe jo vetëm, e cila e ka kapluar edhe Kosovën. Prandaj, më shumë se kurrë dhe sa më parë na duhet një koordinim dhe bashkëveprim me BE për ballafaqimin me këtë krizë, por edhe tejkalimin e saj", ka shkruar Reçica.

Në fund të punimeve, Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim Bashkimi Evropian – Kosovë pritet të miratojë Deklaratën e Përbashkët me Rekomandime për institucionet ekzekutive të BE-së dhe Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat