Ministri Peci rrëfen tmerrin që kishte përjetuar si 16-vjeçar në masakrën e Tregut të Mitrovicës

Aktuale

Ministri Peci rrëfen tmerrin që kishte përjetuar si 16-vjeçar në masakrën e Tregut të Mitrovicës

Më: 13 mars 2022 Në ora: 22:22
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka kujtuar masakrën e ndodhur 23 vjet më parë në Tregun e Mitrovicës.

Forcat serbe në tregun e mbushur plot njerëz, atë kohë  kishin hedhur minahedhës, me ç’rast të vdekur kanë mbetur gjashtë shqiptarë, duke përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe janë plagosur 128 të tjerë.

Peci, atëherë si 16 vjeçar, e përshkruan tërë ngjarjen për të cilën thotë se e ka të ngulitur në kokë.

“Forcat paramilitare e policore serbe atë ditë nuk ishin aty. Dhe nuk kishte ditë e jo më ditë tregu në Mitrovicë, ku ata nuk ishin prezent. 23 vite më parë, pas përfundimit të stërvitjes ku atëherë si 16-vjeçar kisha ëndrra të mëdha për tu bërë futbollist, vizitova tregun e gjelbërt dhe bleva gjërat e nevojshme për furnizim të familjes”.

“E kam ende të ngulitur në kokë qoftë zhurmën e shpërthimit, qoftë fishkëllimën që granata lëshonte në ardhje e sipër si vetëtimë, të plagosurit në trotuarin e tregut po edhe erën e pluhurit e vrapimet e qytetarëve në treg”, ka thënë ai.

Peci tha se drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e saj për këtë krim dhe se mungesa e policëve atë ditë në treg ishte e qëllimshme.

“Ajo e shtunë do të shndërrohej në Masakrën e Tregut në Mitrovicë për të cilin krim si dhe për masakra të tjera në tërë territorin e Kosovës, drejtësia ndërkombëtare, ende qëndron në heshtje. Mungesa e policëve atë ditë në treg ishte e qëllimshme, sepse vetëm pak sekonda pas shpërthimit, një helikopter u ngrit nga kazerma ushtarake në Bair. Nga ky sulm mbetën të vrarë 7 qytetarë të Republikës së Kosovës e u plagosën qindra të tjerë”, përfundon ai.

Në Mitrovicë çdo vit nga familjarët, përfaqësuesit institucional të komunës dhe qytetarë te tjerë, përkujtohen viktimat e kësaj masakre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat