​Mbrojtja thotë se Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

Aktuale

​Mbrojtja thotë se Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

Më: 16 mars 2022 Në ora: 13:11
Hysni Gucati

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees i ka thënë trupit gjykues se ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së duhet të shpallet i pafajshëm. Në deklaratën e tij përmbyllëse ai ka propozuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të pranojë që ky proces gjyqësor të ndërpritet. Avokati ka thënë se nuk ka prova të pranueshme që vërtetojnë akuzat me të cilat ngarkohet Hysni Gucati.

Avokati i Gucatit ka thënë se synimi i ish-kryetarit të OVL-UÇK ka qenë bërja publike e bashkëpunimit në mes të ZPS dhe Serbisë duke shprehur shqetësimin e tij mbi anshmërinë e prokurorisë.

Rees: Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

“Masa ligjore që propozojmë ne është që ZPS të pranojë që të ndalohet ky gjykim. Të pushohet ky gjykim, për këtë arsye ne kërkojmë që të gjitha vendimet të jenë për vendime pafajësie, pse procedura gjyqësore të pushohet në bazë të nenit 6”, ka thënë avokati Rees.

Rees ka thënë se ende nuk janë zbardhur rrethanat në të cilat materialet e paketës 3 kanë rrjedhur nga ZPS dhe janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që këtë ta ketë bërë një anëtar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Rees: S’përjashtohet mundësia që dikush nga ZPS t’i ketë dhënë dosjen një personi të jashtëm

“ZPS nuk mund të sillte prova pozitive për të demonstruar për të dëshmuar në një mënyrë ose tjetër se si ndodhi që ky informacion doli nga zyrat e ZPS-së. Në raportin që është parashtruar nuk gjejmë asnjë lloj prove për asgjë sigurisht që ZPS nuk mund të përjashtonte atë që është përfundim i dukshëm, duke pasur parasysh natyrë ne dokumentit dhe qasjen e tij, pra nuk përjashtojmë dot mundësinë që dikush nga ZPS që kishte qasje në këtë dokument të mund të ja ketë dhënë në mënyrë të qëllimshme një pale të jashtme atë. Shkalla e hetimit të kryer nga ky organ është e paqartë”, ka thënë Rees.

Ndër të tjera, Rees ka thënë se ZPS nuk ka kërkuar nga mediat që të largojnë nga publikimi materialet e dosjeve të cilat i kishin botuar.

Rees: ZPS nuk është shqetësuar që dosjet qarkullojnë ende në media

“Ne e dimë që zotëri Berisha (gazetar) dhe kolegët ende kanë kopje të këtyre dokumenteve, ne i kemi pyetur për këtë, dimë që ka kopje të dokumentacionit që janë ende të botuar në internet, nuk kanë kërkuar që të hiqen këto informacione apo nuk kanë dërguar asnjë lloj urdhri ZPS apo kërkese te faqet e internetit për të hequr këtë informacion. Ata kanë shprehur pak interes ose aspak interes apo pak ose aspak shqetësim për ta analizuar nëse ky material që i është vënë në dispozicion OVL-UÇK-së, pastaj shtypit, dhe ne nuk kemi parë asnjë hollësi për të bërë një lloj vlerësimi nëse ZPS ka bërë ndonjë përpjekje apo jo”, ka thënë ai.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat