Përplasjet në Kuvend, Rashid Qalaj e Mimoza Kusari debatojnë ashpër

Aktuale

Përplasjet në Kuvend, Rashid Qalaj e Mimoza Kusari debatojnë ashpër

Më: 15 mars 2022 Në ora: 06:37
Mimoza Kusari Lila

(E plotësuar 20:00) - S’ka kuorum, projektrezoluta e LDK-së nuk hidhet në votim

Projektrezoluta e LDK-së kundër abuzimeve të çmimeve në treg nuk është hedhur në votim sot për shkak të mungesës të deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në sallë.

Kryesuesi i Kuvendit Enver Hoxhaj nga radhët e PDK-së ka thënë se për shkak të mungesës së kuorumit i mbetet tash Kryesisë së Kuvendit të vendosë se kur duhet të hidhet në votim teksti i projektrezolutës.

Paraprakisht tekstin e projektrezolutës në emër të grupit parlamentar të LDK-së e lexoi Hykmete Bajrami.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës, sipas përfundimit të kryesisë së Kuvendit, të datës 15 mars 2022, dhe në dakordim me grupet parlamentare paraqesim këtë rezolutë: 

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të aktivizojë inspektoratin e tregut, kundër abuzimit me çmime. 

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të funksionalizojë sa më shpejt Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe të fillojë hetimet për marrëveshje të mundshme kartelë.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë të përgatisë një pako fiskale, që redukton ose largon tërësisht akcizën dhe zvogëlon TVSH-në për naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm për bujqit, por edhe për qytetarët tanë transportuesit në vend, ndikimi i të cilëve për produkte e shërbime të tjera është tejet i lartë. Që të largojë TVSH-në për produkte bazë të shportës së konsumatorit, që të largojë TVSH-në për transportuesit dhe transportin e udhëtarëve. 

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të përgatisë një pako ekonomike, që t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Nëse nuk ka mjete buxhetore të bëhet rishikimi i buxhetit sa më parë.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovë, i kërkon Qeverisë që të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjatë, në kohë si këto, relacionet ndërkombëtarë janë tejet esenciale, andaj edhe kërkohet bashkëpunimi.

6.Kuvendi i republikës së Kosovës, i kërkon Qeverisë që të ofrojë një plan afatgjatë të papërballueshmerisë”

​Berisha: Qeveria po e vjedh popullin dhe po e varfëron shtetin

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos ndërmarrje të masave adekuate në raport me ngritjen e çmimeve.

Në fjalën e tij në seancën parlamentare mbi ngritjen e çmimeve, deputeti nga radhët e partisë opozitare tha se Qeveria duhet të merr masa në rritjen e rezervave shtetërore në drithëra, artikuj themelor dhe karburante.

Berisha: Qeveria po e vjedh popullin dhe po e varfëron shtetin

“Propozoj që Qeveria e Kosovës të merr masa në rritjen e rezervave shtetërore në drithëra, artikuj themelor dhe karburante duke eliminuar procedurën burokratike... Qeveria menjëherë do të duhej ta largonte TVSH-në për artikujt bazë, dhe ta largojë akcizën për bujqësi dhe prodhimtari, por edhe për ato kompani që janë duke përfunduar punime publike e që tenderët të cilët i kanë marrë tani, i kanë me çmimet ta zëmë të dhjetorit 21 nëse flasim për naftën, dhe me çmimet 22 ato do të falimentojnë dhe nuk do të arrijnë t’i përfundojnë ato punime dhe kjo do të jetë e dëmshme, shumë dimensionalisht. Pra, ato duhet ndihmuar... Mallrat me akcizë dhe TVSH të lartë, Qeverisë i krijon mundësi me propagandua se Qeveria po i rrit të hyrat, kurse e vërteta është se Qeveria po e vjedh popullin dhe po e varfëron shtetin sepse sa më i lartë çmimi i naftës, akciza është më e madhe, sa më i lartë çmimi i vajit, TVSH-ja është më e madhe. Por, në vend që këto të hyra të mëdha të Qeverisë, përkthehen në standard të lartë dhe mirëqenie për qytetarët po ndodh e kundërta. Nga të hyrat e mëdha të Qeverisë, po varfërohet populli dhe po pasurohen qeveritarët. Kjo nuk po bëhet pa qëllim, sepse mallrat me akcizë dhe TVSH-ja e lartë i krijoji Qeverisë mundësi të propagandojë, sepse po rrit të hyrat nga deklasimi i tatimeve dhe taksave”, ka thënë Berisha.

​Hajdari e Musliu përplasen në Kuvend për vajin e konfiskuar

Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit ku po debatohet për ngritjen e çmimeve.

Ministrja Hajdari në fjalën e saj përmendi luftën kundër ekonomisë informale, në kuadër të së cilës ajo tha se janë konfiskuar edhe një sasi e madhe e vajit në kohën kur vendi po përballet me ngritje të madhe të çmimit të këtij artikulli bazik. 

Hajdari: Disa operatorë ekonomikë nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar

“Disa operatorë ekonomikë nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar dhe për ngritjen e çmimeve nuk kanë dokumentuar asnjë arsyetim të bazuar, gjithashtu me zmbrapsjen fillimisht të rafteve dhe me çmim tepër të lartë me mbishkrimin sasia e limituar 4 copë për person. Dyshohet se këta operatorë kanë tentuar të shfrytëzojnë situatën lidhur me krizat botërore dhe dyshohet se kanë tentuar të mbjellin frikë dhe panik të konsumatorët se kinse ky produkt është në mungesë prandaj Inspektorati i tregut në bashkëpunim me Departamentin për hetimin e krimeve ekonomike me Policinë më 10 mars 2022 ka mbyllur përkohësisht dy depo kryesore të dy operatorëve ekonomikë”, ka thënë Hajdari.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka reaguar ndaj deklarimeve të ministres Hajdari lidhur me konfiskimin e vajit pa dokumentacion duke kërkuar më tepër informacion se çfarë ka ndodhur me vajin e konfiskuar dhe të dihej se nga kishte hyrë ai në territorin e Kosovës.

Musliu: Ministre, tregona nga hyri vaji pa dokumentacion në Kosovë?

“Po mos të ishte reagimi i qytetarëve, reagimi i mediave, i opozitës, as që këtë duke i vërejtur si Qeveri ngritjet e çmimeve. E thoni në vazhdimësi që keni mbyllur dy depo, proklamuat për 250.000 litra vaj, që i keni zënë pa dokumentacion, a ka mundësi me na tregu çka keni ndërmarrë ndaj doganave në këtë rast, kah ka hyrë ky vaj, sepse ata nuk e kanë bërë vetë vajin, tregonani se çka keni ndërmarrë ju për të identifikuar problemin në gjenezë, kah ka ardhur vaji pa dokumentacion dhe në fund fare ministre tregona se çka keni bërë me këtë sasi të vajit, sepse qytetarët e Kosovës ende shtrenjtë po e paguajnë vajin, ndoshta për juve është e lehtë të dilni dhe të thurni vargje për çdo detaj dhe të bëni propagandë mbi fatkeqësitë e qytetarëve, por qytetarët janë në hall dhe me mezi që po mbijetojnë këto ditë... tregona ka dhe kur ka hyrë ai vaj në Kosovë që është pa dokumente”, ka thënë Musliu.

Seanca për shtrenjtimin e çmimeve të fundit në Kosovë po vazhdon.

Berisha: Jemi dëshmitarë për rritjen e madhe të çmimeve për shumë produkte elementare në Kosovë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se janë dëshmitarë për rritjen e madhe të çmimeve për shumë produkte elementare në Kosovë.

Berisha, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se vendet e ndryshme në botë kanë marrë masa me kohë pasi një krizë në Ukrainë ishte e paralajmëruar më parë, derisa sipas tij Qeveria e Kosovës asnjë hap nuk ndërmori.

“Kur ne ishim në Qeveri, për tri vite me radhë na keni përmendur shpenzimet e rezervave shtetërore. A mundeni tash të na tregoni çfarë keni bërë ju me rezervat shtetërore. A mund të na tregoni sa tonë grurë keni blerë e magazinuar. Çfarë hapash keni marrë për të bërë kontrata afatgjate për furnizim me derivate apo çfarë masash keni marrë për të siguruar armë e municion në rast të ndonjë konflikti. Unë besoj se nuk keni marrë asnjë hap të tillë”, tha ai.

Berisha thotë se Qeveria aktuale arsyetohet me atë se 20 vite më parë nuk janë marrë këta hapa nga qeveritë e kaluara.

“Përderisa ju nuk e keni bërë për një vit, nuk e bëni as për pjesën tjetër të qeverisjes”, tha Berisha.

-​​Qalaj e Kusari-Lila përplasen për çmimet dhe arrestimet e fundit

Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj ka kritikuar deputetët e Vetëvendosjes se sot në debatin parlamentar minimizuan krizën e ekonomike në vend me rritjen e çmimeve, duke u lavdëruar me arrestimet e fundit të disa policëve.

Ndaj tij, ka reaguar ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, e cila tha se ish-drejtorit të policisë duhet t’i vijë keq për keqinterpretimet që sipas saj ai është duke i bërë.

Kusari-Lila: Me vjen keq për një ish-drejtor policie të bëjë keqinterpretime

Sot pati shumë abuzime dhe referencë në fjalimin tim, me tendencë për t’u abstrahuar kinse nuk e përmenda se jemi në krizë. Në krizë jemi, e përmenda por gjithashtu në mes çka ju harruat ishin të gjitha veprimet dhe aksionet e qeverisë që ju nuk i merrni parasysh. Së fundmi, deputeti Qalaj e filloi deputetja Kusari me arrestimin e policëve, Qalaj si një ish-drejtor i policisë në Kosovë do të duhej ta vlerësonte këtë aksion, si e para, dhe si e dyta të keni mundësi të bëni lidhshmërinë midis kontrabandës, korrupsionit, për të cilin dyshohen mbi 50, dy shefa të pikave doganore dhe zhvillimeve ekonomike për brenda. Përderisa gjithashtu deklaroni çka kërkojnë policët në depot e kompanive ushqimore. Çka mendoni ju nëse gjinden 100 mijë litra vaj pa dokument të origjinës, kush duhet të shkojë, sekser, që të merren vesh për ndarjen e profitit apo duhet të shkojë Policia e Kosovës se është vepër penale. 100 mijë lira vaj të pa dokumentuara janë zënë në depo, natyrisht se duhet të shkojë Policia e Kosovës. Nuk ka autoritet tjetër, dhe është procedurë penale. Mua me vjen keq për ju si një ish-zyrtar i lartë i policisë, më i larti në vend, të bëni kësi reference ose keqinterpretime për fjalimin tim”, tha ajo.

Deputeti Qalaj iu kundërpërgjigj Mimoza Kusari-Lilës, duke i thënë se Qeveria nuk ka asnjë meritë për arrestimin e policëve të dyshuar për korrupsion. Meritë për këtë, ai tha se kanë inspektorati policor dhe prokuroria, si dy institucione të pavarura.

Qalaj: Nuk është meritë e qeverisë për arrestimin e policëve

“Nuk e keni kuptuar reagimin tim në lidhje me arrestimin e policëve, unë vetëm thash që çfarë roli ka qeveria në arrestimin e atyre policëve dhe e përgëzova Inspektoratin Policor, Prokurorinë e Shtetit, por asnjë meritë nuk e ka kjo qeveri për atë punë. Është punë e organeve të pavarura të hetuesisë, në këtë rast e inspektoratit dhe prokurorisë. Dhe e dyta kurrë nuk është punë e krimeve ekonomike për të shkuar për të kërkuar mallra nëpër depo, është punë e inspektoratit, ATK-së, doganës, por jo e krimeve ekonomike. Më tregoni cili nen ose ligj e detyron policinë e krimeve ekonomike për mallra të cilat janë e inspeksioneve, e kurrë e policisë. Policia mund të shkojë në mbështetje, por jo polica të shkojë të konfiskojë”, tha ai.

Debati parlamentar për rritjen e çmimeve është duke vazhduar me diskutime të deputetëve. /I.Shabani/

Hajdari: “Kosmonte Foods” është tërësisht e pastër

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka garantuar se të gjithë investitorët që janë në harmoni me legjislacionin e Kosovës do të vijnë në Kuvend për dhënien e statusit të investitorit strategjik. Ajo ka ftuar prokurorinë dhe gjykatën që të hetojnë procesin e “Kosmonte Foods”, duke deklaruar se është tërësisht e pastër.

Ajo këto komente i bëri pas pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Rashit Qalaj, i cili tha se sa herë kanë kontaktuar investitorët. Në lidhje me këtë, Hajdari u zotua se është në kontakt të përditshëm me investitorët.

Hajdari: Proceset i kemi trashëguar

“Më vjen keq për proceset që i kemi trashëguar sa i përket legjislacionit të investimeve strategjike, i cili proces ka devijuar në kriteret për ambient dhe në kriteret për origjinën e fondeve. Unë ju garantoj për gjithë investitorët që janë në harmoni me legjislacionin e Kosovës, do të vijnë këtu në parlament, ashtu siç ka ardhur “Kosmonte Foods”. Ju si PDK më keni akuzuar mua që unë jam e korruptuar me “Kosmonte Foods”. Por unë do t’i ftoj edhe prokurorinë, gjyqësorin që të hetojnë se ku është procesi”, ka thënë ajo.

Hajdari ka thënë se nuk ka asnjë problem gjyqësor sa i përket investimeve strategjike.

Hajdari: Procesi ka qenë me shantazhe

“Procesi, i nderuar deputet ka qenë me shantazhe që i është bërë “Kosmonte Foods” duke e futur në probleme gjyqësore, për shkak se nuk i është vazhduar kontrata e marrjes së tokës. Dhe kur kemi hulumtuar me Agjencionin e Pyjeve, vetë zyrtarët që kanë qenë të larguar për korrupsion, ata i kishin shantazhuar duke i hedhur në gjyqësor”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, ministrja Hajdari deklaroi se “Kosmonte Foods” është tërësisht e pastër.

Hajdari: Kosmonte Foods është tërësisht e pastër

Kosmonte Foods është tërësisht e pastër dhe ju mund të investigoni apo hulumtoni çfarë të doni”, ka deklaruar ajo.

Kuvendi po vazhdon debatin parlamentar për rritjen e çmimeve.

 

 Pal Lekaj: Qytetarët janë me bark të pangopur

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka folur sot në seancën parlamentare ku po diskutohet për rritjen enorme të çmimeve.

Lekaj gjatë fjalës së tij u shpreh se nga problemet e qeverisë Kurti, në fund po e pësojnë qytetarët e Kosovës.

“Në mesin e shumë problematikave që ka qeveria Kurti, në fund epilogu është dëmtimi i shportës së qytetarëve. Shporta është bërë më e shtrenjtë se disa shtete fqinje. Kjo ngritje është e pakuptimtë sepse pagat e qytetarëve nuk e përballojnë dot rritjen e çmimeve”, ka thënë ai.

Tutje Lekaj ka shtuar se meqë qeveria Kurti është shumicë në parlament, ajo duhet të marrë masa sa më shpejt, duke krijuar pako stimimuluese për qytetarët.

“Qeveria Kurti është shumicë në Kuvend dhe Qeveri, kështu që ndaleni këtë trend të rritjes së çmimeve. Ne kemi bërë thirrje si AAK, që të hyjë në fuqi Ligji i Pagave. Dhe të krijohen disa masa, siç është ajo për të krijuar pako stimuluese për qytetarët në nevojë”, shtoi Lekaj.

“Nuk kanë punë, janë me bark të pangopur, pa të ardhme, pa përspektivë. Për këtë arsye, i bëj thirrje qeverisë që të zgjohet nga gjumi i saj dimëror, e t’i kthehet qytetarëve”.

Kurti: Kemi shtuar kontrollin dhe do t’i ndëshkojmë manipuluesit e çmimeve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rritja enorme e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari në vend, për çka tha se kanë shtuar kontrollin dhe mbikëqyrjen për ata tregtarë që manipulojnë me çmimet ashtu sikur ditë më për parë me vajin.

Në debatin parlamentar për çmimet, Kurti paralajmërojë se do të ndëshkohen të gjitha ata tregtarë që manipulojnë me çmimet.

Derisa për çmimin e vajit prej 3.49 euro, Kurti tha se ishte një kurdisje.

Kurti: Ne kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë manipuluesit

“Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari, ne si qeveri jemi duke punuar në vazhdimësi që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cenueshëm. Krizat na prekin të gjithëve, ndonëse jo të gjithëve njësojë. Ne kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë, ashtu siç u dëshmua pak ditë më parë, ku ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës. Madje, fitimin e duan si super profit. Janë inspektuar e po vazhdojnë të inspektohen operatorë ekonomik në tërë Kosovën[…]të gjitha ata shitës që manipuluan me çmimet në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen e do të ndëshkohen. Çmimi prej 3 euro e 49 centë për një litër vaj ishte hapur kurdisje”, tha ai.

Kryeministri po ashtu sa i përket çmimeve, tha se Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-ve në sanksionimin e agresionit rus dhe siç theksoi se sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime.

Kurti: Edhe sanksionet kanë bërë që të ketë ngritje të çmimeve në Kosovë

“Energjia elektrike që mundëson prodhimin, dhe nafta që mundëson transportin, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit furnizimit me produkte që ne i konsumojmë, na e përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet të cilat ne i shohim nëpër raftet e marketeve tona. Për tej kësaj, Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-ve në sanksionimin e agresionit rus dhe sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime. Një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja solidaritetit me popullin ukrainas dhe mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore. Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve, sepse duke qenë ekonomi kryesisht importuese, luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve edhe koston e atij që na e sjell mallin. Këtë po e ndryshojmë edhe duke rritur subvencionimin për prodhimin e produkteve bazë në këtë vit të parë në qeverinë tonë me buxhetin tonë të shtetit. Qëllimi këtij subvencionimi është qëndrueshmëria e bujqësisë vendore për të mbuluar pjesë më të madhe të kërkesës agregate në vend, duke u shliruar kështu nga varshmëria e importeve të shtrenjta”, tha ai.

Veç kësaj, Kurti tha se si Qeveri kanë subvencionuar naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro ose 0.36 centë për litër, si dhe kanë mbështetur bujqit për plehërimin pranveror.

Tutje, ai ka thënë se kanë marrë edhe disa veprime të tjera në mbështetje të qytetarëve në këtë kohë me ngritje të çmimeve. 

Ganimete Musliu: Me përralla nuk qeveriset vendi!

Në seancën e jashtëzakonshme Parlamentare dedikuar rritjes së çmimeve të prodhimeve në vend, sot, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se kryeministri Albin Kurti është “disi i shkëputur nga realiteti”.

Deputetja Musliu ceku se ‘ne e kishim të qartë se ky njeri do të shkaktonte kaos menaxherial, por për fat të keq kaosi i tij ka marrë rrugën e rrezikshme për vendin dhe për të gjithë ne. Askush nuk habitet më, me ndryshimin e Albinit. As me harresën e tij dhe të atyre deklaratave të tij të famshme’.

”Ajo që nuk mund të tolerohet më është gatishmëria e tij për të mohuar të gjitha të arriturat e deritashme, për të mohuar edhe vet historinë dhe për të rrezikuar jetën dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Musliu.

Ajo deklaroi se Kurti nuk kishte rezultat të bazuar në program të mirëmenduar qeverisës, por është një rezultat i pastër mbi bazën e një demagogjie të papërgjegjshme.

”Tani përballja me sfidat qeverisëse tregon qartë që barku nuk ngopet me broçkulla alla Albinçe dhe brigadave të tij recituese”.

Musliu shtoi se ”tani më edhe qytetarët e kanë kuptuar hipokrizinë e Albinit dhe talljen që ai çdo ditë e bën në adresë të tyre. Albini dhe kabineti I tij nuk e bënë një gjë të tillë sepse një vit iu desh të recitonin rezultatin e zgjedhjeve sepse kjo e vetëkënaqte egon e tij., ne e kemi të qartë se çfarëdo që të themi në këtë debat, nuk gjejmë fjalë për ta pranguar këtë dezastër qeverisës”, ka potencuar Musliu.

Ajo theksoi se opozita nuk mund të heshtë, dhe kjo opozitë pandërprerë e ka ngritur zërin kundër keqqeverisjes se Albin Kurtit.

”Është e vërtetë, ne nuk hodhëm gaz lotsjellës. Nuk u çirrem nëpër këtë Kuvend duke ofenduar dinjitetin njerëzor të askujt, por që kjo opozitë e paralajmëroi Albin Kurtin për sfidat që kalonim me pandeminë dhe më vonë për zhvillimet politike globale, këtë nuk mund ta mohon askush”, ceku deputetja Musliu.

Po ashtu, ajo rikujtoi pyetjen që i bëri Kurtit kohë më parë.

”Kur e kam pyetur se a e din sa kushton një litër vaj një bukë, një kg sheqer, një kg krip e një litër qumësht? Çfarë bëri Albini atëherë? Ai qeshi! E për ta kënaqur egon tij, qeshi edhe kori i deputetëve të VV¬-së”, theksoi ajo dhe shtoi se “edhe kolegët e tjerë të opozitës e kanë ngritur zërin dhe kanë ofruar alternativa të ndryshme si për shtrenjtim e energjisë elektrike si për çdo gjë tjetër që po shkon keq në këtë vend”.

Haradinaj: Më parë është dashur të hyjë në burg kryeministri se ata që po i ndjek sot

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri është befasuar me rritjen e çmimeve, ani pse udhëheq me vendin. Ai ka thënë se për shkak të mos përgjegjësisë në këtë situatë, në burg duhet të hyjë vet kryeministri.

Në seancën e jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve, Haradinaj tha se kjo qeveri e pa përgjegjshme do të ishte kujdesur që të mos refuzojë projektet e energjisë.

Haradinaj: Dy projektet serioze na kanë rreshtuar në anën e kundërt

“Dy projektet serioze na kanë rreshtuar në anën e kundërt. Refuzimi i investimit termocentral na ka pozicionuar në anën e kundërt. Refuzimi i gazsjellësit njëjtë na ka bërë. Çfarë do të kishte bërë një qeveri edhe po të ishte kjo situatë de facto? Nuk ka dikush që nuk e ka kuptuar që një zhvillim në siguri në Evropë do të ketë implikime dhe do ta shpall një luftë ekonomike. Të gjithë e kanë ditur dhe të gjithë iu kanë druajtur”, 
ka deklaruar ai.

Veç tjerash, Haradinaj ka komentuar edhe rritjen e çmimit të vajit, ku tha se me këtë është befasuar pikërisht Kurti i cili udhëheq me vendin.

Haradinaj: Merreni me mend ju jeni befasuar se ju kanë rrit çmimet në vendin e juaj

“Merreni me mend ju jeni befasuar se ju kanë rrit çmimet në vendin e juaj. Jeni zgjuar një mëngjes dhe e keni gjetur litrën e vajit 3.49. Në shtetin tonë, ku udhëheq ti. E pastaj që me mbulua atë marre je duke i ndjekur disa, je ka dëshiron me i shti në burg disa. Më fal, por për të hyrë në burg më përpara është dashur që të hyjë kryeministri se ata që po i ndjek sot. Sepse asnjë përgatitje paraprake nuk e ke bërë se si të tejkalohet kjo krizë”, ka thënë ai.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar rritjen e pagave dhe rritjen e pensioneve.

Haradinaj: Rriti krejt pensionet

“Rriti krejt pensionet, të gjitha pensionet potenciale. Nuk ka pension në Kosovë më që duhet të mbes në atë shifër që ka qenë. Pastaj për ata që kanë mbetur të pa përfshirë në këtë rritje, që janë të pa punë, që nuk kanë kontrata, që nuk kanë të hyra, edhe për ata jepni pako emergjente financiare. Qoftë 100 euro për familje, qoftë i një versioni të caktuar të shpejt. Këto janë masa që mund të merren në pak ditë”, ka përfunduar Haradinaj.

Në debatin parlamentar ku po diskutohet për rritjen e çmimeve, ai ka thënë se përkrahin rezolutën e opozitës për tu ballafaquar kriza në vend.

Kritikon opozita për eksport të energjisë, Kurti: Natyrisht kur ka tepricë eksportohet, çka t’i bësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Ferat Shala, i cili ka thënë se kompania publike KEK-u po eksporton energji elektrike më lirë, ndërkohë që kompania tjetër KOSTT-i po e blen atë dyfishë më shtrenjtë për t’i mbuluar humbjet në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti në seancën parlamentare tha se kur ka tepricë të energjisë elektrike, natyrisht që ajo eksportohet.

Kurti: Tepricën e energjisë natën e eksportojmë, s’ke çka t’i bësh

“Eksporti i energjisë, që u tha për muajt janar dhe shkurt të vitit 2022, janë tre faktor, njëri prej të cilëve është keqkuptim. Faktori I parë, është transiti I energjisë. Transiti i energjisë nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë ose anasjelltas dhe po kështu kur Maqedonia e Veriut I shet energji Malit të Zi, pra, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por ajo që del nuk është eksport. Janë edhe faktor të tjerë. Faktori I dytë, është që Ujmani ka kontrata afatgjate të eksportit të energjisë. Ne I kemi gjetur ato kontrata. Me 38 euro e shet një megavat orë. Këto kontrata i ka bërë Ujmani. Po, Ujmani eksporton, sepse ka obligim kontraktual, shitjen kaq të lirë në një krizë energjetike. Dhe faktori I tretë është, teprica e energjisë sidomos në orët 3,4.5, pas mesnate. Po iu tregoj, vetëm dje në mëngjes si ka qenë. Në orën 03:00, prodhimin e kemi pasur 903 megavat, ndërkaq konsumin 804. Po ashtu në orën 04:00, dje në mëngjes, e kemi pasur prodhimin 907 megavat, konsumin 822. Pra, më pak. Në orën 05:00 në mëngjes e kemi pasur prodhimin 905 ndërkaq konsumin 809, bile edhe në orën 06:00 e kemi pasur prodhimin 905 e konsumin 844. Çka me I bërë kësaj energjie. Me ia dhënë KOSTT-it, çka I vyen KOSTT-it. Kuptoni, derisa piku në orën 23:00 ngelet i pa mbuluar, në orët pasmesnate dhe në orët hershme të mëngjesit ne kemi tepricë, dhe tepricën natyrisht që e eksporton. Nuk ke cka t’i bësh”, theksoi Kurti.

Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala theksoi se nuk ka asgjë të keqe me eksportuar energji elektrike, por sipas tij, kjo po ndodhë në kohën kur Qeveria dhe ZRRE shtrenjtuan rrymën për qytetarët për shkak të importit të shtrenjtë.

Haradinaj – Kurtit: Je befasu nga çmimet e larta, po i çon disa në burg

 

Në seancën ku po diskutohet për rritjen e çmimeve, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e cilëson si situatë më pak serioze ngritjen e çmimeve.

Duke folur për shtrenjtimin e çmimeve, kreu i AAK-së ka thënë se Qeveria është befasuar me këtë rritje dhe se për me mbulu ‘qat marre’ i ka çu disa në burg.

“Merreni me mend, ju jeni befasu se ju kanë rritet çmimet në vendin e juaj. E keni gjetë litrin e vajit 3.49 në shtetin ku udhëheq ti. E pastaj me mbulu atë marre, je ka i ndjek do, me i çun bë burg. Më besoni, para se me i ndjek ata, është dashtë me hy në burg kryeministri, se asnjë veprim se ke marrë me tejkalu këtë krizë”, ka thënë Haradinaj në Kuvend.

Kreu i AAK-së ka akuzuar Qeverinë se ka ndalë investimet nga investitorët e jashtëm.

Ndër tjerash, ai ka kërkuar që të rriten pensionet, të sjellet Ligji për Paga pasi sipas tij, “buxheti është i këtij populli dhe duhet kthyer atyre”.

Shala: KEK-u eksporton rreth 150 euro megavatin, KOSTT importon dyfishë më shtrenjtë

“Nuk është shumë e madhe, por megjithatë, dhjetëra milionë nuk janë pak për buxhetin e Kosovës, qeveria 10 milionë euro ndau për rezervat shtetërore dhe ne kemi ekspertuar energjie gjatë muajt janar dhe shkurt. Kemi eksportuar energjie nga dy kompani, nga dy kompani, njëra më pak e tjetra më shumë, e më shumë KEK-u, që është kompani shtetërore, ka eksportuar energjie. Kjo në rregull do të ishte sikur të mos ishte arsyetimi I juaj, i qeverisë dhe ZRRE-së që ‘ne po e shtrenjtojmë energjinë, për shkak të importit. Dhe ky fakt bëhet ende më shqetësues kur në njëjtën kohë KOSTT importon energji. Pra, në njërën anë KEK-ut shet energji, përafërsisht 150 euro megavatin, në anën tjetër KOSTT blen dyfishin më shtrenjtë mijëra megavat për të mbuluar humbjet që ndodhin në pjesën veriore”, theksoi ai. 

Përplasje në Kuvend, Lumir Abdixhiku tregohet i ashpër me Besnik Bislimin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se të gjithë nëpër botë po flasin për krizën ekonomike që ka kapluar si shkak i rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, Abdixhiku, është shprehur se ekzekutivi nuk po bën asgjë dhe sipas tij, është vetëm spektatore.

“Nuk ka parlament sot, një javë e një muaj, që s’flet për rritjen e çmimeve. Sot, këtu në këtë kuvend, na u tha se s’kemi krizë sepse po citoj “masa të dinjitetshme, efektet janë të prekshme”. Të flasim për çështje konkrete. Po bëhen një muaj e gjysmë që kemi folur për rritjen e çmimeve, Kosova si çdo vend tjetër po përballet me rritjen alarmante të çmimeve. Ka krizë alarmante”.

“Ti e vëren që qeveria s’po bën asgjë, është spektatore. Qeveria jonë nuk po i njeh krizat. Nëse janë kriza globale, çka po bëni ju? A po jeni vetëm spektatorë? E vërteta është që Kosova po shfaqet me inflacionin më të lartë të këtij viti”, deklaroi deputeti Abdixhiku.

Ai tutje i kërkoi kryeministrit Kurti ta “lidhë” zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

“Kryeministër të lutëm lidhe zv/kryeministrin, trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe, por e keni mundësinë në mikrofon të diskutoni. Lidhe”, shtoi ai.

 

Memli Krasniqi, Qeverisë Kurti: Nuk morët asnjë hap për rritjen e pagave në sektorin publik e as privat

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë hap në rritjen e pagave, pavarësisht rritjes së çmimeve dhe situatës së krijuar.

Ai madje u shpreh se Qeveria Kurti anise e pati premtim madhor përcaktimin e pagës minimale, nuk ndërmorri asgjë në këtë drejtim.

 

”Ju keni konstatuar që kjo është kostoja e lirisë dhe demokracisë”.

”Por, mos të jetë si bakshish edhe kostoja e paaftësisë tuaj. Asnjë hap s’është ndërmarrë për rritjen e pagave, as në sektorin publik, as në sektorin privat”.

”As paga minimale s’është përcaktuar ende që ka qenë premtim madhor i juaji”.

”A keni dalë najkush prej juve në terren e me ecë në qytete e fshatra të Kosovës e me ju tregu sa mirë i keni punët. Njëherë nuk e patët kurajon me besu që opozita e kësaj qeverie, mendon për qytetarët e Kosovës edhe kur ju harroni me mendu për ta”.

”Para së gjithash, u thir një seancë e jashtëzakonshme sepse gjendja është e tillë, gati e jashtëzakonshme. Unë dhe të gjithë këtu e dimë që kryeministri dhe qeveria që sot jeni  në pushtet nuk keni faj kryesor për këto çka kanë ndodhë, por keni faj që keni marrë detyra që s’dini me i kry qysh duhet”.

”Ngjashëm për energjinë elektrike që nuk patet kurrfar plani. Normalisht mund të thoni se lufta në Ukrainë m und t’i ketë shkaktuar këto, por pyetja nuk është çka e ka shkaktuar këtë shpërthim të çmimeve. Por çka keni bërë ju në këtë krizë?”.

Kusari Lila: Aksioni “Pika” tregon seriozitetin e kësaj qeverie, opozita po synon të keqinformojë qytetarin

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka kritikuar opozitën për seancën e thirrur sot, se kinse ata po tentojnë të keqinformojnë qytetarët.

Kusari Lila ka kritikuar opozitën se po thërret seanca në kohën kur në vend ka ngjarje tjera edhe më me rëndësi.

Kjo seancë e thirrur nga opozita, tregon se po tentojnë të thonë kinse Qeveria nuk po interesohet. Seancat po thirren në kohë të papërshtatshme”, u shpreh ajo.

Kusari Lila në seancën e Kuvendit ka përmendur aksionin e organizuar dje, “Pika”, duke u mburrur për Qeverinë Kurti.

Fakti se konfirmohet se askush nuk është i paprekshëm, përfshirë policinë, tregon seriozitetin e kësaj qeveria. Kjo seancë e thirrur nga opozita po synon të keqinformojë”, tha Kusari Lila.

 “Nga fillimi i pandemisë e deri më tani pakot e ndihmave të rimëkëmbjes janë mbledhur dhe janë shpërndarë. Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për mbështetjen e atyre që kanë humbur vendet e punës dhe familjarët nga Covid-19”, tha ajo.

 Bajrami: Qeveria nuk bëri asgjë, ajo çka po ndodhë me çmimet është frikësuese

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur sot kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, për siç thotë, nuk bëri asgjë për parandalimin e ngritjes së çmimeve apo që kjo të mos vërehet në xhepin e qytetarëve.

Ju dhe kjo qeveri duhet të menaxhoni me kriza të tilla”.

”Ju nuk po menaxhoni me ndërhyrjet e juaja. Ju kemi dëgjuar të krekoseni për rritjen ekonomike të vitit 2021. Por nuk mundesh me folë për diçka çka ke fitu, pa tregu çka ke humb”.

Image
Hykmete Bajrami

Sot ngritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Ajo çka po ndodhë me çmimet sot është frikësuese. Qeveria jonë nuk bëri asgjë”.

 Kuvendi Kosovës shtyn debatin parlamentar për rritjen enorme të çmimeve deri në orën 12:15. Kjo seancë parlamentare ishte paralajmëruar të nis prej orës 11:00, por në mungesë të të disa deputetëve dhe vet kryeministrit Albin Kurti, të cilët gjinden një aktivitet tjetër, u vendos që të shtyhet seanca deri në orën 12:15.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se debati i sotëm është i rëndësishëm, ndërkohë që shtoi se deputetët nuk po trajtohen si duhet.

“Jemi duke jetuar në epokën e digjitalizimit, keni mundur të dërgoni të paktën një sms deputetëve dhe t’i njoftoni për shtyrjen e seancës për një orë. Për mua është e papranueshme se si trajtohen deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa dallim pozitë e opozitë”, ka thënë ajo.

***

Kuvendi i Kosovës, sot do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme.

Pika e vetme e rendit të ditës është “Debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve”.

Seanca do të nisë nga ora 11:00.

Kujtojmë që rritjet e çmimeve po vazhojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat