Kontesti për borxhin 250 mijë € – dyshime për ndërhyrje nga gjyqtari

Aktuale

Kontesti për borxhin 250 mijë € – dyshime për ndërhyrje nga gjyqtari

Më: 10 mars 2022 Në ora: 16:47
Gazmend Ajvazi

Një kontest gjyqësor për një borxh rreth 250 mijë euro mes dy kompanive private, ka ngritur dyshime për shkelje të kompetencave nga një gjyqtar në Gjilan.

Kompania “Vatani Sh.P.K” ka kërkuar që të iniciohet procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Gazmend Ajvazi, nën arsyetimin se është përfshirë në shkelje të ligjit në një lëndë përmbarimore mes dy kompanive private.

Në pyetje janë rreth 250 mijë euro. Padia u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, e cila paraprakisht i kishte dhënë të drejtë “Bitex Sh.P.K” që të mos e shlyejë një borxh prej 246 mijë eurove që i pretendohet se i detyrohet kompanisë “Vatani Sh.P.K”.

Gjyqtari Ajvazi, i Themelores në Gjilan, i ka dhënë të drejtë kompanisë “Bitex Sh.P.K” për prapësimin e urdhrit përmbarimor, ndonëse Gjykata e Apelit e ka prishur aktvendimin e tij dhe i ka dhënë të drejtë kreditorit.

Paparaci ka siguruar dosjen e plotë të rastit. Vendimet janë marrë përgjatë tri viteve të fundit.

“Vatani Sh.P.K”, si kreditor i propozoi përmbaruesit privat ta lejojë përmbarimin ndaj debitorit “Bitex Sh.P.K”, përmes Urdhrit Përmbarimor të 26 shtatorit, 2018.

Urdhri ndërlidhej me një borxh prej 246,015.25 euro, i cili dëshmohet përmes faturave.

Megjithatë, ndryshe ka vepruar kompania “Bitex Sh.P.K”.

Më 1 tetor, 2018, firma me seli në Fushë Kosovë, ushtroi prapsim ndaj urdhrit të lartcekur, me pretendimin se kreditori me debitorin, në kohën e shitblerjen e mallrave sipas faturave kanë vepruar si shoqëri të ortakërisë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se kreditori dhe debitori asnjëherë nuk kanë folur për ndonjë borxh të pretenduar, por vetëm për shuarje të ortakërisë. Kjo pasi, ata i kanë menaxhuar edhe tri subjekte tjera.

“Të gjitha obligimet që i kanë pasur i kanë transferuar brenda ditës në këto tri subjekte juridike. Ata gjatë ortakërisë kishin blerë edhe prona të paluajtshme, për të cilat duhet të vlerësohen”, vijon vendimi i Gjykatës.

Për këtë arsye, është arritur një pajtim gjyqësor në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas vendimit të gjykatës, më 20 shtator të 2020-s, faturat në të cilat është lejuar Urdhri Përmbarimor janë të rregullta dhe të njëjtat janë pranuar ana e debitorit dhe janë nënshkruar. Kjo tregon se kreditori dhe debitori kanë pasur raport afarist mes veti dhe shuma e borxhit është rezultat i mos-pagesës së faturave.

Ata nuk kanë qenë asnjëherë raport ortakërie. Kjo sipas Gjykatës, mund të vërtetohet në bazë të shënimeve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Ata kanë qenë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe të ndarë si subjekte, juridikisht nga aksionarët.

Gjykata vlerësoi se “prapësimi i përfaqësuesit të debitorit është i pabazuar për shkak se i njëjti nuk përmbush asnjë nga kushtet e parapara”.

Në vendim është bërë e ditur kjo sepse “faturat të cilat janë lëshuar nga kreditori që gjenden në shkresat e lëndët janë të besueshme-titull ekzekutiv”.

Për këtë vendim, “Vatani SH.P.K” kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me aktvendimin e 28 prillit të vitit të kaluar, kishte aprovuar ankesën debitorit dhe lëndën e kishte kthyer për rigjykim dhe rivendosje.

Shkalla e dytë e gjykatës kishte udhëzuar që të hapet seanca dëgjimore për validitetin e prapësimit dhe të merren për bazë të gjitha rrethanat e theksuara nga debitori në procedurë, e me theks të veçantë të “verifikojë autenticitetin e faturave si dokumente të besueshme”.

Apeli kishte vendosur se pretendimet e ankesës së debitorit janë të bazuara dhe se çështja të kthehet në rivlerësim. Kjo për shkak të evitimit dhe paqartësive që lidhen me dokumentet përmbarimore.

Kjo gjykatë ka gjetur se “gjykata e shkallës së parë në mungesë të dëgjimit të palëve ndërgjygjëse në seancë dëgjimore ka dështuar të marr informacionet bazike lidhur me pretendimet dhe kundërshtimet e ndërgjyqësve”.

Kësisoj, sipas Apelit, ajo ka dështuar të vlerësojë drejtë dhe profesionalisht propozimin dhe prapësimin e debitorit në kontekst të fakteve që janë evidente.

Kompania “Vatani” nuk u ndal me kaq. Ajo iu drejtua përsëri Gjykatës Themelore, pas më shumë se një viti. Ushtroi padi ndaj gjyqtarit të rastit.

Kësaj radhe, pretendimet e ndërmarrjes janë se Gazmend Ajvazi, në cilësinë e gjyqtarit të çështjes në këtë lëndë përmbarimore, nuk kishte marr për bazë prapësimin dhe parashtresat e debitorit në këtë procedurë, duke mos caktuar fare seancë publike për të kuptuar plotësisht validitetin e prapësimit.

Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi, ka gjetur se ankesa e personit juridik “Vatani SH.P.K”, është e pabazuar dhe se nuk plotësohen kushtet për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit në fjalë.

“Pretendimet e palës ankuese nuk u mbështetën me asnjë fakt dhe është i paqëndrueshëm konstatimi se gjyqtari i çështjes me veprimet e tij kishte shkelur parimin e barazisë së palëve në procedurë duke mos i trajtuar sipas ligjit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas vendimit, kryetari i gjykatës ka gjetur se nuk është përmbushur asnjëra nga pikat e parapara të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë dhe se ankesa është dukshëm joserioze dhe e pabazuar.

Siç thuhet në aktvendim, pretendimet e palës ankuese nuk u mbështetën me asnjë fakt dhe është i paqëndrueshëm konstatimi se gjyqtari i çështjes me veprimet e tij kishte shkelur parimin e barazisë së palëve në procedurë duke mos i trajtuar sipas ligjit.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, për refuzimin e ankesës së “Vatani SH.P.K” për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Gazmend Ajvazi

Për këtë çështje, mediumi ka kontaktuar me Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe të njëjtit kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë vendimet e gjyqtarit, pasi

Gjykata e Apelit, e ka kompetencën të shqyrtojë vendimin e gjyqtarit, se a ka vendosur drejtë dhe në bazë të ligjit.

“Gjyqtari ka nxjerrë aktvendim në bazë të provave dhe shkresat e lëndës. Gjyqtari është i pavarur dhe është në diskrecionin e tij të vendos për lëndën e vet”, thuhet në përgjigjen nga kjo instancë e drejtësisë.

Mes tjerash, në përgjigje është thënë se kryetari i gjykatës ka gjetur se nuk është përmbushur asnjëra nga pikat e parapara në nenin 5 paragrafi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë.

“Andaj konform nenit 9 paragrafi 6 të po të njëjtit ligj pasi që ka gjetur se ankesa është dukshëm joserioze dhe e pabazuar, ka vendosur si në dispozitiv të këtij aktvendimi, duke e refuzuar si të pabazuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat