Ndreu: 65 % të turizmit të Lezhës e përbëjnë shqiptarët e Kosovës

Aktuale

Ndreu: 65 % të turizmit të Lezhës e përbëjnë shqiptarët e Kosovës

Më: 17 mars 2022 Në ora: 20:43
Pjerin Ndreu

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, njëherësh Dekani i Trupit Diplomatik Qemal Minxhozi në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, kanë organizuar sonte “Ditën e Hapur të Lissus (Lezhë)” në Prishtinë.

Në këtë event, përveç trupit diplomatik të akredituar në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe personalitete të tjera.

Ambasadori Minxhozi në fjalën e tij ka thënë se Lezha është një qendër e njohur turistike e cila vizitohet në numër të madh të turistëve sidomos nga Kosova.

Minxhozi: Kosova më shumë frekuenton Lezhën

“Lezha nuk është vetëm një qendër historike, vendlindja e heroit tanë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por është edhe deti Adriatik, por e kemi shumë vështirë për ta caktuar se kush është tepër andej Kosova apo Shqipëria... Kosova... Është prova e parë që bëjmë që ta sjellim një qytet, një zonë, një det të përbashkët këtu sonte”, tha Minxhozi.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili ka thënë se Lezha përveç turizmit shquhet edhe për kulinarinë e saj, duke ndikuar kështu në rritjen e numrit të turistëve dhe zhvillimin ekonomik të saj.

Ndreu: 65 % të turizmit të Lezhës e përbëjnë shqiptarët e Kosovës

“Shumë prej jush e kanë vizituar, por Lezha nuk është vendi ku Skënderbeu mblodhi gjithë shqiptarët kundër regjimit otoman, jo vetëm ku ka lindur poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta, por është qyteti realisht i shqiptarëve të Kosovës, sepse turizmin e Lezhës në 65 për qind të saj e zënë shqiptarët e Kosovës... Dua ta falënderoj çdo shqiptar kudo që jeton, veçanërisht në Kosovë për të gjithë kontributin që japin për ekonominë e qytetit”, tha Ndreu.

Ndryshe, Lezha ka 26 kilometra vijë bregdetare, me katër zona plazhi, zona e Tale, Kune, Rana e Hedhun dhe ajo e Shën Gjinit. Aty ndërthuren bregdeti me historinë, natyrën dhe kulinarinë e pasur duke e bërë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

E ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ofron shumë nga pasuria e saj e madhe.

Kështjella është simbol i arkitekturës ilire, romake, bizantine e osmane. Në këtë qytet nis dhe përfundon historia e heroit kombëtar. Besëlidhja e Princave dhe vendvarrimi i Gjergj Kastriot Skënderbeu janë arsyet e vizitave historike.

Lezha është një bashkësi e spikatur me male, fusha, pyje, histori, laguna, lum, kulturë e traditë që vijon të trashëgohet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat