Blerta Deliu pas dështimit të miratimit të Kodit Civil: E papranueshme heshtja e Presidentes

Aktuale

Blerta Deliu pas dështimit të miratimit të Kodit Civil: E papranueshme heshtja e Presidentes

Nga: M.L. Më: 17 mars 2022 Në ora: 11:26
Blerta Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu ka thënë se qeveria e Kosovës ka dështuar në miratimin e Kodit Civil i cili do të rregullonte edhe të drejtën e grave në trashëgimi.

“Qeveria e arrogancës së numrave dështoi të sigurojë votat në radhët e veta për të miratuar Kodin Civil, i cili përveç tjerash, parasheh edhe rregullimin e të drejtës së grave në trashëgimi. Ne si parti e kem arsyetuar qëndrimin tonë në Kuvend, përderisa pozita me shumicën parlamentare mbivoton çdo iniciativë tonën ligjore e amandamentuese duke demostruar arrogancë në vend të veprimeve të arsyeshme në të mirën e përgjithshme”, shkruan Deliu në profilin e saj në Facebook.

Ajo e konsideron si të papranueshme heshtjen e Presidentes lidhur me këtë çështje.

“Mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit, gardiane e mbrojtjes së të drejtave njerëzore, e mbi të gjitha si një grua – në rastin konkret të dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili afekton të drejtën e trashëgimisë për gratë”, është shprehur ajo.

Sipas Blerta Deliut, Presidentja po e ridëshmon për të satën herë radhazi se i mungon aftësia për të udhëhequr, së pari nga parimet humane e mandej politike.

“Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës”, ka përfunduar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat