Hodaj sqaron si ndodhi komplet aksioni “Pika”, si u zunë në flagrancë policët duke marrë ryshfet?

Aktuale

Hodaj sqaron si ndodhi komplet aksioni “Pika”, si u zunë në flagrancë policët duke marrë ryshfet?

Më: 15 mars 2022 Në ora: 18:03
Kushtrim Hodaj

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm të IPK-së, e ku u arrestuan 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë.

Hodaj tha se aksioni është zhvilluar me autorizim të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kryeshefi i IPK-së deklaroi se të arrestuarit janë zyrtarë policorë të pikave kufitare Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë.

“IPK-ja dje me autorizim të Prokurorisë Speciale ka finalizuar apo ka realizuar operacionin për arrestimin e zyrtarëve policor të përfshirë në korrupsion në drejtorinë rajonale të policisë kufitare perëndimi, ose në regjionin e Gjakovës. Janë dy pika kufitare konkretisht, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë”, deklaroi ai.

E gjërat e paligjshme sipas tij, ishin gjërat që kontrabandoheshin më së shumti përmes kësaj pike kufitare.

“Ky hetim kishte filluar vitin e kaluar pastaj me autorizimin e Prokurorisë Speciale për shkak të dyshimeve që grupe të ndryshme kriminale ose të kontrbanduesve i shfrytëzonin këto pika kufitare për të kaluar gjëra të paligjshme apo substanca të ndryshme të dyshuara pa kontroll në pikat kufitare”, tha ai.

Më tutje Hodaj tha se hetimet lidhur me këtë aksion kanë filluar qysh vitin e kaluar.

“Këtu ne filluar një hetim. Zbatuam masat e fshehta teknike dhe të hetimit dhe të vëzhgimit dhe si rezultat i këtyre masave kemi arritur që të argumentojmë dhe dokumentojmë përfshirjen e këtyre zyrtarëve policorë në veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha ai.

Hodaj u deklarua edhe për nisjen e hetimeve. Hetimi nisi në muajin maj të vitit të kaluar, e që sipas Hodajt erdhi pas dyshimeve dhe informatave që grupet kriminale po sillnin substanca narkotike në Kosovë duke i shfrytëzuar këto dy pikëkalime kufitare.

“Ne në vazhdimësi pranojmë ankesa nga qytetarët, grupet e ndryshme, rrugët operative dhe strukturat e caktuara të policisë. Sigurisht që ne i verifikojmë këto informacione dhe bëjmë veprime në drejtim të hulumtimit, verifikimit dhe zbulimit të tyre. Ky si informacion ka ardhur në muajin maj të vitit të kaluar për shkak të disa dyshimeve që grupe të organizuara dhe grupe kriminale tentojnë të sjellin substanca narkotike nga Shqipëria në Kosovë e më pas në vendet e tjera. E informuam Prokurorinë Speciale dhe u autorizuam nga ta që të fillojmë të gjitha hetimet”, tha ai.

Ai u deklaru edhe për rezultatet e përgjimit. Sipas tij, zyrtarët policorë përmes përgjimeve u kapën duke marrë ryshfet.

“Përgjimi është një nga metodat e fshehta të hetimit, por ka edhe metoda tjera që janë përdorur për të dokumentuar ato dyshime në bazë të cilave ne i nisëm hetimeve. Doli fatkeqësisht që shumica e zyrtarëve policor që janë të angazhuar në ato pika kufitare pranuan ryshfet dhe lejuan që të hyjnë dhe të dalin persona pa dokumentacion të rregullt, me mallra të dyshimta e gjëra të tjera. Ne arritëm që të dëshmojmë me zë dhe me figurë marrjen e ryshfetit”, tha ai.

Për sa i përket shumave që policët kanë pranuar për ryshfet, Hodaj tha se janë të ndryshme.

“Të gjithë këta zyrtarë janë të përfshirë në mbi 400 raste të ndryshme dhe ka shuma të ndryshme varësisht prej asaj çfarë është lejuar që të kalojë në kufij. Ka shuma të vogla dhe shumë të mëdha. Ka qenë diçka që është bërë çdo ditë dhe në mënyrë të përsëritur. Shumica e këtyre zyrtarëve kanë më shumë se dy raste që kanë qenë të përfshirë e disa edhe me dhjetëra. Të arrestuar janë zyrtarë policorë, pesë rreshter dhe dy togerë ose komandantët e pikave", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat